Tregu e shet gramin me 35 mijë lekë të vjetra. Rritet numri i shitësve në kryeqytet
Shpresa Mezini
Ceremonitë e fejesave apo dasmat janë ditët më të lumtura të jetës së dy të dashuruarve. Gjithçka duhet të jetë perfekte, e organizuar deri në detajin më të vogël. Shpenzimet janë njëkohësisht të mëdha, edhe nëse shtrëngohesh për të realizuar diçka të thjeshtë e modeste. Nuk mungojnë ceremonitë martesore luksoze apo mondane, shifrat e të cilave janë me shumë zero.
E megjithatë, ato kanë fatin t’i përjetojnë kryesisht të pasurit, milionerët, miliarderët. Ndërsa shtresa e mesme e shoqërisë, ata të cilët jetojnë me rroga, zgjedhin diçka më të thjeshtë, me dëshirën dhe shpresën e madhe se do të mbahet mend përjetë.
Ndonëse nuk mungojnë edhe rastet kur ceremonitë e dasmave “shpërfillen”, por kjo me dëshirën e çiftit, në pamundësi ekonomike për të përballuar faturën.
Elementet apo detajet që i japin hijeshi një fejese apo martese janë të shumta, por kulmi i saj mbetet sot e kësaj dite unaza.
Të paktën këtë pohojnë vetë qytetarët apo argjendarët, të cilët merren me tregtimin e tyre. Por, ata sqarojnë se së fundmi sidomos në vitet 2010-2012, me rënien e numrit të dasmave ka rënë në mënyrë drastike edhe numri i blerësve të unazave prej floriri.
Dhe kur bie numri i blerësve të floririt për ceremoni të veçanta, siç është fejesa apo martesa, mendo ç’bëhet me një pjesë tjetër të shoqërisë që i blen ato për qejf.
“Duke nisur nga 2010-a është vënë re ulje e lehtë e numrit të blerësve të floririt, ndërsa vjet dhe sivjet rënia ka qenë dhe është e ndjeshme. Këtë e vërteton numri i blerësve, që sa vjen e ulet. Ka ditë që s’ka blerje fare”, thotë për gazetën “Shqip”, Afërdita, shitëse prej 8 vjetësh në një prej argjendarive në kryeqytet. Nga ana tjetër, ajo thekson se floriri shitet me sezone, kryesisht në gusht dhe dhjetor, muaj kur emigrantët kthehen në atdhe.
Ndërsa pronarët apo shitësit e argjendarive thonë se numri i blerësve është ulur për shkak të ekonomisë së dobët të familjeve shqiptare, qytetarët sqarojnë se shkak për këtë është rritja e çmimit të floririt. Ata thonë se çmimet e floririt për karat të ndryshëm kanë arritur kulmin, çka i kushtëzon ata në blerje, qoftë edhe kur bëhet fjalë për raste të rëndësishme, siç është ndërrimi i nishaneve në fejesë apo unazat e martesës, karakteristikë e fesë së krishterë gjatë ceremonisë në kishë.
Çmimet
Çdo bizhu prej ari, e blerë sot në treg, kushton minimalisht 20-25 për qind më shtrenjtë krahasuar me të njëjtën periudhë të dy viteve më parë. Sot, argjendaritë e Tiranës e shesin gramin e floririt nga 45-100 mijë lekë të vjetra, në varësi të karatit.
Kështu grami i një unaze 14 karatë shitet nga 45-65 mijë lekë të vjetra, ndërsa i një unaze 18 karatë, nga 65-100 mijë lekë të vjetra. E megjithatë argjendarët nuk përjashtojnë edhe unazat, grami i të cilave e kalon shifrën e 100 mijë lekëve të vjetra, për shkak të gurëve të çmuar që kanë. Por, nuk mungojnë edhe shitësit e floririt në të zezë, që pozicionohen dikur në qendër të Tiranës, ata të cilët konkurrojnë argjendaritë duke e shitur gramin e 14-karatëshit me 35 mijë lekë të vjetra, mbi 30 për qind më pak se çmimi i argjendarive.
Tendenca dhe modelet
Unazë, varëse dhe orë. Këto janë ato që blihen zakonisht në raste ceremonish fejese apo martese, por argjendarët rrëfejnë se kohët e fundit, ky “rregull” është thyer, sidomos nga të rinjtë, të cilët mjaftohen vetëm me një unazë, pa u ngarkuar shumë.
Pjesa më e madhe e shitësve të arit në kryeqytet tregojnë se tendenca e të rinjve të sotëm është floriri i verdhë, ndonëse nuk mungojnë edhe kërkesat për flori të bardhë.
“Më shumë preferohet floriri i verdhë. Duket sikur shqiptarët nuk e njohin floririn e bardhë. Modelet e preferuara janë nga më të ndryshmet. Vajzat preferojnë unazat me gur, djemtë parapëlqejnë unazën rreth, ato të fesë myslimane, pasi katolikët dhe ortodoksët i ndërrojnë unazat rrathë vetëm në martesë. Kanë filluar të preferohen unazat me punim, ‘Versace’ dhe rrathët me gur, duke mos përjashtuar edhe modele të tjera, por që shiten më pak.
Floriri i përdorur
Në çdo rrugë, kudo ku ka argjendari, nuk mungon shënimi: “Blejmë flori të përdorur”. Etiketa të tilla kanë ekzistuar edhe më parë, por asnjëherë si në këto kohë. Të njëjtin mendim ndajnë edhe argjendarët, të cilët thonë se raporti i blerjes dhe shitjes së floririt është në raport të zhdrejtë.
“Kriza, kushtet e vështira ekonomike, i sjellin qytetarët në dyert tona për të shitur floririn që mbajnë në qaf apo duar. Dy vitet e fundit është ulur numri i blerësve të arit, ndërsa është shtuar numri i shitësve të tij. Shumë prej atyre që i shesin duan para në dorë, pak bëjnë këmbim malli, ndërsa rrallë i shesin për shkak se janë modele të vjetra, ‘të dala’, nga moda. Gramin e 14-karatëshit ne e blejmë nga qytetarët me 28 mijë lekë të vjetra”, tregon shitësja.