Të përndjekurit


S’ka ndihmë të parë


Greva e urisë e ish të burgosurve politikë në ambientet e hapura në Komunën e Parisit ka hyrë në ditën e shtatë. Pavarësisht kësaj, asnjë nga institucionet shtetërore nuk ka reaguar për kërkesat që kanë ngritur të përndjekurit. Një nga iniciuesit e kësaj greve, ish i përndjekuri Gjergj Ndreca theksoi dje se qeveria do ta sfumojë këtë grevë, duke mos plotësuar as kushtin më minimal, atë të lënies në dispozicion të tyre të një ambulance. Ndërsa anëtarët e tjerë bëjnë thirrje që qeveria të shohë të paktën ata 100 të burgosur që nuk kanë marrë as këstin e parë të dëmshpërblimeve. Nga mosreagimi i qeverisë, grevistët i bëjnë thirrje selive të huaja diplomatike në vend për t’i ndihmuar dhe në veçanti, ambasadorit amerikan, Aleksandër Arvizu.


Pak ditë më parë, disa anëtarë të një shoqate tjetër të përndjekurish nuk u lejuan të futen në grevën e urisë së tyre në oborrin e institutit që i përfaqëson. Të gjendur në një situatë të tillë, pasi u informuan nga policia se nuk mund ta mbanin këtë grevë në ambientet e institutit, ata akuzuan qeverinë për pengim të së drejtës për të protestuar, duke kërcënuar me votën kundër saj në zgjedhjet e ardhshme. “Na doli një regjim tjetër komunist. Partia Demokratike na ka lënë pa dëmshpërblim, pa bukë dhe pa strehë. Këta po sillen me ne më keq se komunistët. Kjo qeveri ka marrë 70% të votave nga të përndjekurit, por këtë radhë këto vota nuk do t’i ketë më, ndaj të mendohet mirë”, u shpreh një nga të përndjekurit.