Vetëm pak orë përpara skadimit të afatit kohor për miratimin e tre ligjeve të vendosura si kusht nga Brukseli, Drejtori i Zgjerimit në KE, Stefano Saninno, ka deklaruar se Shqipërisë i duhen rezultate të shpejta dhe konkrete për zbatimin e rekomandimeve të mbetura. Gjatë një takimi që ka pasur sot me kreun e diplomacisë shqiptare, Edmond Panariti, në Bruksel, Sannino ka nënvizuar faktin se miratimi i tre ligjeve hap dritën jeshile për statusin.
Në të njëjtën linjë është pozicionuar edhe Ministri Panariti, i cili u ka bërë apel forcave politike për të treguar përgjegjshmëri për marrjen e statusit, i cili sipas tij do të qetësonte klimën politike.
“Forcat politike duhet të kuptojnë rëndësinë e zgjidhjes së situatës. Shpresoj në një zgjidhje për të mirën e vendit” është shprehur Panariti. Ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Panariti ndodhet në Bruksel ku do të marrë pjesë në takimin ministerial mbi nismën Adriatiko-Joniane. Takimi organizohet nga Komisioni Evropian, Komisioneri për Çështjet Rajonale, Johannes Hahn, dhe në të do të marrin pjesë Ministrat e Jashtëm të Italisë, Shqipërisë, Bosnje-Hercegovinës, Kroacisë, Malit të Zi, Serbisë, Sllovenisë dhe Greqisë.
19 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)