Qeveria, opozita dhe të ftuarit, bashkë në ceremoninë solemne


Rruga e gjatë dhe plot debate politike, për javë me radhë mundoi shqiptarët se ku do të festonin sot, në këtë ditë të shënuar, në Tiranë, apo në Vlorë, por flamuri kuqezi me shqiponjën dykrenare ka dalë mbi të gjithë, duke i mbledhur shqiptarët pa dallim, në sheshin me emrin e vet, aty ku 100 vjet më parë u ngrit nga Ismail Qemali. Të majtë e të djathtë, shqiptarë nga Shqipëria, apo viset e saj, sot në Vlorë do të jenë të përbashkuar, kur Presidenti i Republikës do të kryejë ceremoninë e ngritjes së flamurit kombëtar.


Jubileu i madh është pikërisht sot, duke kujtuar datëlindjen e vendit tonë, duke festuar për 28 Nëntorin e 1912-s, kur u shpall Pavarësia e Shqipërisë. Festa ka filluar tashmë në çdo qytet shqiptar, ndërsa flamuri ynë kombëtar ka mbuluar rrugët, sheshet dhe ballkonet. Muzika dhe hareja mes më shumë se 1 milion qytetarëve të mbledhur në Vlorë nuk ka pushuar gjatë gjithë natës, ndërkohë që kulmimi i kësaj feste është në orën 10:00 të mëngjesit. Sipas programit, Presidenti i Republikës, ashtu siç e parashikon protokolli, do të ngrejë flamurin në Sheshin e Flamurit në Vlorë. Të pranishëm pritet të jenë të gjithë, pushteti qendror dhe ai lokal, Kryeministri, por edhe kreu i opozitës. Të gjithë, rreth flamurit të përbashkuar. Edhe pse dy partitë kryesore në vend kanë festuar veç e veç, kanë organizuar aktivitete veç e veç, kanë luftuar politikisht për të festuar në Vlorë, apo në Tiranë, duket se momenti jubilar i ka bërë të heshtin dhe të bashkohen qoftë edhe për një moment të vetëm, në nderim të atyre që 100 vjet më parë na sollën pavarësinë dhe të gjithë shqiptarëve, kudo që janë.


Megjithatë, arritja e këtij momenti ka qenë e vështirë, pasi asnjëherë nuk pati një konfirmim zyrtar se ata do të mblidhen për të ngritur flamurin në Vlorë. Qeveria kërkoi me ngulm që festa e 100-vjetorit të realizohet në Tiranë, në kryeqytetin e Shqipërisë, por kjo hasi në kundërshtimin e fortë të kryetarit aktual të Bashkisë së Vlorës dhe të opozitës shqiptare, duke hedhur akuza se “po u vidhet dita e shënuar”. Gjatë debateve në distancë, qeveria kërkonte që festa në Vlorë të organizohej që mbrëmë, ashtu siç veproi me fondet e veta, duke organizuar një darkë në një nga hotelet e Vlorës, por edhe kjo hasi në kundërshtinë e Bashkisë, ku kryetari i saj tha qartë “kush vjen për të festuar në Vlorë më datë 27, bukën ta marrë me vete”. Gjika paralajmëroi se protokolli parashikon ngritjen e flamurit në Vlorë, më 28 Nëntor dhe pas kësaj, bashkia shtron një drekë me shpenzimet e veta. E për t’i dhënë rëndësinë e duhur kësaj dite, bashkia ka vepruar siç kishte deklaruar më parë, pavarësisht se sot, pas ceremonisë së ngritjes së flamurit nuk dihet sesa përfaqësues të qeverisë, apo ndonjë prej tyre, do të qëndrojnë në drekën zyrtare. Por, festa do të vazhdojë gjatë gjithë ditës. Menjëherë, pas ceremonisë, në Sheshin e Flamurit do të ketë një koncert ceremonial, i cili do të pasohet me një ekspozitë me flamujt shqiptarë, që do të mbahet te teatri “Petro Marko”. Ndërsa rreth orës 11:30 pritet të zhvillohet një koncert i madh festiv, me këngëtarë nga të gjitha trojet, që do të zgjasë deri në orët e pasdites. Kurse në mbrëmje, në orën 18:00 është parashikuar koncerti “Shqipja hapi krahët”, ndërkohë që festa vazhdon edhe më 29 Nëntor, për Festën e Çlirimit të Shqipërisë.


