Vendimi i qeverisë për autorizimin e kompanive që do të trajtojnë rreth 30 mijë tonë mbetje nga importi dhe polemikat që ka hapur ky vendim, ka zgjuar edhe një përplasje të re ndërmjet grupit të interesit, që përfaqëson biznesin e mbetjeve dhe nënkryetarit të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Erjon Braçe. Shoqata e Ricikluesve ka bërë një deklaratë diversioni, ku kërkonin qëndrimin zyrtar të PS-së, ndërkohë që Braçe ka “rënduar” dorën, duke ironizuar edhe lidershipin e PS-së. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, ka deklaruar se po kërkon të gjejë lidhjet politike të lobit të importit të mbetjeve si në qeveri, ashtu edhe në opozitë.
Ricikluesit
Shoqata e Ricikluesve të Shqipërisë, përmes një deklarate për shtyp, ka deklaruar se ata mbështesin investimet e huaja në fushën e riciklimit në fund. Ata thonë se kjo industri në Shqipëri po asfiksohet nga mungesa e lëndëve të para. Edhe pse shumëkush në Shqipëri ankohet se plehrat dhe mbeturinat gjenden ngado, ricikluesit thonë se ato nuk mjaftojnë për industrinë e tyre. Në deklaratën e tyre ata thonë se shpresojnë se qëndrimet e Erjon Braçes për këtë çështje të jenë personale. “Industria e riciklimit po asfiksohet nga mungesa e lëndëve të para për arsye se ato nuk gjenden mjaftueshëm brenda vendit, për shkak të mungesës së ndarjes në burim të mbetjeve. Shoqata e Ricikluesve është në mbështetje të plotë të investimeve të huaja në fushën e riciklimit në vendin tonë. Shpresojmë që prononcimi i deputetit të Partisë Socialiste, Erjon Brace, të jetë opinioni i tij personal dhe jo qëndrim politik i PS-së. Ne kërkojmë që klasa jonë politike e çdo krahu qoftë ajo, të inkurajojë investimet e huaja në Shqipëri dhe të konsiderojë industrinë e riciklimit si prioritare dhe pasuri të çmuar kombëtare,” tha Bardhyl Balteza, kryetar i kësaj shoqate. “Shoqata e Ricikluesve të Shqipërisë kërkon me forcë nga qeverisja qendrore dhe pushteti vendor të aplikojë sa më parë menaxhimin e integruar të mbetjeve në vendin tonë sipas ligjit të miratuar për këtë çështje, gjë që do të sillte përfitime mjedisore dhe sigurim të lëndëve të para për këtë industri”. Deklarata e ricikluesve thekson më tej se “Shoqata e Ricikluesve ka parim të rëndësishëm transparencën maksimale në aktivitetin e saj dhe fton të gjithë aktorët e interesuar, politikanët, politikëbërësit, shoqërinë civile, ambientalistët dhe këdo që ka dëshirë, të vijë të na vizitojnë dhe të njihet nga afër me aktivitetin tonë”.
Braçe
Deputeti socialist, Erjon Braçe, ka reaguar në lidhje me akuzat e ricikluesve të plehrave, të cilët shpreheshin se shpresonin që Braçe të mos flasë në emër të PS-së. Sipas Braçes, ai flet në emër të socialistëve, të qytetarëve që përfaqëson. Ndërkohë, ai ka ironizuar me kreun e PS-së, Edi Rama dhe Erion Veliajn, duke thënë se në emër të PS-së flasin këta të fundit. Nënkryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, shkruan në faqen e tij zyrtare në rrjetet sociale: “Tregtarët e importit të plehrave (mbetje i quajnë ata) kundër Erjon Braçes. Epo shyqyr! Po ku ishit fshehur më parë? Tani që morët lejet e para, u bëtë publikë, siç jeni, serbë, turq, belgë, italianë, etj. Ju njoh të gjithëve, ju kam në listë, ua di lidhjet ekonomike dhe politike. Do të përballemi patjetër. Si thoni, ‘shpresojmë që Erjon Braçe të mos flasë në emër të PS-së’? Qenkeni në një mendje me të në PS! Një përgjigje kam: “Unë flas në emër të socialistëve, qytetarëve që përfaqësoj. Interesi i tyre është Shqipëria pa plehra, vendi dhe importi.
Në emër të PS-së flet kryetari Edi Rama dhe ndonjëherë edhe Erjon Veliaj”.
“Ne kërkojmë që klasa politike të konsiderojë industrinë e riciklimit si pasuri të çmuar kombëtare”
“Ju njoh të gjithëve, ju kam në listë, ua di lidhjet ekonomike dhe politike. Do të përballemi patjetër”