Shkrihen përfaqësitë diplomatike në Bosnjë, Portugali, Malajzi dhe Indi


Qeveria – Ministri Bushati beson se reforma në shërbimin diplomatik krijon një model më të përshtatshëm dhe efikas të këtij shërbimi në botë


Opozita – Partia Demokratike e ka konsideruar gabim të madh për politikën e jashtme nëse shteti shqiptar vendos që t’i mbyllë ambasadat e tij në vendet e huaja


Konsullata – Më 23 prill, Këshilli i Ministrave vendosi për mbylljen e Konsullatës së Përgjithshme të Shqipërisë në Nju Jork (SHBA) dhe për hapjen e zyrës konsullore pranë OKB-së


Herion Mesi


bushati 1Paralajmërimi i pak muajve më parë i shefit të diplomacisë shqiptare, Ditmir Bushati, se do të ketë shkurtime në ambasadat shqiptare, por dhe në personelin e ambasadave që do të mbeten për efekt të mungesës së fondeve, po shoqërohet me projektin përkatës për emrat e selive diplomatike shqiptare nëpër botë që do të mbyllen. Kështu, në mbledhjen e djeshme, qeveria shqiptare, me propozim të ministrit të Punëve të Jashtme vendosi mbylljen e përfaqësive diplomatike në katër ambasada, atë të Bosnjë-Hercegovinës, Portugalisë, Indinë dhe Malajzisë. “Këshilli i Ministrave vendosi mbylljen e përfaqësisë diplomatike të Republikës së Shqipërisë në kryeqytetin e Malajzisë, Kuala Lumpur; mbylljen e përfaqësisë diplomatike të Republikës së Shqipërisë në kryeqytetin e Portugalisë, Lisbonë; mbylljen e përfaqësisë diplomatike të Republikës së Shqipërisë në kryeqytetin e Republikës së Bosnjë-Hercegovinës, Sarajevë; mbylljen e përfaqësisë diplomatike të Republikës së Shqipërisë në kryeqytetin e Indisë, Nju Delhi”, thuhet në vendimet përkatëse të qeverisë, e cila ngarkon ministrinë e Punëve të Jashtme për zbatimin e këtyre vendimeve.


Reforma në diplomaci


Nga burime pranë Ministrisë së Jashtme të pyetur lidhur me këto vendime, mësohet se këto janë vendime që merren në kuadër të reformës në shërbimin diplomatik dhe, sipas tyre, reforma ka prekur kryesisht ato ambasada që janë jashtë funksionit, për shkak se Shqipëria nuk ka interesa në ato vende ku janë instaluar selitë diplomatike shqiptare. Nga të njëjtat burime mësohet gjithashtu se mbyllja e disa prej këtyre ambasadave po bëhet për faktin se disa të tjera janë grumbulluar në një hapësirë jo fort të madhe dhe përfaqësojnë thuajse të njëjtën linjë diplomatike. Kështu, sipas projektit të Ministrisë së Jashtme për reformën në këtë shërbim, mësohet se rolin e ambasadës aktuale shqiptare në Bosnjë-Hercegovinë, do ta mbulojë ambasada jonë në Slloveni. Ndërsa roli i dy ambasadave shqiptare në kontinentin aziatik në Malajzi dhe Indi, do të mbulohet nga ambasada jonë në Kinë. Njëherësh, me botimin e këtyre vendimeve në Fletoren Zyrtare, edhe ambasada shqiptare në Portugali do të mbulohet nga ambasadori ynë në Spanjë. Nga ana tjetër, sipas burimeve, shkurtime do të ketë edhe në personelin e ambasadave që nuk do të shkrihen. Kështu, do të shkurtohet me 30 për qind personeli i ambasadave në të gjitha vendet, duke iu bashkangjitur në këtë mënyrë edhe strukturës së re të Ministrisë së Punëve të Jashtme, e cila reduktohet për shkak të vështirësive financiare në masën 30 për qind. Bëhet e ditur se këto masa po merren në kuadër të kursimeve në buxhet që ka ndërmarrë edhe diplomacia shqiptare, pas gropës financiare të krijuar nga qeverisja e kaluar, ku sipas mazhorancës, qeveria e mëparshme “Berisha” i kishte kthyer selitë diplomatike në strehë për familjarët e pushtetarëve.


Kreu i diplomacisë


Në janar, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, pohoi se brenda këtij viti do të ketë shkurtime të ambasadave shqiptare në botë, por, sipas tij, kjo nismë do të merret në momentin kur të ketë një studim konkret. Dhe shtatë muaj më pas, qeveria vendosi ta miratojë këtë lëvizje, e cila, sipas ekzekutivit, shihet si një nevojë për të bërë racionalizim të shërbimit të jashtëm të Shqipërisë. Sipas ministrit Bushati, shërbimi i jashtëm shqiptar do të jetë i kufizuar, por tepër eficient. “Na duhet të kemi një prezencë më të balancuar në lidhje me fuqitë dhe mundësitë e Shqipërisë. Është mirë të jesh prezent edhe në skajin më të largët të botës, por përfaqësimi ynë mbi të gjitha duhet të jetë dinjitoz. Nuk është e lehtë të mbyllësh një ambasadë, duke llogaritur këtu dhe njerëzit që largohen dhe efektet e tjera që lindin. Ne tashmë jemi duke parë me imtësi efektivitetin e ambasadave tona, një hartë të detajuar do ta kemi gati brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti”, deklaroi Bushati.