Ndërsa vendi digjet, zyrtarët modernizojnë zyrat
ARD KOLA
Vatrat e shumta të zjarrit nga veriu në jug kanë rikthyer situatën emergjente në qeverinë shqiptare, pas atyre të përmbytjeve në fillim të vitit nga reshjet e shumta. Prej më shumë se dy javësh, mbi 32 vatra zjarri vijojnë të djegin me qindra hektarë pyje, ndërsa menaxhimi i situatës sa vjen dhe bëhet më i vështirë.
Informacionet e marra në terren tregojnë se po punohet me kushte të vështira, me mjete rrethanore, pasi dhe fondet nuk janë të gjitha në dispozicion. Qeveria e shpenzoi të gjithë rezervën në fillim të këtij viti për nevojat e korporatës elektroenergjektike, në masën 2 miliardë lekë, duke ruajtur vetëm fondin e kontigjencës, prej 2.6 miliardë lekësh për ruajtjen e deficitit buxhetor.
Pa shumë fonde dhe me kushte të rënduara operacionale, tashmë qeveria shikon nga qielli, ku vetëm shiu mund t’i bëjë ballë furisë së zjarreve nga të katër anët e vendit. Në vështirësi duket edhe KESH-i, i cili prej dy muajsh lutet për shi, pasi Fierza po thahet dhe vendi rrezikon kufizime në javët e ardhshme.
E ndërsa grupet vullnetare dhe inspektorët po punojnë me çfarë të mundin, zyrtarët e shtetit shqiptar nuk i kanë ndalur shpenzimet për modernizimin e zyrave dhe ambienteve të pushimit. Disa ministri kanë nisur në korrik rikonstruksionin e zyrave, me motivacionin se ishin të vjetra. Pavarësisht se buxheti i lëshon fondet me pikatore, zyrtarët nuk kanë ndalur planin e projekteve. Për Presidentin Bujar Nishani do të shpenzohen 50 milionë lekë për rikonstruksionin e vilës, po aq u hodhën edhe për vilën e pushimit të qeverisë në Vlorë.
Ministria e Financave, pas zyrave të reja me mobilie moderne, me vlerë mbi 12 milionë lekë, tashmë po shpenzon edhe 34 milionë lekë të tjera për sallën e konferencave. Fronte pune janë hapur edhe në Ministrinë e Jashtme, me vlerë 14 milionë lekë.
Kjo është njëra anë e luksit të zyrtarëve të vendit, ndërsa Shqipëria po digjet. Argumenti i shpenzimeve të ministrave lidhet me situatën emergjente të zyrave, të vjetra prej 10 vitesh dhe ku ishte pakëndshme të punohej me mobilie dhe parket të dalë jashtë mode. Janë afro 100 milionë lekë të shpenzuara për komoditete, për të mos thënë për blerjet e helikopterëve të Kryeministrit apo për makinat blind, të cilat do të mjaftonin për të menaxhuar sa më mirë gjendjen kritike të krijuar nga zjarret.
Për menaxhimin e pyjeve nga zjarret qeveria ka vendosur vetëm 50 milionë lekë, që sipas specialistëve nuk mjaftojnë. Ndihmat nga fqinjët mungojnë, pasi janë vet në vështirësi, ndërsa situata po mbahet me mjete rrethanore dhe forcat vullnetare. Në dispozicion të Ministrisë së Mjedisit dhe Pyjeve janë vetëm 6 zjarrfikëse të përshtatshme për terrene malore, të blera në vitin 2004 dhe që aktualisht, për shkak të amortizimit, ndodhen në kushte pune jo komode. Aktualisht nuk ka informacion zyrtar se më çfarë fondesh po menaxhohet situata, por pamjet në televizione dhe kronikat e shumta tregojnë qartë pamjet e fikjes së zjarreve me këmbë, me lecka rrobash, me degë peme dhe me kova uji.