 


Ceremonia


Qyteti ku lindi pavarësia, nderon akademikun Qosja dhe ish-ambasadorin Withers


“Ismail Qemali” rikthehet në Vlorë


Vetëm një ditë përpara se shteti shqiptar të mbushë 100 vjeç është përuruar në qytetin e pavarësisë shtatorja e babait të kombit, Ismail Qemali, që është edhe vepra më e madhe monumentale e këtyre njëzet viteve për njeriun që kreu veprën më të madhe historike në këto njëqind vjet. Zbulimi i shtatores së Ismail Qemalit u bë nga dy të ftuarit e nderit të Bashkisë Vlorë, ish-ambasadori amerikan Xhon Withers dhe akademiku Rexhep Qosja, në prezencë të kreut të opozitës Edi Rama, deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë dhe Kosovës e qindra qytetarëve të pranishëm në këtë ceremoni. Nga ana tjetër, qyteti i pavarësisë nderoi me titullin “Qytetar Nderi” akademikun e shquar Rexhep Qosja dhe ish-ambasadorin amerikan Xhon Withers. Qosja e cilësoi Vlorën si “qytetin që bashkon zemrat e të gjithë shqiptarëve”, ndërsa Withers deklaroi se në Vlorë ndjehet si në shtëpinë e tij.


Shtatorja


Kryebashkiaku i Vlorës vlerësoi veprën e Ismail Qemalit si e pamundur për t’u zbehur nga çdo përpjekje tinëzare, siç e quajti ai theksin që qeveria i dha Ahmet Zogut, përpjekje që sipas Gjikës nuk u pranua nga shqiptarët, të cilët kanë ardhur nga të gjitha trevat shqipfolëse për të nderuar veprën e Ismail Qemalit në Vlorë. “Ajo që bëri këto ditë qeveria, duke marrë një bust nga muzeu dhe duke e fshehur në një lulishte është më shumë se sa e turpshme. Të nderosh lloj-lloj monarku e satrapi, e të harrosh babanë e kombit është e palejueshme. Nuk do t’i thosha këto fjalë nëse kjo do të ishte lajthitja e vetme e kësaj qeverie të sotme, por në vend që ky 100-vjetor të na gjente të bashkuar dhe pa ndarje politike, në vend që ky rast të na afronte ashtu si amaneti i rilindësve të vitit 1912, me djallëzi dhe favore partiake, qeveria luajti me kartën e rivalitetit, duke dashur të spostojë kryeqendrën nga Vlora kushedi se ku”, deklaroi kryebashkiaku Gjika.


Kreu i opozitës, Edi Rama, gjithashtu përforcoi vlerësimin për Ismail Qemalin si figura më e rëndësishme e kombit në njëqind vite, amanetin e të cilit tha ai, kemi për detyrë ta çojmë në vend. “Ne shqiptarët duhet të shikojmë nga e ardhmja dhe me një vizion të përbashkët, të ndërtojmë kushtet që në të gjitha trojet shqiptare të përgatitet gjenerata e re e shqiptarëve europianë të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë e kudo qofshin. E atyre që sot janë fëmijë, por që nesër, ne kemi detyrimin që t’u japin mundësinë që të jenë qytetarë të dorës së parë në Bashkimin Europian”.


Qytetarët më të rinj të Vlorës, siç u cilësuan akademiku Qosja e ish-ambasadori Withers, vlerësuan Ismail Qemalin si vizionarin që mundësoi ekzistencën e Shqipërisë. Ndërsa ish-ambasadori i SHBA-së solli një këndvështrim tjetër për themeluesin e kombit shqiptar. “Kur koha është e keqe, zogjtë fluturojnë ulët dhe fshihen në vende të sigurta. Vetëm shqiponjat fluturojnë lart, e Ismail Qemali ishte një shqiponjë”, tha Withers. Shtatorja e bronztë, një investim i Bashkisë së Vlorës, është e lartë shtatë metra e 20 centimetra, nga të cilat 3 metra bazamenti dhe 4 metra e 20 centimetra skulptura.


