Deputeti i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, Dashamir Tahiri, ka kërkuar nga kolegët të tij të votojnë rezolutën çame. Sipas tij do të jetë e turpshme nëse ata që e quajnë veten shqiptarë nuk e marrin në konsideratë këtë rezolutë të propozuar nga dy deputet e PDIU-së.
“Doja të falenderoja të gjithë që kanë kontribuar, por veçanërisht presidentin. Edhe kryeministri Berisha e ka kërkuar çështjen çame që në 1991. U kërkova mbështetje gjithë deputetëve dhe mendoj se do jenë dhe ata pjesë e votimit. E shikoj situatën dhe nuk asgjë më shumë sa u takon çamëve, pronat e tyre. Unë e kam thënë se në Parlamentin shqiptar ka shqiptarë dhe do ishte e turpshme për këdo që do e votonte kundër”, ka deklaruar Tahiri, jashtë ambienteve të Parlamentit.
Rezoluta
Rezoluta çame e dorëzuar në Kuvend pak javë më parë nga deputetët Shpëtim Idrizi dhe Dashamir Tahiri, përmban 13 pika. Rezoluta kërkon që Greqia të njohë gjenocidin e kryer ndaj shqiptarëve çamë, të njohë të drejtat themelore të tyre dhe të restaurojë këto të drejta sipas parimeve të legjislacionit ndërkombëtar mbi gjenocidin, spastrimin etnik, procesin e rregullt ligjor, mosdiskriminimin mbi bazë të kombësisë, e parimet e tjera të ndërlidhura me to, si dhe frymën e Traktatit të Miqësisë midis dy vendeve. Në këtë projektrezolutë, gjithashtu kërkohet që nëpërmjet njohjes së të drejtave të shtetasve shqiptarë – ish-shtetas grekë, të rivendosen të drejtat, që nga riatdhesimi dhe njohja e së drejtës së pronësisë dhe së drejtës së pakicës etnike.
Një tjetër pikë shumë e rëndësishme e draftit të rezolutës është kërkesa për shfuqizimin e ligjit famëkeq të luftës që ende Greqia e njeh në marrëdhëniet me Shqipërinë, që mban në sekuestro konservative të gjithë pronat e shqiptarëve nga krahina e Çamërisë. Në projektrezolutë, kërkohet që qeveria shqiptare të ngrejë menjëherë komisionet dypalëshe me Greqinë për të zgjidhur këtë çështje, duke detyruar Ministrinë e Punëve të Jashtme që të mbrojë të drejtat e shqiptarëve në Greqi, të cilët janë të padëbuar nga spastrimi etnik që ndodhi në fund të luftës. Projektrezoluta kërkon gjithashtu që të ngrihen në dy qendrat e rëndësishme të krahinës së Çamërisë, Paramithi dhe Filat, dy lapidarë që do të përkujtojnë gratë, pleqtë e fëmijët, viktima të pafajshme të krimeve të kryera nga njësitë paramilitare greke.
27 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)