Qeveritërt injorojnë situatën me zjarret duke argumentuar se ndërtimi i zyrave është i domosdoshëm
Rastet
Ambientet – Ministria e Financave, pas zyrave të reja me mobilie moderne, me vlerë 12 milionë lekë, tashmë po shpenzon edhe 34 milionë lekë të tjera për sallën e konferencave
Vilat – Për Presidentin Bujar Nishani do të shpenzohen rreth 50 milionë lekë për rikonstruksionin e vilës, po aq u hodhën edhe për vilën e pushimit të qeverisë në Vlorë
Komoditetet – Janë afro 100 milionë lekë të shpenzuara për komoditete, për të mos thënë për blerjet e helikopterëve të Kryeministrit apo për makinat blind, tepër moderne
Kova 20 litra mbi kurriz për zjarret në male, mungon ndihma nga ajri
“Dajti” u dogj nga kallashnikovi, një inspektor ruan 5 mijë ha pyll
Pse dhe si vijon të digjet mali i “Dajtit”? Specialistët në terren, në varësi të Ministrisë së Mjedisit japin një sqarim. “Nuk është një, por disa vatra. Janë shuar dhe sërish ndizen, ndërsa puna vijon gjithë ditën deri në mbrëmje”, thotë një zyrtar i ministrisë. Ai tregon detajin se zanafilla e rënies së zjarrit në Dajt ishte goditja me plumba gjurmëlënës përmes kallashnikovit te pishat e thata, duke shkaktuar vatrën, e cila u përhap.
Menaxhimi i pyjeve është një çështje komplekse. Prej tre vitesh, një pjesë e mirë e pyjeve është pronë e komunave, të cilat, sipas ligjit, kanë përgjegjësinë për t’i ruajtur dhe në rast dëmtimesh nga zjarri, duhet ta paguajnë vet faturën e menaxhimit të emergjencës. Nga 300 hektarë pyje të djegura, rreth 60 për qind është në pronësi të komunave, të cilat nuk kanë pasur mjete në dispozicion për t’i shuar dhe as fonde.
E gjithë situata po kontrollohet nga Ministria e Mjedisit, Ministria e Mbrojtjes dhe ajo e Brendshmja me anë të Shtabit të Emergjencave Civile. Në dispozicion është vetëm një helikopter dhe 6 zjarrfikëse të përshtatshme për terrene malore.
“Punohet duke mbajtur kova 20 litrash mbi kurriz, duke ngjitur malin dhe duke luftuar me zjarrin. Pakkush e di si punohet në mal, rrezik dhe vështirësi, sikurse duhet kuptuar edhe mentaliteti i punonjësve dhe i banorëve të zonës”, tregon një specialist i Policisë Pyjore.
Numri i punonjësve për ruajtjen e pyjeve duket i pamjaftueshëm. Normativja, në varësi të terrenit dhe pozicionit gjeografik llogaritet një inspektor për 3 deri në 5 mijë hektar pyll. Fondet gjithashtu nuk mjaftojnë. Për të gjithë vitin buxheti i shtetit ka parashikuar fondin prej 50 milionë lekësh, brenda të cilit duhet llogaritur edhe emergjenca nga zjarri.
A.Kola
Opozita
Qeveria u kap “gafil”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama reagoi sërish dje mbi situatën e krijuar në vend nga zjarret, duke e cilësuar si gjendje alarmante. Në profilin e tij ne Twitter, Rama akuzoi qeverinë për situatën, duke kujtuar se humbjet e sipërfaqeve në 7 vite janë të shumta, aq sa nuk kanë humbur në 100 vite shtet.
Ai ka akuzuar direk Kryeministrin për këtë situatë. “Shqipëria digjet, Kryeministri krihet! Zjarret përpijnë përditë pyje të tërë në mungesë të shtetit, qeveria di veç të fajësojë opozitën”, shkruan Rama. Sakaq, po dje reagoi edhe n/kryetari i Komisionit Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese, deputeti i PS-së, Eduard Shalsi. “Çdo vit qeveria shqiptare kapet “gafil” si pasojë e mosmarrjes së asnjë mase paraprake parandaluese. Do të mjaftonte një shikim i shpejtë i vatrave dhe i menaxhimit të tyre për të kuptuar nivelin mjeran në të cilën gjenden parashikueshmëria, parandalueshmëria dhe aftësia menaxhuese e situatës së zjarreve nga ana e qeverisë shqiptare”.