Peshëngritësja në fund të listës, çuditërisht e lumtur


Romela Begaj zhgënjeu dje në Londër, duke i shuar shpresat e ushqyera prej shtypit për një medalje në lojërat olimpike, por sikur të mos mjaftonte zhgënjimi, peshëngritësja 25-vjeçare i ka habitur të gjithë me një gjest të pakuptimtë gëzimi pas dështimit.


Pasi u plas në tokë bashkë me shtangën 125-kilogramëshe që nuk arriti ta ngrinte më lart se te supet, Begaj mori vrull dhe bëri një fiflake përpara spektatorëve, të cilëve u dhuroi një puthje me dorë, sikur të kishte thyer rekord botëror me 115 kilogramët e ngritur që e degdisën në fund të listës së baterisë A.


 


Gara e Begajt


Peshëngritësja 25-vjeçare Romela Begaj u shfaq shumë larg formës së saj më të mirë duke zënë vetëm vendin e 11-të në peshën 58 kilogramë për femra.


Në provën e parë në stilin e shkëputjes Begaj ngriti lehtësisht 101 kg, duke treguar se do të jetë një pretendente e fortë. Por këtu ndryshoi gjithçka, Romela dështoi në provën e dytë me 105 kg, madje edhe në të tretën me po të njëjtën peshë.


Në stilin e shtytjes Romela ngriti në provën e parë 115 kg, por njësoj si në garën e parë, 25-vjeçarja shqiptare dështoi në dy provat e tjera të stilit të shtytjes.


Medalja e artë në këtë kategori shkoi për kinezen Li që ngriti 108 kg duke vendosur rekord olimpik, ndërsa në shkëputje ngriti 138 kg. Në total 246 kg. Peshëngritësja kineze dështoi në tentativën e saj për të thyer edhe rekordin botëror që është 251 kg në dygarësh.


Medalja e argjendtë shkoi për tajlandezen Pimsiri, ndërsa ajo e bronztë për ukrainasen Yuliya Kalina.


 


Shqiptarët


Deri dje, të gjithë sportistët shqiptarë që kanë garuar në Londër janë shfaqur të dobët duke u eliminuar që në garat e para. E para që garoi për Shqipërinë ishte notarja 16-vjeçare Noel Borshim, e cila u rendit e dyzeta ndër 42 garues, por gjithsesi, theu një rekord kombëtar. Pas saj u eliminua qitësi Arben Kuçana, i cili u rendit i njëzeti, ndërsa të dielën ishte zhgënjimi i madh, ai i xhudistes Majlinda Kelmendi, e cila pretendonte të kthehej me medalje nga Londra. Romela Begaj ishte pretendentja e dytë dhe e fundit për medalje dhe e mbylli garën jo vetëm në mënyrë zhgënjyese, por edhe fyese për miliona shqiptarë që ndiqnin me vëmendje paraqitjen e saj në olimpiadë.


Nesër do të garojnë tre sportistë të tjerë shqiptarë, dy peshëngritësit Daniel Godelli dhe Briken Calja në peshën 69 kg dhe notari Sidni Hoxha në 100 metra.


Askush nuk pret surpriza nga sportistët e tjerë shqiptarë dhe kjo olimpiadë pritet të mbyllet për Shqipërinë ashtu siç nisi, pa grintë, pa ambicie pa krenari. Përkimi i olimpiadës së Londrës me 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë duket se nuk i ka motivuar aspak sportistët tanë, të cilët kanë dhënë shembuj të shumtë të ndërrimit të flamurit për një dorë para.


 


Begaj


Peshëngritësja 25-vjeçare, Romela Begaj, u shfaq shumë larg formës së saj më të mirë duke zënë vetëm vendin e 11-të në peshën 58 kilogramë për femra.


 


Rekordi


Medalja e artë në shtytje shkoi për kinezen Li që ngriti 108 kg duke vendosur rekord olimpik