Komisioni hetimor – Kreu i grupit të PS-së, Gramoz Ruçi i kërkoi kryeparlamentares Topalli që në fillim që të niste procedurat për nismën e PS-së për komisionin hetimor ndaj Imamit. Topalli u shpreh se kërkesa është depozituar në orët e vona në Kryesinë e Kuvendit


Berisha nuk voton – Kryeministri Sali Berisha u rikthye në Kuvend pas mbylljes së grevës së urisë së ish të përndjekurve politikë. Kryeministri, prej disa seancash nuk voton për projektligjet që i paraqet në emër të qeverisë që ai përfaqëson, por vetëm debaton me opozitën


Seanca


Debati në Parlament për interceptimin e mbledhjes së socialistëve


BLEDAR HOTI


Parlamenti përplaset për çështjen e përgjimeve. Debate të ashpra u zhvilluan dje në seancë plenare mes Kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të grupit të PS-së, Gramoz Ruçi, në lidhje me përgjimet në seancë. Kryeministri Sali Berisha duke iu drejtuar opozitës u shpreh se “qaheni nga Arben Imami për përgjimet, por Rama ju futi në bunker”. Ruçi u kundërpërgjigj flakë për flakë: “Berisha ka merakun se në nuk na përgjoi dot”.


Debati


Berisha: Pasi ju bëri kooperativistë, me ato celularët ju futi në bunker. U qatë se ju ka bërë Arben Imami përgjim, ja ku doli i juaji. Atëherë do i bëni mocion Ramës ju? Nuk ja bëni dot, vazhdoni me Imamin. Kjo është kupola.


Gramoz Ruçi: Kryeministër kini durimin të na dëgjoni dhe ne. Me sa duket Kongresi i Gruas ju ka djegur shumë, ashtu sikurse edhe ai i forumit të rinisë, edhe funksionimi i forumeve të PS-së, sepse shkove nja 2 vjet e gjysmë që ke bërë kongresin tënd dhe më së fundi edhe sot e kësaj dite shqiptarët nga partia në pushtet nuk dinë ta ketë mbledhur një herë këshillin kombëtar.


Jozefina Topalli: U mblodh Këshilli i Gruas në Sarandë.


Gramoz Ruçi: Sot e kësaj dite qytetarët shqiptarë kanë parë vetëm një herë kryesinë e PD-së të zgjedhur pas 2 vjetësh, vetëm për çështjen e Presidentit. Sot e kësaj dite partia në pushtet ka vetëm kryetar dhe asnjë nënkryetar. Kurse PS-ja është ndryshe. Kjo të ka djegur shumë.


Jozefina Topalli: Ju nuk keni nënkryetar fare. As vendin për nënkryetar nuk e keni.


Gramoz Ruçi – Zonjë, ti e ke me hak se vazhdon të mbash atë…


Jozefina Topalli: Këtu jam.


Gramoz Ruçi:  Sigurisht, aty je, por nuk dihet se çfarë do të jesh. Ky është problemi.


Jozefina Topalli: Këtu jam e këtu do të jem. Ta kam premtuar.


Gramoz Ruçi:  Së dyti, zoti Kryeministër, erdhe dhe ishe i çoroditur aq shumë, saqë ende nuk e di se çfarë diskuton, çfarë ka në axhendë Parlamenti. Fole dhe doje të jepje shpjegime për aktin normativ. Ka kaluar të enjten e kaluar Kryeministër. Sot është tjetër gjë. U hutove aq shumë, saqë iu drejtove deputetëve socialistë se je i merakosur se ata iknin në asamblenë e tyre kombëtare dhe nuk funksiononin celularët. Ata nuk vijnë në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare për të folur me celularë, por vijnë për të bërë mbledhje. Është shumë qesharake dhe e kuptoni se në çfarë derexheje është katandisur funksionimi i jetës politike në Shqipëri. Aty diskutohej strategjia elektorale e forcës suaj kundërshtare në betejën e ashpër elektorale. Ata nuk vijnë në mbledhje të Asamblesë Kombëtare për të folur me celularë, vijnë për të bërë mbledhje. Mos u shqetësoni kolegë. Është shumë qesharake dhe e kuptoni në ç’derexhe është katandisur funksionimi i jetës politike në Shqipëri? Pikërisht këtu moj zonjë, pikërisht këtu mor zoti Kryeministër se t’i nuk ndiqje dot me valët e tua, me përgjimet e tua, strategjinë dhe vendimmarrjen e kundërshtarit tënd politik.


