Gjatësia – Rruga Tiranë-Elbasan do të jetë rreth 30 kilometra e gjatë pas hapjes së tunelit dhe të rrugëve lidhëse, të cilat nuk janë ende funksionale
Vlera – Rruga Tiranë-Elbasan me vlerë rreth 200 milionë euro, u financua me kredi nga disa vende arabe, kredi të cilën shqiptarët do ta paguajnë përgjatë dekadës së ardhshme
Garda – Operatori Eno Cucallari është ndaluar të xhirojë pak momente para se të nisë fjalimi i Kryeministrit, ndërsa në kërcënim e sipër i kanë marrë edhe kasetën
Udhëtim pak orë pas përurimit të tunelit të Kërrabës
Tuneli i sapoinauguruar dje në fundin e fushatës elektorale nga Kryeministri Berisha dhe krahu i tij i djathtë, kryebashkiaku Lulzim Basha, nxiti natyrshëm që shumë qytetarë të ndërmarrin udhëtimin, të prekin realisht efektin e këtij investimi të rëndësishëm, i cili kap shifrën e 250 milionë dollarëve si vepër e plotë infrastrukturore. Pas ceremonisë së inaugurimit, disa orë më vonë, një grup i gazetës “Shqip” ndërmorëm udhëtimin për ta prekur në terren këtë realitet të ri dhe mjaft të rëndësishëm për vendin. U nisëm nga redaksia, që ndodhet në qendër të Tiranës, kur ora ende donte 7 minuta të shkonte 19.00. Morëm unazën e re, pranë Liqenit Artificial që të çon te një qendër tregtare e njohur që ndodhet në fshatin Lundër. Pranë rreth-rrotullimit që ndodhet pranë kësaj njësie tregtare ndodhet dhe tabela-legjendë ku është e paraqitur pjesa e parë e ndërtimit të rrugës Tiranë-Elbasan, bashkë me tunelin. Në tabelë thuhet se vlera e pjesës së parë të rrugës arrin në 100,753,650 USD. Afati i ndërtimit është 490 ditë, por nuk është e shënuar dita e fillimit. Makina vazhdon të ecë në rrugën e zakonshme që të çon në Elbasan. Në Mullet, një tabelë jeshile tregon hyrjen për në rrugën e re nga ana e majtë. Pasi kalojnë një rrugë pak të ngushtë ecim në një pjesë autostrade të ndërtuar, por jo të përfunduar në gjendje të mirë që zgjat 15 kilometra. Më pas kalojnë një rrethrrotullim dhe bashkohemi sërish me rrugën e vjetër. Ecim drejt Ibës ku shikohet një qarkullim paksa i rritur makinash, por jo një trafik shumë i dendur. Sapo kalojmë të përpjetën e Ibës, ka një qarkullim më të dendur. Një numër punonjësish të policisë rrugore që po ndihmojnë në trafik, ndërkohë që pak më tej, një “Peugeot” i kuq, i përplasur që ka zënë anën e rrugës dhe po bëhet gati të hipë në karrotrec. Ecim dhe syri sheh tunelin nga larg, anash rrugës sërish një karrotrec që ndodhet pranë një “Volkswagen Golf”, parakolpi i së cilës është futur në kanalin e rrugës, i thyer bashkë me dritat dhe stopat. Ecim më tej dhe futemi në tunelin e sapoinauguruar. Një korsi me ndarëse trafiku provizore nga ana e majtë dhe një tabelë e ndriçuar lart shkruan: “Mbaj krahun e djathtë”. Kalojmë tunelin, ku lejohet kalimi me 40 kilometra, për 3 minuta. Pas tunelit ecim në një aks autostrade të papërfunduar, por që gjithsesi është i ndërtuar mirë dhe me trafikndarëse. Disa drejtues mjeti rrezikojnë për aksident duke u kthyer aty ku nuk lejohet. Ecim dhe mbërrijmë në rreth-rrotullimin që ndodhet pikërisht në pikën fundore të Kërrabës në orën 19.38. Marrim rrugën e kthimit, kalojmë tunelin dhe në Ibë sërish polici rrugore dhe karroatrecë. Sërish dy makina të tjera të përplasura. Sipas të gjitha gjasave nga shpejtësia dhe mosorientimi me rrugën që normalisht ende nuk është përfunduar. Ajo u hap dje vetëm sepse u përurua tuneli, ose më saktë dy tunelet e Kërrabës. Ka pak trafik. Në Tiranë, përkatësisht te Liqeni Artificial mbërrijmë në 20.20. Pra Elbasani bëhet për 40 minuta, duke eliminuar majën e Kërrabës.
Autostrada
Autostrada përbëhet nga tre segmente Segmenti I(Sauk -Tuneli i Kërrabës gjatësia 13 km) Segmenti II (Tuneli i Kërrabës gjatësia 2.5 km ), Segmenti III (Tuneli i Kërrabës – Elbasan gjatësia 11.5 km). Tuneli i Kërrabës, punimet për të cilin shënuan vlerën e 101 milionë dollarëve, investim i buxhetit të shtetit dhe Bankës Islamike për Zhvillim dhe Fondit të Abu Dabit, u realizua në një kohë prej 13 muajsh. Punimet për ndërtimin e tij nisën në muajin maj të vitit 2011 dhe pas afro 9 muajsh filluan edhe dy kontratat e tjera të segmenteve rrugore para dhe pas tunelit.
