EKSTRADIMET
Gjykata e Fierit gjen parregullsi te kërkesa për ekstradim. Biznesmeni, i lirë
Mbrojtja – Avokati i Fatmir Kajollit pretendon se në kërkesën e palës italiane nuk përcaktohet nëse klienti i tij do të vuajë një apo më shumë dënime
Prokuroria – Përfaqësuesi i akuzës u mundua të sqaronte se Kajolli do të vuante vetëm dënimin e Gjykatës së Romës me 6 vjet, që përmendet në letërporosi
Gjykata e Shkallës së Parë në Fier ka vendosur dje të mos e lejojë ekstradimin drejt Italisë të biznesmenit fierak, Fatmir Kajolli. Arrestimi i bujshëm i personazhit të njohur të botës së biznesit dhe politikës lokale në Fier u zhvlerësua dje në mëngjes, në kohën kur në Tiranë uleshin e ngriheshin emra kandidatësh për president dhe vëmendja e gjithë opinionit ishte përqendruar te zhvillimet në Kuvend.
Prokuroria e Fierit pritet ta dërgojë çështjen në Gjykatën e Apelit në Vlorë
Vendimi është marrë nga gjyqtari Pirro Sota, i cili pasi ka shqyrtuar kërkesën e prokurorisë për ekstradimin e tij dhe argumentet e paraqitura nga mbrojtja e Kajollit, e ka cilësuar si të paligjshëm ekstradimin e tij.
Gjyqtari e ka gjetur si të drejtë kërkesën e palës mbrojtëse që kërkoi moslejimin e ekstradimit të 49-vjeçarit Fatmir Kajolli, për parregullsi në letërporosinë e dërguar nga drejtësia italiane. Më konkretisht, mbrojtësi i Kajollit ka pretenduar se Ministria italiane e Drejtësisë nuk ka shprehur asnjë garanci nëse do të respektohet ose jo parimi i specialitetit.
Kështu, mbrojtja ka pohuar para gjykatës se në këtë kërkesë ekstradimi të kryer nga drejtësia italiane nuk është specifikuar fakti nëse ndaj Kajollit do të ekzekutoheshin ose jo vendime të tjera të marra nga gjyqësori i atjeshëm. Kjo, pasi në letërporosinë e dërguar nga Ministria e Drejtësisë Italiane figuronte vetëm vendimi i formës së prerë të dhënë nga Gjykata e Apelit Romë, ndërsa nuk kishte asnjë të dhënë lidhur me vendimin e dhënë nga Gjykata e Milanos.
Mungesën e specifikimit të faktit nëse Kajolli do të vuante në Itali edhe dënime të tjera, pala mbrojtëse e ka cilësuar si parregullsi dhe i ka kërkuar gjykatës që të mos e lejojë ekstradimin e tij.
Ndërsa prokuroria, nga ana e saj, ka kërkuar lejimin e ekstradimit të Kajollit, duke pohuar se dënimi që do të vuante Kajolli duhej të ishte vetëm ai që kërkohej në letërporosinë e drejtësisë italiane. Por, gjyqtari Pirro Sota, pasi ka dëgjuar argumentet e të dyja palëve dhe e ka vlerësuar si të ligjshme kërkesën e mbrojtjes së Kajollit, duke vendosur moslejimin e ekstradimit të tij. Ndërkaq, mësohet se organi i akuzës do ta ankimojë në Gjykatën e Apelit Vlorë këtë vendim.
Në letërporosinë e drejtësisë italiane kërkesa e ekstradimit ishte bazuar vetëm në vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Apelit të Romës, që e kishte dënuar Kajollin me 6 vite burgim. Ndërsa nuk ishte shënuar asnjë e dhënë për sa i përkiste dënimit të dhënë nga Gjykata e Apelit e Milanos, ku nga Shkalla e Parë, sipas policisë, ishte dënuar me 16 vite burgim.
Fatmir Kajolli, anëtar i Këshillit të Bashkisë Fier, u ndalua nga policia rreth dy muaj e gjysmë më parë, pas një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Interpol Roma. Burime zyrtare të Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Fierit, njoftuan atëherë se në urdhërarrestin ndërkombëtar, ndalimi i Kajollit kërkohej pas dy vendimeve të dhëna nga Gjykata e Milanos dhe ajo e Romës ndaj tij. Më konkretisht, në njoftimin zyrtar të atëhershëm të policisë, thuhej se Kajolli ishte dënuar nga Gjykata e Romës Itali me vendim Nr. 12423/1 RGM-N 7835/1 RGGIP, datë 26.11.2001 me 24 vjet burg për veprën penale të “Trafikimit ndërkombëtar të narkotikëve dhe lëndëve psikotrope”, si dhe nga Gjykata e Milanos Itali me vendim Nr. 6886/98 RGNR-N. 3081/98 RGGIP datë 18.09.2000 me 16 vjet burg për “Pjesëmarrje në organizatat kriminale me qëllim trafik narkotikësh”. Gjykata e Shkallës së Parë Fier vendosi masën e sigurisë “arrest shtëpie” ndaj Kajollit, masë e cila u la në fuqi edhe nga Gjykata e Apelit Vlorë, pas ankimimit të bërë nga prokuroria.
Vendimi
Pushohet masa e sigurisë, Kajolli në gjendje të lirë
Gjatë seancës së djeshme, të zhvilluar në Gjykatën e Shkallës së Parë Fier, për lejimin ose jo të ekstradimit të Fatmir Kajollit, u vendos edhe pushimi i masës së sigurisë së vendosur ndaj tij. Prej ditës së djeshme, Kajolli është liruar nga masa e sigurisë “arrest shtëpiak”. Kërkesa për pushimin e masës së sigurisë është kryer nga mbrojtja, pasi pas vendimit për moslejimin e ekstradimit të Kajollit, ai nuk kishte pse të qëndronte më në masë sigurie për një kërkesë të drejtësisë italiane që ishte rrëzuar. Pritet që tashmë Kajolli t’i kthehet aktivitetit të tij, si atij të biznesit privat, ashtu edhe atij politik.
Rastet
Dështimet e arrestimeve për llogari të drejtësisë italiane
Dy të arrestuar të tjerë për llogari të drejtësisë italiane nga Policia e Qarkut të Fierit, janë liruar pasi ka rezultuar se ndaj tyre ishin pushuar hetimet. Kështu, më datë 4 maj u lirua nga masa e sigurisë “arrest në burg” pa afat 39-vjeçari Sokol Murati nga Fieri, i cili u vu në pranga më 13 prill, pas një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga Interpol Roma. Murati ishte i dyti që lirohej, për shkak se drejtësia italiane nuk kishte arritur të siguronte prova për fajësinë e tij. Prokuroria u njoftua atëherë prej drejtësisë italiane se ishte revokuar urdhërarresti ndërkombëtar ndaj Muratit. Pak ditë para lirimit të Muratit, Gjykata e Lushnjës vendosi lirimin në sallën e gjyqit të 41-vjeçarit Astrit Gjoni nga Divjaka, i cili u prangos më datë 5 prill të këtij viti nga Policia e Lushnjës, pas një urdhërarresti ndërkombëtar të Interpol Romës, që u mësua se ishte pushuar. Ndërkaq, dje Gjykata e Fierit vendosi moslejimin e ekstradimit të Fatmir Kajollit me argumentin se në letërporosinë e drejtësisë kishte parregullsi.