Ministri Pollo, taksë 150 mijë euro fituesit për një kompani që do e ndihmojë vetëm në negocim
Fatjona Mejdini
Projekti i rëndësishëm i dixhitalizimit të transmetimeve televizive me vlerë 20 milionë euro, përveç problematikës në procesin e tenderimit, shfaq mangësi dhe në mënyrën e përzgjedhur të financimit të tij. I ndërtuar për t’u paguar nga RTSH-ja me kredi, projekti nuk është i bazuar mbi një studim të fizibilitetit financiar, mbi mënyrën sesi RTSH-ja do të paguajë nga taksat e shqiptarëve 20 milionë euro, plus interesat bankare, gjë e cila mund të çojnë në rrezik vetë funksionimin normal të një enti të tillë publik. Nga ana tjetër, Ministria për Inovacion, si autoriteti kontraktor, ka mungesë transparence në momentin që i kërkon firmës fituese të paguajë edhe një kosto prej 150 000 eurosh për të paguar dhe një firmë konsulence që do të ndihmojë në negocim. Ministria nuk ka çelur asnjë garë publike për të përzgjedhur një kompani të tillë, pavarësisht shumës së madhe që kërkon në emër të saj për ekspertizë.
Kredia
Ministri për Inovacionin, Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit, Genc Pollo, si kryetar i komitetit ndërministror për zbatimin e strategjisë së kalimit të transmetimeve nga analoge në dixhitale, ka marrë përsipër të vendosë realizimin e këtij projekti përmes një kredie, të cilën detyrohet ta shlyejë Radiotelevizioni Publik Shqiptar. Pavarësisht se për të financuar projektin 20 milionë euro mund të gjendeshin forma të tjera dhe jo kredi, ministri ka vendosur që këtë shifër ta shlyejë RTSH-ja përmes taksave që do të mbledhë nga aparati dixhital që do të detyrohen të blejnë shqiptarët për të pasur mundësinë e shikimit të televizionit në platformën dixhitale. Por ky vendim kaq i rëndësishëm është marrë pa pasur më parë një studim fizibiliteti mbi mundësitë reale të RTSH-së për të paguar jo vetëm kredinë e majme, por dhe interesat e saj. Mungesa e një studimi mbi terma konkrete financiare, vë në dyshime serioze aftësinë e RTSH-së për të shlyer një detyrim të tillë dhe në rrezik përballë bankave europiane një institucion publik shqiptar me varësi nga Parlamenti i Shqipërisë. Po kështu, as vetë RTSH-ja, nëpërmjet strukturave të tij vendimmarrëse, nuk ka ndërmarrë ndonjë studim dhe nuk ka dhënë zyrtarisht asnjë miratim mbi mënyrën sesi do të arrijë të paguajë një shifër të tillë kredie. E vetmja shkresë e dalë nga Këshilli Drejtues i RTSH-së është ajo e datës 3 prill 2013, në të cilën shprehet në parim pro strategjisë së rinovimit të teknologjisë dhe përcaktohen kërkesat e këtij institucioni që do të marrë në dorëzim projektin, madje shprehen emra firmash të preferuara për të marrë tenderin e dixhitalizimit. Shkresa që mban firmën e kryetarit të këshillit drejtues të RTSH-së, Agron Tufa, shpreh në mënyrë të hapur dhe preferencat e firmave që do të donte të kryenin projektin, në një kohë kur ende nuk ishte hapur gara tenderuese.
Projekti
Tenderi i hapur nga ministri Pollo si autoriteti kontraktor është i bazuar mbi një projekt, i cili gjendet në faqen e kësaj ministrie, nën titullin “Kërkesë për propozim”. Në brendësi të këtij dokumenti theksohet fakti se: “Çdo ofertues do të mbulojë të gjitha kostot me përgatitjen dhe dorëzimin e përgjigjes së tij, duke përfshirë çdo kosto që lidhet me autoritetin kontraktor (ministrinë) për çështjen që lidhet me këtë kërkesë për propozim. Ofertuesi fitues do të paguajë taksën prej maksimumi 150 000 euro, për kompaninë legale të konsultimit që do të ndihmojë autoritetin kontraktor përgjatë negocimit të kontratës”. Me fjalë të tjera, fituesit të tenderit i kërkohet të paguajë dhe shifër shtesë prej 150 000 eurosh për punën e kompanisë legale konsultimi që do të asistojë ministrin përgjatë negocimit të kontratës. Por Ministria për Inovacionin nuk jep asnjë shpjegim se cila është kjo firmë konsulence dhe aq më tepër si është përzgjedhur ajo për të negociuar këtë kontratë të rëndësishme. Pagesa e saj me 150 000 euro e detyronte këtë ministri të hapte një tjetër tender për të zgjedhur kompaninë më të mirë për konsulencën pranë ministrisë. Në këtë mënyrë kompanisë fituese i vendoset një kosto ekstra, e cila është e rrethuar nga errësira e plotë se kujt do t’i paguhet dhe pse është përcaktuar pikërisht një shifër e tillë.
Këshilli
Shkresa, e cila mban firmën e kryetarit të këshillit drejtues të RTSH-së, Agron Tufa, shpreh hapur edhe preferenca për firmat që do të donte të kryenin projektin, pa u hapur ende gara tenderuese