Jozefina Topalli: Pa valë. Herën e parë ju hoqi valët, tani do ju heqë dritat, juve ju ka hequr fare. Juve ju ka hequr krejt, more djalë. Atë e ka çuar në Korçë ty të heq nga Korça, Berati mbetet pa gjë, këta të tjerët nuk vijnë fare. Zoti Kryeministër, urdhëroni!


Sali Berisha: Vetëm dy gjëra do të them. Kam një pyetje personale, se u fut në disa gjëra personale. Jo, është e butë pyetja, madje e njerëzishme. E dyta, është e hidhur shumë, se sipas kësaj teze që shtron zoti Ruçi, opozita do të jetë pa celular. Do të kthehet si në kohët e hershme, sepse frika ime paska penetruar deri në celularët e tyre. Zoti ju mbrojttë! Pyetja personale është shumë e sinqertë: Zoti Ruçi, pse nuk shkon më, (se më kërkove hesap për partinë), në selinë e Partisë Socialiste që pas zgjedhjeve të 8 majit kur të akuzuan se për disa rrethana të caktuara njerëzit e tu bënë konkluzion me stafin e kryebashkiakut të sotëm? Po, jam i sinqertë unë. Madje, gojët e liga më thonë se ke 8 muaj që nuk shkel as në lokalin e Shefikatit. Shkoj unë e nuk shkon ti.


Jozefina Topalli: Po ndoshta shkon te lokali i Shefikatit, po nuk ka asgjë.


Gramoz Ruçi: Nuk ia vlen t’i përgjigjesh, por vetëm kam një vlerësim, se unë Kryeministrin nuk e dua të dizinformuar, por të informuar. Të kanë dizinformuar aq keq more lumzi, saqë selia e PS-së hapet dhe mbyllet me të parin dhe të fundin Gramoz Ruçin. Historikisht. Aq keq je katandisur mor lumzi saqë edhe kafja e Shefikatit të është bërë objekt. Gramoz Ruçi pi kafe vetëm në një lokal dhe ky është lokali që  ndodhet pranë selisë së PS-së, i cili quhet lokali i Shefikatit. Prandaj, të gjithë ata që ke vënë që të më ruajnë mua se ku pi kafen dhe nga shkoj unë, të kanë dizinformuar.


 


 


Debati Berisha-Ahmetaj


Sali Berisha: Prit një minutë se unë kam disa gjëra me ty. Ti si po flet si deputet apo si president i Hermesit që i grabitën 15 milionë euro impulse e biseda mbi Telekomin shqiptar. Ti do të përgjigjesh për këto. Të lutem mos i ngatërro gjërat. E shikoni si u transformua. Merr një gotë ujë se po i bie të fikët.


Jozefina Topalli: Merre për kompliment.


Sali Berisha :Sytë, pasqyrë e shpirtit


Jozefina Topalli: Hermes është kompliment, vishesh bukur, po të jap 2 minuta për replikë


Arben Ahmetaj: Ti duhet të kesh frikë nga unë. Unë nuk kam frikë nga ty ti ke frikë nga unë dhe për këtë betohem në Zot. … ti vrave të pafajshmit në Gërdec, në bulevard më 21 janar


Jozefina Topalli: Ne dridhemi, nuk e shikon


Arben Ahmetaj: Drejtësia s’ka folur mbi ty foli për mua. Ti nuk ndryshon dot, ti ke vrarë 4 veta, ke ndihmuar Millosheviçin në ‘94, ti ke vrarë në ’97. Ti ke vrarë në Gërdec. ..E di çfarë është Hermesi lajmëtar i perëndimit. Je ti njësoj si Lukashenko dhe Chavez. Ti ke vjedhur shqiptarët në ’97, ti ke vrarë 26 veta në Gërdec. Ti je i zi dhe s’të lejohet të flasësh për ekonominë. Ti që flet për kapitalizmin je i zi, ti vetëm ke grabitur, unë kam dalë vetëm, kam punuar vetëm, ti me ke luftuar padrejtësisht, historia ka folur për mua, për ty do të flasë më vonë.


Sali Berisha: Do të jesh në pankinë po të la Edi Rama se dhe aty ke rreziqe. Ke probleme me kryetarin tënd. Mos më frikë nga mua, ke probleme me kryetarin tënd. Mr. Hermes ke 15 mln euro grabitje të Telekomit. Ja si u zbehe ti për një moment. Për 21 janarin, shaminë në fytyrë e di vetë kujt iu hodh. Pyete pak Mimin çdo të thotë kur hidhet facoletë në fytyrë, ajo e di mirë.