Reforma
Prishet konsensusi për reformën zgjedhore. Mazhoranca kundërshton çeljen e materialeve zgjedhore
Rusmali i është drejtuar socialistëve “hiqeni nenin 116/6 dhe hajde të merremi vesh pastaj për reformën zgjedhore”
BLEDAR HOTI – Kur duhen edhe dhjetë ditë për t’u mbyllur afati i reformës zgjedhore, PD dhe PS i largohen konsensusit për ndryshimin e Kodit Zgjedhor. Apeli i komisionerit për Zgjerimin, Stefan Fule, në Parlamentin shqiptar për konsensus mes palëve, duket se ka rënë në vesh të shurdhër te dy partitë e mëdha, të cilat dje “shkelmuan” një draft ku socialistët pretendojnë se kishin rënë paraprakisht dakord me PD-në. Gjithçka lidhej me faktin nëse duhen hapur kutitë e materialeve zgjedhore nga ZAZ-të, në rast se konstatoheshin parregullsi. E gjithë përplasja mes socialistëve dhe demokratëve lidhet me nenin 116, pika 6, ku parashikohej që në rast se konstatohen parregullsi, VNV-të të realizojnë verifikimin e materialit. “Kutitë e materialeve të votimit hapen në KQZ gjatë fazës së shqyrtimit të ankimit, në përputhje me nenet 136 dhe/ose pika 1 e nenit 138 të Kodit nëse provat e kërkuara administrohen në kutinë e materialit të votimit, si dhe kur: a. Ka mospërputhje mes numrit të fletëve të gjetura në kuti dhe votuesve që kanë marrë pjesë në zgjedhje, bazuar në të dhënat e Procesverbalit të Mbylljes së Votimit; b. Kur zgjedhjet janë zhvilluar pa përdorur pajisjet e verifikimit dhe regjistrimit, sipas nenit 100/1 apo kur pajisja nuk ka funksionuar, në përputhje me pikën 3 të nenit 100/3 të këtij kodi; c. Kur ka të dhëna për parregullsi të shënuara në Procesverbalin e Mbylljes së Votimit, ose Librin e Protokollit të QV-së, nga vëzhguesit ose anëtarët e KQV-së; ç Kur ka të dhëna për parregullsi të pasqyruara në Librin e Protokollit të KZAZ-së gjatë ditës së votimit ose të konstatuara në KZAZ gjatë procesit të verifikimit ose numërimit; d. Kur gjatë hapjes së materialit të votimit, sipas pikës 3 të këtij neni, janë vërejtur mangësi në dokumentacionin e QV-së, sipas pikës 6 të nenit 113 të Kodit; ose
dh. Në çdo rast tjetër për nevoja të hetimit administrativ gjatë shqyrtimit të ankimeve”, thuhet në pikën 6 të nenit 116 të Kodit. Pikërisht ky nen, veçanërisht pika b, që përfshihet në kreun V të Kodit Zgjedhor, te Verifikimi i Materialeve Zgjedhore shkaktoi mbi tri orë debat mes anëtarëve të komisionit. Përfaqësuesit e PD-së, në mbledhjen e komisionit, kanë këmbëngulur që kutitë e votimit nuk mund të hapen pa një vendim të KQZ-së, e se sanksionimi i një dispozite të tillë mund të sjellë kaos të procesit. Sipas burimeve në mbledhje, bashkëkryetari i komisionit, demokrati Ilir Rusmali, i është drejtuar socialistëve “hiqeni nenin 116/6 dhe hajde të merremi vesh pastaj për reformën zgjedhore”. Por socialistët kanë deklaruar se kjo gjë i jep një garanci procesit dhe se heqja e tyre i kthen prapa në kohë, si proces zgjedhor. PD konteston hapjen e kutive, nëse nuk përmbushen njëkohësisht të gjitha kriteret që renditen në pikën 6, duke insistuar se ato nuk mund të hapen vetëm për një nga pikat. Demokratët e kanë cilësuar si një përfshirje tinëzare nga ana e PS-së të një sanksionimi të tillë. Por socialistët i kanë cilësuar si një tërheqje të mazhorancës për një diçka që kishin rënë dakord muaj më parë. Në mbledhjen e djeshme, palët kanë miratuar me konsensus rreth 30 nene. Pas shumë orë debatesh, palët kanë rënë dakord që të mblidhen sërish të martën për të vendosur në lidhje me nenin problematik që prishi konsensusin mes PD-së dhe PS-së. Palët kanë vendosur që shpallja e rezultatit nga KZAZ të dalë një ditë pas votimit, pikërisht të nesërmen, në orën 17:00. Gjithashtu është vendosur që të merren në konsideratë edhe fletët e hedhura gabimisht në kutitë e votimit. Gjithashtu është parashikuar dhe mënyra se si do të procedohet, në rast se votat nuk numërohen nga makineritë, por mekanikisht, me dorë.
