Partia Demokratike del me deklaratë lidhur me rrjedhjen e votave gjatë seancës së djeshme parlamentare ku Gramoz Ruçi u zgjodh kryetar i Kuvendit. Indirekt kjo parti pranon se në radhët e saj ka patur rrjedhje votash. Në deklaratë thuhet se grupi parlamentar i Partisë Demokratike dënon me ashpërsi atë çfarë ndodhi dje me votën e opozitës në Kuvend.


“Erdhi si rezultat i manipulimit apo blerjes së votës, kjo do të shqyrtohet me prioritet absolut. Një gjë është e qartë pa asnjë ekuivok: kush shet votën nuk do të ketë vend në grupin tonë parlamentar”, deklarohet më tej. Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike vlerëson në vijim, se ky skenar i qëllimshëm sipas kësaj partie, u vu në veprim për të hequr vëmendjen e opinionit nga emërimi prej Edi Ramës në krye të Kuvendit i Gramoz Ruçit.


Kryeparlametarin e ri, PD e konsideron si “simbol i të kaluarës së përgjakur të diktaturës komuniste dhe i lidhjeve kriminale dhe trafiqeve të drogës, për të cilën arsye është përjashtuar përherë nga hyrja në SHBA”.​


Gramoz Ruçi u zgjodh kryetari i ri i Kuvendit të Shqipërisë me 80 pro, 40 kundër, 1 e pavlefshme pasditen e së shtunës. Në favor të kryetarit të ri shkuan gjashtë vota më shumë, tre të paralajmëruara nga PDIU, dhe tre dyshohen si të rrjedhura nga radhët e Partisë Demokratike.


10 shtator 2017 (gazeta-Shqip.com)