Regjisori Spiro Duni i ka besuar rolin e Seit Beut në “Ëndrra e Ismail Qemalit” 


Regjisori Spiro Duni, së bashku me kastin e aktorëve që ka zgjedhur, i është vënë punës për të realizuar dramën “Ëndrra e Ismail Qemalit”. Vepra e Bashkim Kozelit u shpall fituese e konkursit të realizuar nga Ministria e Kulturës për 100-vjetorin e Pavarësisë. Ndërsa roli i Ismail Qemalit i është besuar Fatos Selës, pjesë e trupës është edhe aktori Roland Trebicka, i cili i kthehet teatrit pas një sëmundje të rëndë që e detyroi të pushonte për një periudhë gati dyvjeçare. Si drejtori i TK-së Kristaq Skrami, ashtu edhe regjisori Duni theksuan se për ta ishte një nder që Trebicka do të jetë në skenë. I është besuar roli i Seit Beut. Trebicka gjithnjë ka qenë fjalëpak për rolet që ka realizuar, ndaj edhe këtë herë nuk ka dashur të bëjë përjashtime. “Jam me fat që nuk kam ndonjë rol biografik, ndonjë figurë të njohur si Ismail Qemali apo Faik Konica. Personazhin tim nuk e njeh njeri, e njeh vetëm autori, regjisori dhe ca njerëz këtej rrotull. Ai nuk duhet t’i ngjajë ndonjë personi konkret, por ju siguroj se nuk i ngjan as Jovan Bregut”, ka thënë Trebicka në nota humori. Ndonëse nuk është ngjitur në skenë, ka qenë gjithnjë i pranishëm në teatër, këtë radhë më shumë si spektator, por edhe në procese pune. Është i qartë se i duhet një punë graduale dhe pa sforcime. “Seit Beu është një rol karakteri, shumë interesant. Kemi punuar me regjisorin që të mos jetë shumë i lodhshëm. Ky është kthimi im gradual në teatër dhe nuk di si do ta përballoj. Jam i çliruar që nuk kam ndonjë personazh të njohur. Të them të drejtën nuk e di nëse është ndonjë personazh historik, i harruar, që është anashkaluar me vitet apo është fiksion. Loja do të jetë realiste. Ne jemi shqiptarë që luajmë ca shqiptarë, tregojmë historinë dhe problemet e tona”, tregon me pak fjalë aktori rolin. Në fakt, fjala “rikthim” nuk është se i duket aq shumë e përshtatshme për këtë rast. “Kthehem pas një viti, nuk është ndonjë periudhë shumë e gjatë. Mbase i duket shumë këtyre të teatrit”, shprehet Trebicka. Regjisori Spiro Duni thotë se për mënyrën se si do të trajtohet kjo dramë, do të jetë një rrëfim dramatik i Ismail Qemalit pas shpalljes së pavarësisë, 2-3 vjet përpara se të vdiste. “Ne nuk marrim përsipër të japim gjithë jetën e Ismail Qemalit, ashtu si nuk mund të japim gjithë rrugëtimin e tij të gjatë për liri dhe pavarësinë e vendit. Do të jetë një rrëfim i tij, ku dalin edhe njerëzit që e mbështesin, që ka pranë, familja, përplasjet me Faik Konicën apo njerëzit e Sulltanit”, thotë Duni. Ai thekson faktin që në vitin 1982 ka qenë asistent regjisor i Viktor Gjikës në filmin “Nëntori i Dytë” dhe kjo e ka bërë të ishte afër Sandër Prosit, ndërsa materiali i vetëm mbi të cilin punonin ishte ai i dy skenaristëve. Pwrballë një roli si ai i Ismail Qemalit, Fatos Sela ndjen shumë përgjegjësi. “Figura e Ismail Qemalit është shumë komplekse. Pavarësisht se ne jemi fokusuar gjithmonë tek momenti i ngritjes së flamurit. Ai ka qenë diplomat, politikan, një njeri me poste shumë të rëndësishme dhe ne jemi me fat që është shqiptar”, ka thënë Sela. Në role të tjera: Bujar Asqeriu, Anastas Kristofori, Naun Shundi, Dritan Boriçi, Flaura Kureta, Anila Bisha, Mërkur Bozgo, etj. Skenografia e veprës është realizuar nga Ilir Sadiku, kostumografia nga Anila Zajmi, muzika Elina Duni.