Ngjarja
Numërimi: Komisioni i Reformës Zgjedhore do të duhet të kalonte në mbledhjen e djeshme mbylljen e procedurave të numërimit të votave
Ngecja: Partia Demokratike nuk ka pranuar që të hapen kutitë e materialeve zgjedhore, nëse do të ishte e nevojshme nga procesi
Materialet: Kutia e materialeve zgjedhore përmban procesverbalet, listat e votimit bashkë me firmat e votuesve dhe numrat e kartave të identitetit
Problemet: Edhe në rastin “Ruzhdie” të 2009-s dhe rastit “Dajç” të 2011-s, manipulimi i zgjedhjeve u zbulua vetëm nga kutia e materialeve zgjedhore
Rezultati: Tabela Përmbledhëse e Rezultatit të Zgjedhjeve për ZAZ hartohet nga KZAZ-ja, jo më vonë se ora 17:00 e ditës së nesërme të votimit
Të Vegjlit: Eksperti i PD-së, Bylykbashi, ka shuar shpresat e të vegjëlve për shqyrtimin e nismës së 26 partive për korrektimin e sistemit zgjedhor
Gjiknuri: PD u tërhoq papritur nga konsensusi
Bashkëkryetari i komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore, socialisti Damian Gjiknuri, deklaroi në një konferencë për shtyp se “në mënyrë krejt surprizë, krejt të paparashikuar, z. Rusmali kundërshton një tekst që ka gati mbi një javë që është negociuar dhe është rënë dakord”. “Zotërinjtë sot, në mënyrë krejt të papritur, jam shumë i zhgënjyer nga kjo, e mohojnë këtë, nuk është teksti që kemi rënë dakord thonë. Ndërkohë që të gjithë komunikimin mjafton që të shkoni e të pyesni z. Viktor Gumi si sekretar i komisionit apo dhe personat mbështetës të këtij komisioni, çfarë teksti kemi shpërndarë përpara deputetëve në komision. Unë kam tekstin që ka shpërndarë grupi i ekspertëve të komisionit. Ky tekst ka mbi një javë që është në duart e Komisionit dhe kur sot, krejt papritur PD heq dorë. Nuk e kuptojmë se çfarë ka ndodhur, pse është ky qëndrim. A është qëndrim taktik, që do të prishë një konsensus të arritur. Puna po shkonte drejt përfundimit dhe unë nuk di ç’të them po jam pa fjalë”, tha Gjiknuri. Por nga ana tjetër, eksperti i PD-së, Oerd Bylykbashi, akuzoi socialistët për një futje tinëzare të propozimeve të neneve. “Është rënë dakord që materiali zgjedhor të mos hapet në qendrën e numërimit, veç rasteve kur konstatohen mangësi dokumentare dhe materiali zgjedhor do të hapet në KQZ vetëm kur do të ketë ankim dhe kur materiali zgjedhor përmban provat që kërkohen”, tha ai.