[callout]Incidenti
Garda dhunon ekipin e “Fiks Fare”
Një grup xhirimi i emisionit “Fiks Fare” është ndaluar dhe kërcënuar nga Garda e Republikës si edhe i janë sekuestruar pamjet filmike të xhiruara në inaugurimin që Kryeministri i vendit i bëri tunelit të Kërrabës paraditen e së dielës. Operatori Eno Cucallari është ndaluar të xhirojë pak momente para se të nisë fjalimi i Kryeministrit, ndërsa në kërcënim e sipër i kanë marrë edhe kasetën që kishte xhiruar mitingun e organizuar me këtë rast nga Partia Demokratike. Me sa duket këtë radhë shqetësimi nuk ka qenë pjesëmarrja në mitingje, e cila ka kohë që është në investigimin e emisionit “Fiks Fare”, por lëvizjet dhe përgatitja e vetë Kryeministrit përpara fjalimit që do të mbante me këtë rast. “Fiks Fare” do ta ketë në fokusin e saj në emisionin e të hënës, si edhe do të zbulojë mënyrën se si u urdhërua për kërcënimin dhe sekuestrimin e kasetës filmike.
Urdhri i Gardës së Republikës është i paprecedentë dhe dhunon të drejtën që rrjedh nga Kushtetuta e vendit për informim.[/callout]
Kryeministri, i shoqëruar nga Basha inauguron tunelin. Mungojnë Topalli dhe Patozi
Berisha: Blushi të marrë teserën e PD-së, unë jam një zog i lirë
Kryeministri Sali Berisha inauguron para kohe tunelin e autostradës Tiranë-Elbasan. Në këtë inaugurim, Berisha u shfaq i shoqëruar nga kryebashkiaku Lulzim Basha, ish-socialisti Kastriot Islami, tashmë kandidat i PD-së dhe ministrja Majlinda Bregu. Ndërsa në këtë inaugurim, që PD-ja e cilëson si karta që mund t’i japë mandate shtesë në Qarkun e Elbasanit, mungonin dy drejtuesit kryesorë të kësaj partie, nënkryetarët Astrit Patozi dhe Jozefina Topalli (Kryetarja e Kuvendit). “Në këtë ceremoni ishte i ftuar kryetari i Bashkisë së Elbasanit, pasi donim që ai të përfaqësonte qytetarët. Për arsye partiake ai nuk erdhi, por i garantoj elbasanasit të djathtë, të majtë, të pa parti se kjo është vepra e tyre, ta gëzojnë ata dhe mbarë shqiptarët. Gjithë këto ditë kam menduar për zotimin e Ben Blushit dhe kam vendosur ta ftoj në selinë e PD dhe t’i dorëzoj dokumentin e PD vetëm e vetëm për t’i dhënë atij mundësinë njëherë në jetë për të mbajtur fjalën e tij. Ndaj dhe e pres në seli që t’i dorëzoj atë dokument se ne tunelin e ndërtuam”, tha Berisha në fjalën e tij. Kryeministri theksoi se tuneli dhe autostrada sjellin Elbasanin pranë Tiranës dhe e bëjnë atë qytetin më të afërt, por Librazhdi, Gramshi dhe Dumreja do të jenë në Tiranë, në harkun kohor 30-45 minuta. Pogradeci, Korça, Bilishti, Kolonja do të vinë në Tiranë për një orë më shpejt. Ndërsa nuk i kurseu dhe sulmet ndaj liderit të opozitës, Edi Rama. “Le të shohim modelin tjetër, modelin e dëshpërimit, modelin e zhgënjimit, modelit të pesimizmit, mbjelljes së zisë dhe dëshpërimit kudo. Ky model i fabrikuar nga njerëz pa ide, nga njerëz të ndryrë në autobusin mavi, kërkon që tunelin tuaj, rrugët tuaja, shkollat tuaja, shtëpitë e reja tuaja t’i mohojë, t’i fusë në thesin e Koços dhe bashkë me Koçon në autobusin mavi. Kjo është alternativa jonë, alternativa e ideve, tuneleve, e shkollave, e autostradave, e integrimit në Europë. Ndërsa alternativa tjetër ka vetëm një argument. Atë e ka kapur sindromi i moshës sime. Dëgjojeni vëllezër se çfarë është ky sindrom. Duke pasur vite rinie, pa rini, shoku i autobusit ka ardhur te të 50-ta me ide boshe në kokën e tij dhe tani meqenëse nuk kap dot vizionin tonë, nuk kap dot rrugët, autostradat dhe integrimin europian, gërmon dhe gërmon në të shkuarën e tij dhe nxjerr ide të së shkuarës për t’ua servirur shqiptarëve, mashtrime, mallkime dhe gjëra tërësisht të pavlera, por kjo nuk është përgjegjësia ime. Ai u rrit zvarranik në bunkerë, ndërsa unë u rrita zog malesh dhe ja ku jam si zogjtë që fluturojnë”, theksoi Berisha.
Braçe: Berisha ti je zog Blloku, jo mali
Deputeti i PS-së, Erjon Braçe ka reaguar nëpërmjet faqes sociale “Facebook” në lidhje me deklarimet e Kryeministrit se ai është një zog mali. “Kulmi kulmi! Sali Berisha paska thënë sot: Unë (d.m.th Berisha) u rrita si zog mali, kurse Edi Rama u rrit si zvarranik bunkeri!! Po mirë mo Sali, sa vite ndenje në mal ti? Kur të mori partia Ty nga Mali e të solli në Tiranë? Po a nuk të rriti Ty partia në mes të Tiranës? Po nuk qe partia ajo që të nisi në Paris? Partia a nuk të bëri sekretar ty? Po në Bllok të kujdeseshe për oturakun e udhëheqësit nuk të solli Partia? E sheh? Tamam tamam; Nuk je zog mali, por zog Blloku!”, shkruan Braçe në Facebook.