A do të kujdeset superbanka të ruajë objektivin e inflacionit?


Duke rrezikuar zemërimin e politikanëve, si dhe reputacionin që është fituar me shumë vështirësi për bankën qendrore si rojë e inflacionit, tri zyrtarë të lartë të Rezervave Federale po hartojnë plane për të rritur punësimin dhe në mënyrë eksplicite, të lejojnë inflacionin të rritet përtej objektivit zyrtar prej 2 për qind.


Investitorët aktualisht janë duke hamendësuar se sa shumë dhe për sa kohë FED mund të lejojë rritjen e inflacionit me synimin për të nxitur huamarrjen, investimin dhe punësimet. Në teori, kur më shumë njerëz punojnë, realizojnë më shumë prodhim, gjë që mund të mbyllë hendekun mes potencialit prodhues dhe nivelit aktual të prodhimit.


“Gjuha trupore e FED qartësisht tregon se prodhimi aktual është më i ulët se sa potenciali dhe se ata janë të gatshëm të rrezikojnë inflacionin për të zgjidhur problemin”, thotë Bluford Putnam, kryeekonomist.


FED e reduktoi interesin bazë pranë zeros gati katër vite më parë dhe që nga ajo kohë ka blerë rreth 2.3 miliardë dollarë tituj borxhesh për të nxitur ekonominë, gjë që e ka dërguar politikën monetare në territore të paeksploruara më parë. Për shkak se ekonomia amerikane është ende duke u rimëkëmbur shumë ngadalë, FED njoftoi muajin e kaluar se do të blejë bonde vazhdimisht deri sa tregu i punës të përmirësohet në mënyrë thelbësore. Kjo mund të sjellë rritje të inflacionit, i cili aktualisht është nën 2 për qind.


Që nga ajo kohë, debati ka filluar mbi faktin se cili mund të jetë objektivi i ardhshëm i pranueshëm i inflacionit. Presidenti i FED të Mineapolis thotë se e toleron idenë e një inflacioni 2.25 për qind, ndërsa ai i San Franciskos pranon 2.5 për qind. Çikago beson se nën 3 për qind është në rregull. Diskutimi tjetër është nëse FED do të jetë në gjendje të përmbajë inflacionin kur të vijë koha, ndërsa investitorët po punojnë për të rregulluar llogaritë e veta në përputhje me normën e re.