Rama ObamaPresidenti i SHBA: Dalja e Britanisë ngre pikëpyetje serioze. Ne mbështesim integrimin europian


Shqipëria, në cilësinë e vendit anëtar, përfaqësohet me një delegacion të nivelit të lartë në Samitin e krerëve të shteteve dhe qeverive të Aleancës së Atlantikut të Veriut, në Varshavë të Polonisë. Delegacioni shqiptar kryesohet nga Kryeministri Edi Rama, me pjesëmarrjen e ministrit të Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, dhe ministres së Mbrojtjes, Mimi Kodheli. Në rrafshin politik, ky Samit konsiderohet me rëndësi të veçantë për Aleancën, pasi zhvillohet në një moment kritik të përballjes me sfida serioze për sigurinë euroatlantike, si nga Lindja, ashtu dhe nga Jugu. Kryeministri Rama dhe delegacioni shqiptar do të jetë pjesë e diskutimeve në qendër të të cilave janë forcimi i mbrojtjes kolektive të Aleancës, projektimi i stabilitetit në hapësirën euroatlantike, kërcënimet e sfidat e sigurisë dhe angazhimi i NATO-s në Afganistan. Ndërsa në ceremoninë e hapjes së punimeve të Samitit të NATO-s, në foton familjare me krerët e shtetit, Presidenti Barack Obama ka shtrënguar duart me Kryeministrin Edi Rama. Ai është pritur edhe nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg. Prej kohësh, Rama është vënë në akuzë nga opozita për foton e disa viteve më parë të tij me Presidentin Obama, madje ka depozituar një padi në prokurori. Fotoja e djeshme e shtrëngimit të duarve mes Ramës dhe Obamës, e shpërndarë nga Kryeministria, duket se është një kundërpërgjigje e kreut të qeverisë ndaj akuzave të opozitës.


Në Varshavë, për dy ditë me radhë, do të mbahet Samiti i Aleancës Ushtarake Euroatlantike. Vëmendja do t’i kushtohet dhe zhvillimeve brenda BE-së, ku Britania e Madhe tashmë është jashtë këtij organizmi europian. Gjithashtu në fokus do të jetë përballja e NATO-s me politikat që po zhvillon Rusia, lufta ndaj terrorizmit etj.


Obama, pro integrimit europian


Presidenti Obama, sipas Zërit të Amerikës, në këtë samit tha se ai pret një shkëputje pa probleme të Britanisë nga Bashkimi Europian.


Samiti i tanishëm po cilësohet si më i rëndësishmi i NATO-s që nga mbarimi i Luftës së Ftohtë. Presidenti Obama i filloi takimet e rëndësishme dyditore në Varshavë me çështjen Brexit, si tema numër një në axhendën e bisedimeve. Një çështje tjetër për diskutim ishte se çfarë mund të nënkuptonte për NATO-n largimi i vendeve të tjera anëtare nga Bashkimi Europian. Pas diskutimeve që pati dje me udhëheqësit e BE-së, Presidenti Obama tha se ai është absolutisht i sigurt se Britania dhe BE-ja do të punojnë për një tranzicion të qetë.


“Bazuar në diskutimet e mia të fundit me kryeministrin Cameron, kancelaren Merkel dhe sot këtu, jam absolutisht i bindur se Britania dhe Bashkimi Europian do të punojnë së bashku në mënyrë pragmatike dhe bashkëpunuese për të garantuar një kalim të rregullt dhe të qetë,” tha Presidenti Obama. Ai tha se votimi britanik për largimin nga BE-ja “ngre pikëpyetje serioze” për të ardhmen e integrimit brenda kontinentit europian, por shtoi se Shtetet e Bashkuara mbeten një mbrojtës i patundur i integrimit europian. Ai u takua me presidentin e Këshillit Europian, Donald Tusk, dhe presidentin e Komisionit Europian Jean-Claude Juncker. Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se ata diskutuan mbi sugjerimet e Presidentit Obama për mënyrën se si mund të procedohet në negociatat e shkëputjes së Britanisë. Diskutimet për temën Brexit mund të zënë një pjesë të mirë të takimit, por zoti Obama përmendi edhe sulmet e fundit terroriste të Shtetit Islamik dhe agresionin rus në Ukrainë, si kërcënime të mëdha për të ardhmen e Europës.


 


Kodheli: Ne në misione në Detin Egje


Duke iu përgjigjur interesit të mediave, ministrja Kodheli foli për rëndësinë e Samitit të Varshavës, situatën në të cilën ai zhvillohet dhe vendimet që pritet të merren në të. “Samiti i Varshavës mbahet në një situatë të tensionuar le të themi, dhe me pikëpyetje të mëdha për sigurinë botërore. Kjo do të thotë që vendet që ndajnë të njëjtat vlera me njëri-tjetrin, anëtare ose jo të NATO-s, qofshin këta partnerë, duan të punojnë për ta pasur këtë siguri që me të vërtetë e ardhmja e tyre do të jetë e sigurt, e kanë të gjithë vështrimin nga kjo ku jemi prezent, nga Samiti i NATO-s. Sot, më shumë se 60 krerë shtetesh, bashkë me ministrat e tyre të Jashtëm apo të Mbrojtjes respektivë, aleatë, partnerë, mblidhen për të diskutuar të ardhmen e botës” – u shpreh ministrja Kodheli, e cila solli në vëmendje edhe angazhimet e Shqipërisë që rrjedhin nga këto vendimmarrje. “Do të ketë një Task-Forcë të Reagimit Shumë të Shpejtë. Shqipëria do të marrë pjesë në këtë gjë me një kompani. Kemi bërë gjithë përgatitjet e nevojshme që kompania të jetë e dislokueshme brenda një afati shumë të shkurtër. Për të mbërritur deri këtu, kemi marrë pjesë në shumë stërvitje. Ne do të marrim pjesë në jug në një mision për herë të parë në det me një anije tonën që do të ketë prezencë me rrotacion në një mision, i cili mbështet misionin e Frontex të BE-së lidhur me menaxhimin e situatës së rënduar në Detin Egje dhe në Detin Mesdhe për shkak të refugjatëve. Pjesë e këtij misioni të NATO-s sot janë Greqia, Turqia dhe udhëhiqen nga Gjermania. Ne do të bëhemi pjesë e kësaj gjëje. Jemi më shumë sesa të mirëpritur dhe besoj që nga nëntori do të mundësojmë një siguri më tepër në Detin Egje në Detin Mesdhe dhe padyshim dhe në ujërat tona” – tha ministrja Kodheli.