Copy of Roben feston golin ne finalen Bayern Dortmund 2-1Spektakël në fushë e në tribuna. Në 89’, Borusia mundet 2-1


Altin Manallari


Bajerni triumfon “in extremis” ndaj Borusia Dortmundit, falë një goli të Robenit në minutën e 89-të dhe shpallet kampion i Europës. Bavarezët fitojnë me rezultatin 2-1 në fund të një ndeshjeje të bukur.


Dortmundi vinte në këtë ndeshje me një mungesë të madhe, atë të të dëmtuarit Gëtce. Klop hedh Grosskrojc në krahun e majtë dhe afron më në qendër Rojs pas shpatullave të sulmuesit të vetëm, Levandovski. Ndërsa në qendër të mbrojtjes ishin vendosur Humels dhe Subotiç. Në anën tjetër, te Bajerni mungonin Batshtuber dhe Kros, prandaj Hajnkes kishte rreshtuar Boateng e Dante në qendër të mbrojtjes, ndërsa i kishte besuar sulmin treshes së mrekullive Robben-Myler-Riberi, të cilët kishin për detyrë të mbështesnin përpara Manxhukiç. Në minutat e para, Bajerni provon të bëjë lojën që nga linja e mbrojtjes, por Borusia është shumë agresive në mesfushën kundërshtare, duke krijuar përshtypjen se po luan më mirë. Bajerni duket shumë i ngadaltë dhe në vështirësi. Pas disa tentativave të gabuara, më në fund skuadra e Klop nis të shfaqet rrezikshëm në portën kundërshtare me Levandovski, Blaszczykovski, Rojs e Benter, por përballë tyre është një super-Nojer, i cili u mohon golin në pritjet e tij të mrekullueshme. Bajerni vuan shumë lojën tokazi dhe duket i bllokuar në gjysmëfushën e tij, ndërsa Borusia është padrone e fushës. Në minutën e 28, Bajerni tregon se është në fushë dhe vetëm një pritje e madhe e Vajdenfeler i mohon golin Manxhukiç. Pak minuta më vonë, Roben ka një rast të pastër për të zhbllokuar ndeshjen, por portieri i verdhezinjve është i pakalueshëm edhe këtë herë. Rastet shkojnë sa në një portë në tjetrën. Levandoski kalon Boatengun në minutën e 35-të, por ndalet sërish nga një Nojer i jashtëzakonshëm. Në të 45-tën, Roben nga një pozicion i shkëlqyer për të shënuar, i vetëm me portierin Vajdenfeler, gjuan në fytyrën e këtij të fundit. Shumë emocione, por asnjë gol në 45 minutat e para në “Uembli”. Si në pjesën e parë, Borushia e nis më mirë, krijon më shumë, por rastet lënë për të dëshiruar. Bajerni provon të përmirësojë lojën e tij dhe arrin të zhbllokojë rezultatin në minutën e 60 me golin e Manxhukiç me portën bosh, pas një asisti të Robenit. Por 7 minuta më vonë, Rojs hyn në zonë, por ndalet me faull nga Dante. Gjyqtari Ricoli tregon me gisht pikën e bardhë të 11-metërshit, nga ku Gyngon shënon golin e barazimit 1-1. Ndizet ndeshja. Në të 72-tën, Subotniç shpëton Dortmundin, kur largon një top të Mylerit pak larg vijës fatale, me Robenin që ishte shumë pranë. Tani është Bajerni zot i fushës dhe Dortmundi që vuan. Alaba lëshon një raketë në drejtim të portës, por Vajdenfeler grushton fluturimthi. Skuadra e Hajnkesit duket më e freskët dhe i imponon kundërshtarit ritëm të lartë loje. Vajdenfeler bën mrekullinë edhe në gjuajtjen e Shvajnshtajger. Dhe kur dukej se gjithçka po shkonte drejt kohëve shtesë, vetëm një minutë nga fundi, Roben (që kishte gabuar në dy raste të pastra në këtë ndeshje) përfiton një top në një rrëmujë në hyrje të zonës së verdhezinjve, avancon dhe me një gjuajtje të lehtë mposht portierin e Dortmundit me golin e avantazhit 2-1. Goditje fatale për djemtë e tmerrshëm të Jurgend Klop, të cilët u dorëzohen lotëve të zhgënjimit. Ndërsa për Bajernin nis festa e çmendur. Më në fund, fitojnë finalen, një vit pasi e kishin humbur kundër Çelsit. Trofeu i pestë për bavarezët, po aq sa edhe Liverpuli.