Berisha në Vlorë


Kur Bashkia e Vlorës kishte zbuluar shtatoren e Ismail Qemalit dhe kishte nderuar me tituj akademikun dhe ish-ambasadorin, në orët e pasdites nisën aktivitetet festive të organizuara nga qeveria me një koncert të madh në Sheshin e Flamurit, ku i pranishëm ishte edhe Kryeministri Sali Berisha. Gjatë kësaj kohe u vu re se kahet e politikës ishin të përçara, asnjë përfaqësues i pushtetit qendror nuk mori pjesë në festimet e organizuara nga Bashkia, dhe asnjë përfaqësues i Bashkisë dhe opozitës nuk mori pjesë në festimet e organizuara nga qeveria.


“Qytetarë Nderi”


Pak ditë më parë, Bashkia dhe Këshilli Bashkiak i Vlorës vendosën unanimisht nderimin e akademikut Rexhep Qosja dhe ish-ambasadorit Withers me titullin “Qytetar Nderi”, i cili iu është dorëzuar në një ceremoni të veçantë të zhvilluar në sallën e teatrit “Petro Marko”. Madje, me këtë titull u nderua edhe Ismail Kadare, por ai nuk ishte i pranishëm në ceremoni. Kryebashkiaku i Vlorës, Shpëtim Gjika, ka vlerësuar figurat e dy personaliteteve të njohura, të cilët kanë dhënë një kontribut të çmuar për Vlorën dhe mbarë Shqipërinë. Për Gjikën, ish-ambasadori Withers ka mbetur një mik i çmuar për shqiptarët. “Pavarësisht se është larguar fizikisht prej dy vjetësh nga Shqipëria, ish-ambasadori Withers është shpirtërisht me qytetarët e këtij vendi në të gjithë botën. Çdo 28 Nëntor ai organizon në Uashington edhe një darkë për pavarësinë e Shqipërisë”, theksoi Gjika.


Withers


Gjatë falënderimit për akordimin e çmimit, ish-ambasadori Withers është shprehur i lumtur për vlerësimin që i është dhënë dhe optimist se Shqipëria do të ketë një rilindje të re lirie. Duke u ndalur tek historia, Withers tha se beson te Shqipëria dhe shqiptarët. “83 burra u mblodhën dhe firmosën një copë të vogël letre me 2 fjali, por me firmosjen e saj këta 83 trima firmosën një zotim të shenjtë që deri ditën e sotme transmetohet: ‘Shqipëria të jetë e lirë dhe e pavarur”. Me firmosjen e këtij zotimi ata vunë jetët e tyre në rrezik, duke u përballur me rreziqe të shumta. Por vizioni e mposhti rrezikun, tani ka rreziqe të tjera por ka një vizion të ri, nuk është thjesht të jesh i lirë dhe i pavarur por është vizioni i një demokracie që qeveris me ligje të barabarta, drejtësi, për institucione të pavarura dhe për barazinë. Unë i di sfidat që janë para jush, por besoj tek Shqipëria dhe shqiptarët. Dhe për shkak të fisnikërisë, mirësisë nuk kam asnjë dyshim që Shqipëria do të ketë një rilindje të re lirie dhe ky ishte vizioni i Ismail Qemalit”, tha Withers.


Qosja


Ndërsa akademiku Rexhep Qosja, një prej intelektualëve të shquar të kombit shqiptar, e ka cilësuar Vlorën si zemrën e gjithë shqiptarëve. Akademiku ka vlerësuar rolin historik të Vlorës dhe ka kritikuar përpjekjet që po bëhen për t’i zbehur rëndësinë historike që ka qyteti. “Tani 100 vjet më 28 Nëntor shqiptarët nuk mblidhen dhe festojnë as si toskë as gegë, as si katolikë apo myslimanë, në Vlorë shqiptarët mblidhen dhe kremtojnë vetëm si shqiptarë. Mblidhen dhe kremtojnë si shqiptarë të bashkuar që pashmangshmërisht do ta bëjnë Shqipërinë e bashkuar, Shqipërinë për të cilën votuan delegatët e Vlorës dhe ishte ideali i tyre. Kështu ishte 99 vitet e shkuara, kështu do jetë 100 vitet e ardhshme dhe gjithmonë. Kështu do jetë deri sa të jetë Vlora dhe Vlora do jetë gjithmonë. Këtë rol të madh historik kombëtar Vlorës nuk do mund t’ia marrë kush kurrë, ama kurrë. Këtë rol të madh historik Vlorës ia ka dhuruar historia dhe gjeografia dhe e kanë në mendje dhe në zemër të gjithë atdhetarët shqiptarë”, theksoi Qosja.