Mynyr-Koni-2Kërcënimi. Dëshmitë e Mynyr Konit dhe Dhori Kules në prokurori dhe hetimet nga denoncimi i Berishës, deri në “tërheqjen” e akademikëve


PROKURORIA


Profesorët – Koni dhe Kule u thanë prokurorëve se nuk kishin arritur t’ua dallonin fytyrat kërcënuesve të tyre dhe s’përmendën Shullazin


Parkingu – Çështja e një parkingu 300 mijë eurosh u bë provë. Jani Zaka bleu një parkim privat dhe më vonë ish-pronari i tha se ia bleu lirë


Biznesmenët – Disa emra biznesmenësh dolën në media, si të kërcënuar dhe të gjobitur nga Shullazi, por asnjëri nuk ka bërë denoncim


Dhori Kule ne prokuroriParaqitja e rektorit të sapozgjedhur të Universitetit të Tiranës në zyrat e prokurorëve, nuk u shërbeu hetuesve në krijimin e një ideje rreth kërcënuesve, pasi Koni deklaroi se nuk mbante mend asgjë. Mynyr Koni, jo vetëm që nuk e përmendi me emër Emiljano Shullazin, por bashkë me ish-rektorin Kule tha se nuk i kishte fiksuar fytyrat. Kësisoj, referuar deklaratës së vetme për këtë çështje, asaj të ish-kryeministrit Berisha, mbetet një enigmë e madhe se kush e kërcënoi në të vërtetë ish-kandidatin Koni, pak ditë para zgjedhjeve akademike. Ndër provat që ka Prokuroria e Krimeve të Rënda për Shullazin, përfshihet edhe dyshimi për kanosje, për shkak të detyrës, motiv i cili pat shërbyer fillimisht për shoqërimin e 38-vjeçarit dhe dy të tjerëve. Kjo “tërheqje” e beftë e Konit dhe Dhori Kules, në fakt nuk ndryshon nga heshtja totale e biznesmenëve, për të cilët u përfol se ishin kërcënuar dhe gjobitur nga këta persona. Kushëriri i Shullazit që ka të njëjtin mbiemër me të, Blerimi, edhe ai 38 vjeç, si dhe shoku i vjetër i tij, Gilmando Dani, ndodhen pas hekurave, kurse prokuroria ka shtrirë hetime, bazuar në gjashtë akuza.


Dëshmitë e rektorëve


Për afro dy orë, Mynyr Koni dha dëshminë e tij, duke këmbëngulur, ashtu siç kishte bërë edhe para Policisë së Tiranës, se nuk i njihte personat që e kërcënuan për t’u tërhequr nga gara. Nga burimet pranë grupit hetimor mësohet se mes të tjerave ai është shprehur se “nuk i fiksova fytyrat e tre personave që më urdhëruan të hipja në makinën e tyre, njëri prej atyre, ai që ishte në sediljen e pasme, më kërkoi të tërhiqesha nga gara e mandej me urdhëroi të zbrisja nga makina”. Në kohën kur prokurorët po e pyesnin nëse ndonjëri prej personave që e kishte kanosur ishte apo jo Emiljano Shullazi, profesor Koni është përgjigjur se “nuk e mbaj mend, pasi u tremba”. Nga ana tjetër, për të dhënë dëshminë e tij, u paraqit edhe ish-rektori Dhori Kule, i cili është personi që Koni i kishte treguar për kërcënimin. Gjithashtu, ish-rektori u pyet edhe për kërcënimin e kryer ndaj tij pranë një hoteli në Tiranë. “Më ndaluan tre djem dhe më thanë ‘mos e mbështet Konin në garë’. Unë nuk bëra kallëzim, sepse nuk njoha asnjërin prej tyre”, mësohet të ketë rrëfyer profesor Kule. Prokuroria pritet të thërrasë edhe dy biznesmenë që, sipas SHISH-it, u është vendosur gjobë nga Shullazi. Ndërkohë që ende nuk e ka gjetur adresën e njeriut kyç në këtë dosje, shtetasit Jani Zaka, dëshmitarit që ka treguar konfliktet për një parking në Tiranë.


Denoncimi dhe hetimet


Vetëm pak orë para se pedagogët të votonin për liderin e ardhshëm të Universitetit të Tiranës, ish-kryeministri Sali Berisha mblodhi gazetarët për t’iu thënë se profesor Mynyr Koni, të cilin ai tha se nuk e njihte, ishte ndaluar me tre makina sapo zbriti shkallët e punës së tij. Sipas Berishës, në njërën nga mjetet ndodhej Emiljano Shullazi, i cili e kishte kërcënuar drejtpërdrejt Konin, duke i thënë të tërhiqej. Koni, që në fillim, u tha policëve, të cilët vepruan pas mesnate duke ndaluar Shullazin, se nuk ia kishte dalluar fytyrën kërcënuesit, por edhe nëse do ia dallonte nuk e njihte atë. Opinioni publik u duk sikur anoi për nga Koni, por të tjerë e akuzuan atë. Shullazit i kaloi afati i ndalimit dhe ndaj tij u zhvilluan hetime me masë arresti, derisa doli përpara Gjykatës së Krimeve të Rënda, e cila gjithashtu çmoi se 38-vjeçari dhe dy të tjerët duhet të qëndronin në burg. Gjatë kësaj kohe, prej magjistratëve u operua kryesisht referuar denoncimeve të kushërinjve Jani Zaka dhe Mitri Prifti. Çështja e një parkingu 300 mijë eurosh u bë provë, por interpretimet ishin të ndryshme. Jani Zaka bleu një parkim privat dhe më vonë ish-pronari i tha se ia bleu lirë. Për policinë, Prifti, me profesion noter, kur denoncoi kërcënimin për parkingun tha se “Blerim Shullazi më tha: Do të më qash në duar”, kurse në një intervistë të mëvonshme u shpreh se “mesa di unë Shullazi ndërhyri miqësisht për të shuar konfliktin me Jani Zakën, kushëririn tim”. Kështu, Prifti mbajti versionin e Alban Qafës, avokatit mbrojtës të Shullazit, i cili tha pak a shumë të njëjtat fjalë. Disa emra biznesmenësh dolën në media, si të kërcënuar dhe të gjobitur nga Shullazi, por asnjëri nuk ka bërë denoncim dhe madje as nuk është pyetur tanimë në prokurori. Marrja e një pjese të ish-hotel “Vollgës” prej Emiljano Shullazit mbetet njëra prej çështjeve që po hetohet nga prokurorët.