PDIU---11_8Shoqata “Çamëria” dhe PDIU po zhvillon një protestë përpara dyerve të parlamentit në mbështetje të rezolutës çame. Protesta u paralajmërua dy ditë më parë nga kreu i kësaj shoqate, Ardian Tana, sipas të cilit miratimi i kësaj rezolute, duhet të jetë në plan të parë pas 70 vjetësh nëpërkëmbjeje dhe heshtjeje ndaj çështjes çame. Sipas tij, kjo zvarritje e pajustifikuar nuk mund të pranohet nga asnjë shqiptar.


Kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi  kërkoi nga deputetët që të votojnë rezolutën për Çamërinë.


“Partitë e mëdha po hynë në garë për miratimin e Rezolutës, por shqiptarët e Çamërisë nuk kanë nevojë për konfirmim, por kanë nevojë për zbatim të çdo pike të këtij dokumenti”, tha Idrizi.  Ai theksoi se sot duhet nxjerrë ‘Kali i Trojës’ nga Parlamenti shqiptar, duke theksuar se rezoluta çame është kauza e të drejtës qytetare të çdo shqiptari.

“Ne mund të falim, por nuk mund të harrojmë. Drejtësia, ndershmëria, paqja janë ato që ndërtojnë fqinjësinë

e mirë. Ne kërkojmë riaktivizimin e Traktatit të Miqësisë. Ne kërkojmë që t’i japim Parlamentit shqiptar dinjitet”, tha Idrizi.


Protestën e përshëndeti dhe Adem Demaç, i cili u shpreh se shqiptarët ashtu si kosovarë nuk duhet të heqin dorë nga të drejtat e tyre.


“Ne kur ishim për burgjet serbe e kemi kujtuar motrën tonë Çamëri dhe fatin e zi të popullit që mbeti rrugëve të botës. Sot fryjnë erëra të tjera, ky është shekulli i shqiptarëve dhe në fund të fundit do jemi fitimtar, por nuk duhet të heqim dorë nga të drejtat tona për liri dhe barazi”, tha Demaçi.


11 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)