“Përroi Leshniqes”. Rruga do të lidhë Kavajën me Qerretin, bëhet me shpejtësi edhe tenderi për mbikëqyrjen e punimeve


fElvis Rroshi vazhdon të jetë drejtuesi i Bashkisë së Kavajës. Pavarësisht se ndaj tij është ngritur akuza e falsifikimit të dokumenteve, ai po vijon aktivitetin, ndërsa ka iniciuar ndërtimin e një vepre, që ka të bëjë me rehabilitimin e Përroit të Leshniqes, që lidh qytetin e Kavajës me Qerretin. Megjithëse gjatë kësaj kohe që Rroshi ka qenë i akuzuar për falsifikim dokumentesh, qytetari i parë i Kavajës ka firmosur fillimisht hapjen e tenderit për rehabilitimin e kësaj vepre, dhe në momentin që prokuroria urdhëroi arrestimin, Bashkia e Kavajës ka firmosur për fituesin e këtij tenderi, me një vlerë rreth 3 milionë USD.


Shpallja e fituesit

Më 14 qershor, një ditë pas arrestimit të Elvis Rroshit, Bashkia e Kavajës ka dërguar në Agjencinë e Prokurimit Publik dokumentet për fituesin e ndërtimit të Përroit të Leshniqes. Nuk dihet përse kjo shpejtësi për fituesin e këtij tenderi, por problemet me drejtësinë mund ta kenë shtyrë Rroshin që të firmosë bërjen sa më shpejt të kësaj rruge. Sipas dokumentit, Bashkia e Kavajës ka lajmëruar subjektin “V.H” se janë fitues të procedurës së prokurimit me fond limit 375.000.000 lekë. Bashkia e Kavajës ka skualifikuar ofertuesit e tjerë, megjithëse kishin ofruar më pak për rehabilitimin e këtij përroi dhe bërjen e një rruge në afërsi të tij. Kështu, një firmë nuk kishte paraqitur deklaratë ku të përshkruhen të gjitha kontratat në të cilat është i angazhuar në punë me fonde publike apo investitor privat. Një tjetër nuk kishte përshkruar të gjitha kontratat ku ka qenë i angazhuar. Një firmë u skualifikua se kishte detyrime të palikuiduara ndaj Bashkisë së Kavajës, ndërsa një tjetër kishte detyrime ndaj tatimeve. Në fund, firma “V… H…” u shpall fituese, megjithëse kishte ofruar vlerën më të lartë për ndërtimin e veprës, plot 371,672,160 lekë.


“Përroi Leshniqes”

fotoSipas dokumenteve në Agjencinë e Prokurimit Publik, Bashkia e Kavajës hapi procedurën për këtë tender më 26 prill të këtij viti. Afati për realizimin e punimeve do të jetë 7 muaj, ndërsa afati për dorëzimin e dokumenteve në Agjencinë e Prokurimit Publik është 13 maji i këtij viti. Sipas projekt-zbatimit, rruga do të jetë nga Qerreti (bregu i detit) deri në autostradë dhe i gjithë segmenti është 2.9 kilometra. Sipas dokumenteve, Leshniqe dhe Darçi janë dy përrenj që kanë kushtëzuar themelimin e qytetit të Kavajës. “Ndryshe Kavaja, ku në dy përrenjtë ndodh i gjithë drenazhimi i qytetit. Dhe pikërisht nga ky fakt fiziko-gjeografik në vitet e para të shtetit shqiptar Kavaja radhitej si një nga pretendentët për Kryeqytetin e Vendit, në mos Kryeqytetin Brilant të Shqipërisë. Pozita qendrore, afërsia me detin, kushtet klimatike ideale dhe drenazhimi i përrenjve të tij, janë vlera të pakundërshtueshme dhe të evidentuara historikisht”, thuhet në dokumente. Ndërkohë, zyrtarët e Bashkisë së Kavajës e lidhën ndërtimin e kësaj rruge edhe nga këndvështrimi turistiko–kulturoro–histrorike. “Në këto territore kemi të bëjmë me disa fakte historike të një rëndësie të veçantë botërore. Beteja e Durrachium, ku kulmin e saj e ka pikërisht në afërsi të Përroit. Rrallëherë në historinë e botës gjigante ndodhen njëkohësisht në të njëjtin vend për disa muaj. Gaio Jul Qezari, Pompeu i madh, Mark Antonio etj., këtu në Kavajë për të ndarë fatet e botës”, thuhej në relacionin teknik.


Mbikëqyrja e punimeve

Pavarësisht se rruga nuk është ndërtuar ende, Bashkia e Kavajës ka bërë edhe një tjetër prokurim. Bëhet fjalë për mbikëqyrjen e punimeve për ndërtimin e një rruge në Kavajë të quajtur Përroi i Leshniqes, me një gjatësi prej 2.9 kilometrash. Më 15 qershor, një ditë pas shpalljes së fituesit, Bashkia e Kavajës ka dërguar në APP prokurimin për “mbikëqyrje e punimeve me objekt Rehabilitimi Përroit Leshniqe Kavajë”. Në këtë datë, Rroshi ka qenë në burg, ndërsa ende nuk ka të dhëna nëse këto dokumente i ka firmosur në qeli, apo më parë. Sipas këtij tenderi, Bashkia e drejtuar nga Rroshi ka akorduar 21 milionë lekë të vjetra për firmën që do të fitojë të drejtën për të mbikëqyrur këtë rrugë. Kohëzgjatja e kontratës ose afati për ekzekutimin do të jetë 7 muaj, ku firma që do të fitojë këtë tender, do të fitojë paratë vetëm duke parë.