MONIKA SHOSHORI STAFA
PJESA E DYTË
IV.
Shtetet kanë lindur prej kombeve dhe kombet prej Rilindjes: asaj rilindjeje që ngjall vetëdijen e bashkimit prej mitit të origjinës, mitit të lashtësisë, mitit të “motit të madh”. Por kur filloi Rilindja te shqiptarët? Kjo është një prej pyetjeve më të ndërlikuara për të kuptuar rrugën e vështirë të nacionalizmit shqiptar drejt shtetit të tyre. Një pjesë e studiuesve thonë se gjithçka nis prej vitit 1831, kur Perandoria Osmane urdhëroi “Dekretin e Gjylhanesë”, dekretin e reformave të Tanzimatit. Sami Frashëri pohon një shekull e ca më parë të njëjtën gjë. Kjo është koha e kapedanëve: Zenel Gjoleka, Rrapo Hekali, Zylyftar Poda. Por shumë të tjerë mendojnë se Rilindja nisi me “Enciklikën” e Veqilharxhit dhe “Evëtarin” e tij. Në historitë e letërsisë ka pasur dhe zgjidhje të tjera: pavarësisht se nacionalizmi romantik kombëtar shqiptohet për herë të parë në veprat e Jeronim de Radës, një shmangie e vogël prej kalendarit rregullisht i ka çuar fillimet e saj te Naimi. Por pyetja themelore: çfarë kishte para Rilindjes, thuajse nuk është bërë. “Këte dikcionar oh Shqipëtār i dashun, e shkrova jo për zotinī tande, qi di mā fort se unaj vetë për vetëhe…”, shkruante misionari Francesco Maria da Lecce qysh në vitin 1702 në hyrjen e fjalorit të tij italisht-shqip. Për herë të parë në histori përmendet emri etnik “shqiptar”. Në epokën e Gjergj Kastriotit ata quheshin arbër, arbanë, rabanë, albanë, epirotas, maqedonas. Rilindësit do të shkruanin se ky vend e ky popull gjendeshin këtu kur “Adhami dhé s’kishte lerë/ në botë nuk kish të tjerë”. Ilirë, pellazgë, nuk kishte rëndësi emri, rëndësi kishte që shqiptarët dhe Shqipëria kishin qenë kryevepra e ditës së gjashtë e hyjit. Pastaj erdhën të tjerët.
V.
Afërsisht 80 vjet më parë dijetari Eqrem Çabej pati shkruar se Rilindja shqiptare ishte një lëvizje mendimi në mërgim. Kryeqendrat e saj qenë pikërisht kolegjet dhe seminaret arbëreshe, Bukureshti, gjimnazi “Zosimea”, Aleksandria, Kajro, Sofja, madje dhe kryeqyteti i perandorisë vetë, Kostandinopoja. Nacionalizmi shqiptar lindi si një lëvizje protestante ndaj politikës së perandorisë. Nuk lindi në periferi, sepse në periferi elita osmane e ndiente veten shumë rehat – ishte vegjëlia ajo që protestonte kundër ndryshimit të politikës “dy për një”. Studiuesit, vendës e të huaj, në këtë pikë shpesh ngatërrohen: qenë teqetë bektashiane që shkëndijuan të parat lëvizjen kombëtare; ishte kleri katolik që, nën nxitjen e doktrinës “cultus protectorati” të perandorisë austrohungareze, shenjuan zgjimin e vërtetë; përkundrazi, historiografia neo-otomane pretendon se qenë klerikët myslimanë që udhëhoqën gjithçka. Në këtë arsyetim ka diçka parimore që nuk pajtohet me historinë: Rezultati më i lartë i Rilindjes qe jo dallimi, por konvergjenca; jo theksimi i ishujve, por dalja prej tyre dhe homogjenizimi. Për herë të parë shqiptarët u ndien të tillë pavarësisht nëse ishin të krishterë apo myslimanë, jugorë apo veriorë, në Shqipëri apo në mërgatën e sapo politike dhe kulturore. Pas kolegjeve dhe seminareve arbëreshe, qenë shoqëritë dhe klubet patriotike shqiptare që i dhanë frymë asaj, prej Stambollit në Bruksel, Paris e Vjenë, e më pas edhe në Boston.
VI.
