Dy faza, sensibilizim në shkolla dhe vaksinim nga ajri i kafshëve të territorit 


Shpresa Mezini


Nora MalajNjë nga rreziqet që u kanosen njerëzve janë sëmundjet, infeksionet dhe shqetësimet shëndetësore, që kanë si burim kafshët. Në këtë kuadër, dje në vend u çel fushata mbarëkombëtare e vaksinimit kundër sëmundjes së tërbimit, aktivitet në të cilin vendi ynë është i përfshirë si pjesë e projektit rajonal të luftës kundër tërbimit. Aksioni kundër tërbimit do të nisë fillimisht me një fushatë sensibilizuese në shkollat e 10 qarqeve të vendit, për të vazhduar më pas me zbatimin e një faze të dytë, që është vaksinimi nga ajri i kafshëve, që janë në territorin e vendit tonë. Sipas të dhënave nga autoritetet shëndetësore në vend, sëmundja e tërbimit ka si agjent transmetues dhelprën e kuqe.


Ky aksion mbarëkombëtar realizohet në bazë të urdhrit të Kryeministrit Edi Rama në mars të këtij viti “Për ngritjen e grupit ndërministror të punës për bashkërendimin e punës dhe kontrollin e fushatës kundër sëmundjes së tërbimit në Shqipëri”.


“Ashtu si edhe në vaksinimin kundër brucelozës, edhe në këtë fushatë PAZA, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, përgjatë fushatës së vaksinimit do të trajnojë mësues dhe nxënës të 10 shkollave që do të përzgjidhen në 10 qarqe të vendit. Gjithashtu, MAS do të shpërndajë edhe materiale informuese në të gjitha shkollat e vendit. Projekti PAZA, në fushatën kombëtare të vaksinimit, do të luajë rolin e supervizorit dhe lehtësuesit. Për këtë, ditën e enjte (dje), në ambientet e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit u zhvillua një trajnim me mësuesit e përzgjedhur nga 10 shkolla, në 10 qarqe të vendit, të përzgjedhur për të qenë përçuesit kryesorë të mesazheve, që fëmijët duhet të dinë për vaksinimin kundër tërbimit”, sqarohet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Arsimit. E pranishme në këtë aktivitet, zëvendësministrja e Arsimit, Nora Malaj, tha se ky aksion do të zhvillohet në dy faza.


“Në fazën e parë do të zhvillohet fushata sensibilizuese për ndërgjegjësimin e fëmijëve dhe komunitetit, nëpërmjet mësuesve, fletëpalosjeve dhe veprimtarive të tjera edukative. Ndërkohë që faza e dytë do të konsistojë në vaksinimin e kafshëve”, shpjegoi Malaj, e cila është dhe koordinatorja e fushatës, theksoi zëvendësministrja e Arsimit. Malaj, premtoi gjithashtu se nëpërmjet partneritetit me Ministrinë e Bujqësisë, do të organizohen edhe shkolla verore, me qëllim trajnimin e nxënësve për mënyrën e sjelljes dhe mbrojtjes ndaj kafshëve, fushatë që, sipas saj, vjen në kuadër të projektit “Shkolla si qendër komunitare”.


“Një fushatë e tillë vaksinimi bëhet për herë të parë në Shqipëri, e njëjta vlen dhe për rolin e prezencës dhe mbështetjes që do të japin institucionet e arsimit parauniversitar dhe atij universitar në këtë drejtim. Do të ketë disa procese në mënyrën sesi do të bëhet vaksinimi kundër tërbimit të kafshëve, të cilat mbartin këtë sëmundje dhe shfaqin rrezik për popullatën dhe njëkohësisht një ndërgjegjësim për të ruajtur dhe për të parë se cilat janë fazat e rrezikut që do të ndodhin”, theksoi zëvendësministrja e Arsimit. Sipas Malajt, për të parandaluar përhapjen e rasteve në Shqipëri është parashikuar që dy herë në vit, në pranverë dhe vjeshtë, për të paktën 5 vjet të vaksinohet e gjithë popullata e dhelprave në vendin tonë, ndërkohë që ky projekt që do të mbështesë Ministrinë e Arsimit dhe Sportit, por edhe atë të Bujqësisë, do të jetë nën asistencën financiare të Bashkimit Europian.