Nuk pati asnjë surprizë nga mazhoranca, e cila ashtu sikundër kishte paralajmëruar, në seancën e parë të punimeve parlamentare, me forcën e kartonit, rrëzoi pasditen e djeshme të pesë dekretet “verore” të Presidentit Nishani, i cili i ktheu mbrapsht Kuvendit një sërë ligjesh kryesore të mazhorancës qeverisëse që u miratuan në seancën e fundit të sesionit të kaluar më 31 korrik. Ndërkaq, PDIU-ja, sikundër i pati dhënë bekimin për miratim reformës territoriale, do të bashkonte sërish votat me shumicën qeverisëse edhe për rrëzimin e dekretit për ligjin e ndarjes së re territoriale të vendit. Dhe po ashtu siç ishte paralajmëruar nga mazhoranca, dekretet e Presidentit u rrëzuan që të gjithë, përveç atij që dekreton në krye të Ministrisë për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felajn, dhe atij që shkarkon nga kjo detyrë Ilirjan Celibashin, dy dekrete këto që u abstenuan vetëm nga deputetët e PDIU-së. Ndërkohë, Kuvendi rrëzoi dekretin e Presidentit për ndarjen territoriale me 81 vota kundër dhe asnjë pro. U rrëzua gjithashtu, dekreti i Nishanit për Ligjin e Policisë së Shtetit me 79 vota kundër dhe 3 pro, ndërsa 78 vota kundër dhe 3 pro mori dhe votimi për rrëzimin e dekretit për Këshillin e Lartë të Drejtësisë. U rrëzuan gjithashtu edhe dekretet për Shkollën e Magjistraturës dhe ai për Gjykatën Administrative. Tre deputetët e PDIU-së, Shpëtim Idrizi, Omer Mamo dhe Aqif Rakipi kanë votuar pro tri dekreteve të Nishanit për ligjet me shumicë të cilësuar si Magjistratura, KLD-ja, Policia dhe kanë bashkuar votat me mazhorancën për të rrëzuar dekretin për rishikimin e ndarjes së re administrativo-territoriale. Ndërsa i vetmi dekret që shënoi një votë kundër ishte ai për emërimin e Ermonela Felajt në krye të Ministrisë për Marrëdhëniet me Parlamentin, post i mbetur vakant pas dorëheqjes së Ilirjan Celibashit, ku në votim i vetmi që dha votën kundër, por pa dashje, ishte kreu i Kuvendit, Ilir Meta. Po më pas, kryeparlamentari u shpreh se i kishte mbetur e kuqja si votë, për shkak të votimit të mëparshëm. “Unë votën pro jush e shpreh publikisht zonja Felaj. E deklaroj votën pro”, tha Meta. PDIU-ja ka abstenuar në këtë proces votimi për shkarkim dhe emërim të ministrave në qeverinë “Rama”. Në seancën që nisi me rreth 40 minuta vonesë nga 17:00 që ishte lajmëruar, thirrja e Himnit Kombëtar për t’iu bashkuar Flamurit, nuk mundi të bashkonte dot mazhorancën me opozitën. Kreu i Kuvendit, Ilir Meta, ndërsa u ka uruar një sesion të suksesshëm deputetëve, u ka kujtuar atyre se sfida të mëdha i presin përpara. Këtë fakt ai e lidhi dhe me pozicionin që ka tashmë vendi ynë në familjen europiane, ku siç tha Meta, pesë prioritetet kyçe të BE-së do të jenë në fokus të axhendës parlamentare.
Votimet
- Dekreti për Shkollën e Magjistraturës – 77 vota kundër, 4 pro
- Dekreti për Policinë e Shtetit – 79 vota kundër, 3 pro
- Dekreti për ndarjen territoriale – 81 vota kundër, 1 pro
- Dekreti për Gjykatën Administrative – 78 vota kundër, 3 pro
- Dekreti për ligjin e KLD – 78 vota kundër, 3 pro
- Dekreti për shkarkimin e Ilirjan Celibashit – 75 pro, 3 abstenim
- Dekreti për emërimin e Ermonela Felajt në postin e ministres – 77 pro, 3 abstenime
[callout]Idrizi
“PDIU është në opozitë, detyra jonë në Parlament”
Opozita vendosi që të vijonte bojkotin e punimeve të Kuvendit, që pas incidentit në Parlament mes dy deputetëve socialistë dhe atij demokrat, Strazimiri. Por këtij qëndrimi nuk i është përgjigjur PDIU-ja e Shpëtim Idrizit dhe PDK-ja e Nard Ndokës, i cili për arsye private nuk ndodhej i pranishëm në seancën e djeshme. Ndërsa tre nga pesë deputetët e PDIU-së thyen bojkotin e opozitës dhe morën pjesë në seancën e parë të këtij sesioni parlamentar. Shpëtim Idrizi deklaroi se partia e tij është pjesë e opozitës, por theksoi se detyra i kërkon që të jenë në Parlament. “Ne jemi deputetë të PDIU-së dhe detyra jonë është të jemi në Parlament. Ne jemi pjesëtarë të opozitës dhe qëndrimin tonë sigurisht do ta mbajmë në seancë”, tha Shpëtim Idrizi. Në seancën e djeshme nuk ka qenë prezent as kreu i PDK-së, Nard Ndoka, për arsye se kryedemokristiani ndodhej jashtë Tirane. Mësohet se Ndoka do të jetë i pranishëm në Kuvend, duke bërë që PD-ja dhe PR-ja të jenë të vetmet parti opozitare që nuk janë në Kuvend.[/callout]