Gara
Cilët janë dy njerëzit që do të përballen në zgjedhje dhe shanset për fitore
Peleshi – Kryetari aktual i Korçës, Niko Peleshi, është zgjedhur nga kryeministri i zgjedhur, Edi Rama, për të qenë zv.kryeministër i vendit
Avantazhet e PS-së – Socialistët futen në këtë garë me avantazhin e drejtimit të mëparshëm të qytetit, atë të mbështetjes nga LSI dhe fitoren e zgjedhjeve
Dizavantazhet e PD-së – Demokratët do të kenë një garë të vështirë pas humbjes së zgjedhjeve dhe problematikës me PD-në e Korçës, për shkak të garës Basha-Olldashi
Fatjona Mejdini
Partia Socialiste dhe ajo Demokratike kanë përzgjedhur kandidatët e tyre për betejën elektorale që pritet të mbahet në tetor në një bashki të rëndësishme siç është ajo e Korçës. Emërimi i kryebashkiakut të këtij qyteti, Niko Peleshi, si zëvendëskryeministër i ri i qeverisë “Rama”, ka bërë që dy partitë kryesore në vend të përcaktojnë kandidatët e tyre, në mënyrë që këta të fundit të nisin punën elektorale në komunitet. PS-ja ka përcaktuar, nënkryetarin e Bashkisë së Korçës, Sotiraq Filo, si kandidatin e saj për këtë garë, ndërsa PD-ja ka vendosur të kandidojë në qytetin më të madh të Juglindjes, rektorin e Universitetit të Korçës, Gjergji Mero. Duket se PD-ja ka zgjedhur një emër që vjen jashtë klaneve partiake, duke sjellë një emër nga radhët e intelektualëve të qytetit për të bërë të mundur sfidën e komplikuar që ka me PS-në. Përballja e Korçës konsiderohet si e vështirë për partinë kryesore të opozitës, për shkak se kjo bashki vitet e fundit ka votuar majtas. Mbështetja për kandidatin socialist kësaj radhe pritet të jetë edhe më e madhe, për shkak se Lëvizja Socialiste për Integrim, tashmë në aleancë afatgjatë me PS-ë, do ta mbështesë kandidatin Sotiraq Filo. Nga ana tjetër, fitorja e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit nga e majta ka krijuar një “trend” të ri, që vjen në mbështetje të forcave politike që në shtator do të drejtojnë vendin.
PS
Kryetari i PS-së, Edi Rama, ka vendosur t’ia lërë drejtimin e Bashkisë së Korçës grupit fitues të zgjedhjeve të 18 majit 2011, duke zgjedhur nënkryetarin e kësaj bashkie, Sotiraq Filo, si kandidat të PS-së për garën elektorale të qytetit. Filo ka qenë i ashtuquajturi “krahu i djathtë” i kryebashkiakut aktual të Korçës, Niko Peleshi, në nismat e marra për përmirësimin e infrastrukturës së qytetit. Në këtë gjë duket se ka ndihmuar dhe profesioni i Filos si inxhinier. Ai është diplomuar në Universitetin Politeknik të Tiranës dhe është marrë në mënyrë direkte me zbatimin e shumë projekteve për infrastrukturën në Korçë. Kësaj radhe, PS-ja do të ketë në krah në Korçë edhe LSI-në, parti e cila u përfaqësua me një deputet në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit në këtë qark.
PD
Partia Demokratike ka vendosur të zgjedhë një intelektual të njohur të qytetit për garën e saj në qytetin juglindor, duke hequr dorë nga kandidaturat e mirëfillta politike. Rektori i Universitetit të Korçës “Fan Noli”, profesor doktor Gjergji Mero, është i zgjedhuri i demokratëve për këtë garë e cila konsiderohet e vështirë për demokratët. Kjo jo vetëm për shkak të faktit se kandidati i PS-së mbështetet nga LSI-ja, por edhe për shkak të disa përplasjeve të fundit që kanë ndodhur në PD-në e Korçës, nisur nga gara për zgjedhjen e kryetarit të ri të demokratëve. Ashpërsia e garës mes Lulzim Bashës dhe Sokol Olldashit në Korçë duket se ka bërë që për momentin ndasitë mes palëve të jenë të forta dhe PD të zgjedhë një intelektual për këtë garë.