Mendimi se shqiptarët e kanë çarë rrugën e historisë me shpatë në dorë; ideja poetike se shpata dhe bajoneta kanë qenë zgjatim i shtyllës vertebrore të shqiptarëve, megjithëse duket se u ka bërë nder atyre, në fakt ua ka deformuar historinë. Një shekull Rilindje që parapriu pavarësinë, më shumë se një shekull kryengritjesh luftarake, qe kohë e farkimit të mendimit politik të kombit të ri që po lindte. “Me pushkë e me penë për mëmëdheun” duket një përfundim historik i padiskutueshëm. Por shqiptarëve nuk u mungoi zelli kryengritës kur luftonin për lirinë e fqinjëve dhe të popujve të tjerë; për reformimin e vetë perandorisë dhe shpëtimin e saj nga gremisja. Shqiptarëve u mungonte shkrimi, abetarja, shkolla, shtypi, libri, jeta dhe vetëdija në gjuhën amtare. Pikërisht kjo është arsyeja pse protagonistëve të mendimit kombëtar shqiptar u takoi detyra të ishin poetë dhe profetë, Dìschter, siç thoshin gjermanët për Gëten. Pushka apo pena? – kjo do të mbetet një prej pikëpyetjeve për shumë jubilenj të shtetit shqiptar. Dhe kur erdhi koha që ata të formulojnë një ideologji kombëtare në formë trataktive, promovuan një program më utopik se mund të mendohej. Ideologjia nacionaliste kombëtare shqiptare që ideologjia më difensive jo vetëm në Ballkan, por në gjithë perandorinë e tronditur. Shqipëria e ardhshme do të ishte e ëndërrt në të gjitha kuptimet, e parrezikuar nga askush, parajsë e vërtetë për të gjithë, thua se bota mezi e kishte pritur.
VII.
Kur menduan për herë të parë shqiptarët të organizohen kundër Perandorisë Osmane? Përgjigjja është shumë e qartë: vetëm në vitin kur Kongresi i Berlinit vendosi të ndryshonte kufirin midis Perandorisë Osmane dhe shteteve fqinje që kishin dalë ndërkaq të pavarura. Pikërisht pas vendimeve të këtij kongresi, kur “shtatë krajlitë” vendosën një rend të ri në Ballkan, në dëm të Sulltanit e në dëm të shqiptarëve, u thirr Lidhja e Prizrenit. Kuvend apo lidhje, kongres apo konferencë, pavarësiste apo autonomiste, properandorake apo joperandorake, diplomatike a politike, klerikale a laike, në kohën e duhur apo e vonuar, maksimaliste apo minimaliste, me “karar-name” apo me “kanun-name”, e pushkës apo e penës, Lidhja e Shqiptare e Prizrenit është ngjarja që i dha program veprimi gati një shekulli lëvizjeje kombëtare. Kjo e bën atë ngjarjen më të rëndësishme të gjithë periudhës që përgatiti themelimin e shtetit shqiptar, në kohën kur perandoria teokratike osmane po shembej dhe po rroposte nën vete të gjithë ata që nuk ishin ndarë më herët prej saj. “I sëmuri i Bosforit” i shfrytëzoi energjitë e shqiptarëve deri në çastin e mbramë. Dhe shqiptarët vetë nuk e patën të lehtë të ndaheshin prej otomanizmit. Lidhjes së Prizrenit i mungoi plot njëqind vjet përcaktimi si një “lidhje shqiptare”, sepse ky përcaktim tmerronte perandorinë, provokonte shtetet fqinje dhe kufizonte e censuronte vetë mendimin shqiptar. Kur, më 1979, për herë të parë, në fjalorin politik u gjeneralizua emërtimi “Lidhja Shqiptare e Prizrenit”, në vend të “Lidhjes së Prizrenit”, siç quhej më parë në tekstet e historisë, pikërisht si një nocion historik-gjeografik dhe jo kombëtar, shqiptarët si popull dëshmuan se tashmë ishin të përgatitur për të menduar për një të ardhme tjetër. Dhe nuk është e rastit që vetëm dy vjet më vonë në Kosovë shpërthyen demonstratat e rinisë dhe të studentëve, ku për herë të parë u dëgjua thirrja “Bashkim”, kryethirrja e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit: bashkim në një njësi i të katër vilajeteve shqiptare. Po aq sa nuk është e rastit që shpresa e fundme e shqiptarëve në Jugosllavinë e tretë u shua pikërisht kur operacioni “Patkoi” shembi nga themelet dhe shtëpinë muze të kësaj Lidhjeje, tashmë të ringritur. Këtu, në këtë odë të ngushtë, u mblodhën njerëz që mendonin për Shqipërinë, delegatë të hapësirës historike panshqiptare, pavarësisht se pa delegim formal; dhe vendosën, për herë të parë, t’i quanin dytësore të gjitha dallimet: fetare, kulturore, etnozakonore, dhe të konsideronin si kriterin themelor të homogjenitetit shqiptarësinë, etninë, kombin e vet.
Vijon….