Ambasadori i OSBE-së në vendin tonë, Eugen Wollfarth është takuar sot me liderin e Partisë Socialiste, Edi Rama.


Ky takim vjen kur kanë mbetur vetëm disa ditë nga afati për përmbylljen e reformës zgjedhore, që mësohet se ka qenë çështja kryesore për të cilën është diskutuar mes Ramës dhe Wollfarth.


Në përfundim të takimit me liderin PS, Edi Rama, ambasadori i OSBE, Wollfarth e vuri theksi tek rëndësia e mbylljes së reformës zgjedhore, në mënyrë që të sigurohet transparenca dhe besimi i votuesve në procesin elektoral.

“Ekziston mundësia për zgjidhje, ajo është afër”, ka thënë ambasadori, duke kujtuar se koha për mbylljen e saj po afron.


Më tej, zoti Wollfarth vlerësoi punën e deritanishme të komisionit, por nënvizoi se dialogu duhet të vazhdojë, për të bërë të mundur zgjidhjen e çështjeve që janë ende të hapura, duke shprehur njëkohësisht besimin se finalizimi i reformës është afër

“Me rëndësi që kjo zgjidhje të gjendet mes partive të përfaqësuara në parlament. Komisioni për reformën zgjedhore ka bërë një punë themelore, tani mbetet t`ju jepet përgjigje për disa pika që i përkasin transparencës. Duhet të gjendet një zgjidhje që vlen për të ardhmen”, tha Wollfarth.


Reforma zgjedhore duhet të mbyllet brenda datës12 korrik, kur përfundon edhe mandati i Komisionit të Reformës Zgjedhore. Ndërkohë që shtyrja pafundësisht e kësaj reforme ka ardhur për shkak të mospajtimit mes palëve politike në tri çështje kryesore: struktura e KQZ-së, procesi i ankimimit dhe sistemi elektronik i numërimit të votave.

9 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)