Nga dëshmitë e të penduarit të bandës së grabitësve të Rinasit, Alkond Bengasi, del se dy “kokat” e grupit, Admir Murataj (i vrarë) dhe Klement Çala, edhe pse ishin shpallur në kërkim nga policia, qarkullonin pa problem.


Sipas tij madje, dy anëtarët, përveç se ishin edhe fqinj, pasi banonin te Liqeni i Thatë në Tiranë, lëviznin gjithnjë të armatosur.


“Dua të shpjegoj se Klement Çala kishte një banesë afër shtëpisë time te Liqeni i Thatë, si dhe Klementi më ka thënë se edhe “daja” që nënkuptonte Admir Muratajn, e ka shtëpinë përballë pallatit tim në anën tjetër të Liqenit të Thatë”.


Madje sipas dëshmisë së Bengasit, Admir Murataj dhe Klement Çala kanë hapur edhe një restorant në këtë zonë.


Gjithashtu Bengasi ka treguar se Klement Çala dhe Admir Murataj kishin një miqësi familjare me njëri-tjetrin, pasi shpesh herë në banesën e Klementit vinte edhe bashkëshortja e Admir Murataj, Albana, së bashku me dy vajzat e saj.


“Unë e kam parë Albanën të hynte në banesën e Klementit së bashku me Admir Muratajn” thotë me tej në dëshminë tij Bengasi. Gjithashtu ai sqaron se përveç shtetasit kosovar, me nofkën “daja” i thërrisnin edhe Admir Muratajt. Madje ai thotë në dëshminë e tij se Admir Murataj dhe Klement Çala mbanin gjithnjë armë me vete.


“Admiri mbantë dy pistoleta dhe bomba në çantë. Ja kam parë kur me ka kërkuar ti marr njëherë cigaret në çantë. Ndërsa Klementi mbante një armë zjarri pistoletë, tip Glock që ia kishte blerë “dajës” nga Kosova dhe ka thënë që e ka blerë për 2500 euro”, thekson në dëshminë e tij Alkond Bengasi.


Alkond Bengasi, ka mohuar se ka marrë pjesë në grabitjen e Rinasit. Ai ka pranuar vetëm se ka modifikuar mjetin “Hetimi Tatimor” me të cilin grabitësit hynë në pistën e aeroportit. Ndryshimi i sasisë dhe vendosja e një shine të madhe treni në pjesën e përparme të makinës, është kryer në servisin e njërit prej vëllezërve Çala në Elbasan, ku bashkëpunëtori i drejtësisë ishte punësuar.