Ministri i Transporteve dhe Punëve Publike, Sokol Olldashi akuzoi sot kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama si dirigjentin e çështjes së quajtur, skandali i reklamave shtetërore. Sipas Olldashit, skandalet janë kryer nga kryesocialisti që shpenzoi paratë e Tiranës për reklama në disa media, kryesisht lokale.
“U bënë disa ditë që z. Rama është bërë dirigjent i një pocaqie politike që synon t’iu mbushë mendjen shqiptarëve që qeveria ka bërë “hatanë” me reklamën shtetërore.
Deri dje, peshën e marrëzisë e ka mbajtur mbi kurriz z.Shalsi, por, duke qenë se pesha e marrëzisë u bë më e madhe se ç’duhet, sot z. Rama doli vetë në skenë. Ndaj, për hir të transparencës ndaj qytetarëve, sikurse kemi bërë gjatë gjithë këtyre ditëve, unë dua të bëj disa sqarime.
Së pari, motivet pse ky gjoja “skandal” është hedhur në treg nuk kanë të bëjnë aspak me reklamën shtetërore, por kanë të bëjnë më disa interesa të ngushta të dy personazheve. Interesa shume të ngushta ekonomike të z.Koço Kokëdhima dhe interesa shumë të ngushta të z. Besnik Sula”, ka akuzuar ministri Olldashi. Më tej kreu i MTPP-së është ndaluar në atë që e ka quajtur abuzim të Bashkisë së Tiranës, në kohën që drejtohej nga Edi Rama. Sipas tij, Rama i ka publikuar reklamat vetëm në gazeta klientësh, spotet në televizionet e klientëve të tij apo të kontrolluar politikisht
“A ka reklama qeveritare apo bashkiake të dhënë për gazetën “Zëri i Popullit” në vitet e qeverisjes së PS? Ka! Edhe nga kjo ministri, që unë drejtoj, në vitet kur ajo drejtohej nga Spartak Poçi i janë dhënë njoftime shpronësimi gazetës “Zëri i Popullit”. (Z Poçi mund të rri krejt i qetë, sepse nuk kam ndërmend të depozitoj asnjë kallëzim penal ndaj tij sepse nuk ka shkelur ligjin. Është në respektim të ligjit edhe kur i ka çuar njoftimet e shpronësimit tek “Zëri i Popullit”. Nuk e ka shkelur ligjin).
A i ka dhënë bashkia e Z. Rama para gazetës së partisë? I ka dhënë, por këtu ka një keqkuptim të pazakontë te qytetarëve. Sepse, ata mendojnë që gazeta e partisë së z. Rama është “Zëri i Popullit”. Në fakt gazeta “Zëri i Popullit” është gazeta e socialistëve shqiptarë, ndërkohë që z. Rama përfaqëson lëvizjen “Dum Bab-iste” në Partinë Socialiste dhe organi zyrtar politik i lëvizjes së z. Rama brenda PS është gazeta “Shekulli”, e cila vetëm në 5-vite ka marrë nga bashkia e z.Rama 98 milion lekë. Ju përmenda tre gazeta të afërta me kryetarin e Partisë Socialiste, me nje vlerë prej rreth 300 milionë lekësh.
Ministria e Punëve Publike, nga 2005 deri më sot, ka dhënë rreth 700 apo 800 milion lekë të vjetra njoftime shpronësimesh. Nuk janë reklama, por njoftime shpronësimesh. 11.000 qytetarë shqiptarë, të cilëve 10.000 km rrugë ju kanë prekur pronat. A mund të më thotë ndokush, këto 300 milionë lekë pra, që janë sa gjysma e njoftimeve për shpronësim, për çfarë i ka paguar z. Rama?!
Tek llogaria që ju përmenda, tek pjesa që i përket gazetës “Shekulli” nuk përmenda 1 miliard e 247 milion lekë detyrime fiskale të z. Koço Kokdhima dhe të 14 kompanive të tij, të fshira nga regjistri fiskal i bashkisë. Nuk po hyjë më thellë sot. Edhe për këtë, nëse z.Rama ka ndonjë pyetje, jam i gatshëm t’i përgjigjem, në çdo kohë.
Le të shikojmë pak se çfarë ndodh me spotet.
Te marrim vitin 2005. Transmetimet e spoteve janë të bëra të gjitha nga Delta Publicity dhe janë prodhuar nga MC Monitoring. Në pamje të parë nuk ka asgjë të cuditshme. Por, po t’i referehemi regjistrave të QKR-së, del që është e njëjta kompani, me të njëjtët ortakë, brenda të cilëve është ish- drejtori i galerisë së Arteve në kohën që z. Rama ishte ministër Kulture, mik i afërt i Z. Rama, z. Edi Muka. Këtu paraqiten me emra të ndryshëm në fakt janë e njëjta kompani me të njëjtët ortakë”, ka akuzuar Olldashi.
3 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)