Kuvendi


Raundi i tretë zhvillohet më 8 ose më 10 qershor


Raundi i dytë i votimit për Presidentin e Republikës do të mbesë në historinë e Parlamentit si seanca për rekordin Guinness. Seanca e posaçme ka zgjatur 2 minuta e 3 sekonda, kohë e mjaftueshme sa për të lejuar kryeparlamentaren Topalli për të cilësuar si të ezauruar seancën kuvendore për zgjedhjen e kreut të shtetit, edhe pse për të dytën herë radhazi nuk kishte asnjë zyrtar për t’u votuar në seancë. Ashtu si dhe në raundin e parë, të pranishëm në seancë ishin ambasadorët e trojkës, Arvizu i SHBA-së dhe Ettore Sequi i BE-së. Kryetarja e Kuvendit, në hapje të seancës, tha se “Komisioni i Ligjeve është mbledhur para një ore. Ka një raport, i cili u është shpërndarë të gjithëve. Në raundin e dytë nuk ka një kandidat formal për të zhvilluar votimin. Bazuar në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, votimi quhet i kryer”. Në mbyllje të seancës, Kryetarja e Kuvendit njoftoi thirrjen e Konferencës së Kryetarëve për të përcaktuar datën e mbajtjes së raundit të tretë për zgjedhjen e Presidentit të Republikës. Në mbledhjen e konferencës palët janë ndarë në raundin e tretë të votimit. Shumica e anëtarëve në Konferencë mbështetën propozimin që raundi i tretë për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës së Shqipërisë të zhvillohet ditën e premte, dt. 08.06.2012, ora 10:00. Ky propozim nuk u mbështet nga anëtarët e opozitës, të cilët propozuan dy data për zhvillimin e raundit të tretë, ditën e hënë, dt. 11.06.2012, ora 10:00 ose ditën e diel, dt. 10.06.2012, ora 10:00. Për mungesë konsensusi, Konferenca vendosi që zgjedhja e njërit prej këtyre propozimeve të bëhet sipas rregullores së Kuvendit, në seancën e ardhshme plenare.