Bajern-Borusia


Përleshen tifozët në Londër para finales


Tension i lartë në Londër përpara finales së “Uemblit”. Kur kishin mbetur pak orë para nisjes së finales së Champions ndërmjet Bajernit të Mynihut dhe Borusias së Dortmundit, situata është tensionuar në kryeqytetin anglez, aty ku dhe dje në mbrëmje u luajt kjo ndeshje e madhe. Mediat e huaja raportojnë se janë përleshur tifozët e të dy klubeve, që njëkohësisht janë edhe rivalët më të mëdhenj në Gjermani. Raportohet se përplasja në mes tifozëve ka nisur pas orës 9:00 të mëngjesit. Rrahja ka zgjatur disa minuta e më pas u desh të ndërhynte policia e Londrës për të qetësuar situatën. Nuk është lajmëruar për të plagosur. Gjithsesi forcat e rendit dje kanë pasur shumë punë me tifozeritë e të dyja skuadrave, të cilat kishin pushtuar qytetin e Londrës.


 


 


2012/2013  BAJERN


2011/2012  ÇELSI (ENG)


2010/2011  BARCELONA (ESP)


2009/2010  INTER (ITA)


2008/2009  BARCELONA (ESP)


2007/2008  MAN UTD (ENG)


2006/2007  MILAN (ITA)


2005/2006  BARCELONA (ESP)


2004/2005  LIVERPUL (ENG)


2003/2004  PORTO (POR)


2002/2003  MILAN (ITA)


2001/2002  REAL MADRID (ESP)


2000/2001  BAJERN (GER)


1999/2000  REAL MADRID (ESP)


1998/1999  MAN UTD (ENG)


1997/1998  REAL MADRID (ESP)


1996/1997  BO. DORTMUND (GER)


1995/1996  JUVENTUS (ITA)


1994/1995  AJAX (NED)


1993/1994  MILAN (ITA)


1992/1993  MARSEJA (FRA)


1991/1992  BARCELONA (ESP)


1990/1991  YLLI I KUQ BEOGRAD (SRB)


1989/1990  MILAN (ITA)


1988/1989  MILAN (ITA)


1987/1988  PSV (NED)


1986/1987  PORTO (POR)


1985/1986  STEAUA (ROU)


1984/1985  JUVENTUS (ITA)


1983/1984  LIVERPOOL (ENG)


1982/1983  AMBURGO (GER)


1981/1982  ASTON VILA (ENG)


1980/1981  LIVERPUL (ENG)


1979/1980  NOTINGHEM (ENG)


1978/1979  NOTINGHEM (ENG)


1977/1978  LIVERPUL (ENG)


1976/1977  LIVERPUL (ENG)


1975/1976  BAJERN (GER)


1974/1975  BAJERN (GER)


1973/1974  BAYERN (GER)


1972/1973  AJAKS(NED)


1971/1972  AJAKS (NED)


1970/1971  AJAKS (NED)


1969/1970  FEYENORD (NED)


1968/1969  MILAN (ITA)


1967/1968  MAN UTD (ENG)


1966/1967  SËLLTIK GLASGOU (SCO)


1965/1966  REAL MADRID (ESP)


1964/1965  INTER (ITA)


1963/1964  INTER (ITA)


1962/1963  MILAN (ITA)


1961/1962  BENFIKA (POR)


1960/1961  BENFIKA (POR)


1959/1960  REAL MADRID (ESP)


1958/1959  REAL MADRID (ESP)


1957/1958  REAL MADRID (ESP)


1956/1957  REAL MADRID (ESP)


1955/1956  REAL MADRID (ESP)