Miliona fishekë dhe qindra e mijëra predha artilerie deklarohen se përdoren nga Mali i Zi, gjatë viteve 2009-2010
Kryeministri i sotëm ka një histori të pranuar nga ai vetë për trafik ndërkombëtar karburanti me ish-Jugosllavinë
Vendet ku shiten dhe blihen armatime
Raporti
Gjergj Erebara
Një listë e plotë e import-eksportit të armatimeve dhe municioneve nga Shqipëria drejt pjesës tjetër të botës tregon për një aktivitet të ngjeshur tregtar, ku përfshihet jo vetëm eksportimi i armatimeve nga më të ndryshmet të trashëguara nga koha e komunizmit, por edhe importimet me qëllim rieksportin e pajisjeve ushtarake më të sofistikuara.
Mali i Zi është vendi kyç në këtë tregti. Kryeministri i sotëm ka një histori të pranuar edhe nga ai vetë për trafik ndërkombëtar të karburantit në vitet 1994-‘96 me ish-Jugosllavinë përmes Malit të Zi. Tani, Mali i Zi rezulton konsumator i fortë i armatimeve shqiptare. Po ta shikosh nga sasia e municioneve që Mali i Zi teorikisht i ka importuar për konsum personal, duket sikur fqinji ynë verior është një vend në luftë. Në fakt, nuk është kështu.
Lista që është bërë publike nga Autoriteti i Kontrollit Shtetëror të Eksporteve, përmban të dhëna mbi vendin e origjinës ose të destinacionit, llojin e armatimit si dhe sasinë. Raporti vëren se si tregtia e armëve nga Shqipëria ka lulëzuar ndjeshëm gjatë tri viteve të fundit, ku janë vërejtur përpjekje jo vetëm për të eksportuar, por edhe për të ndërmjetësuar mes vendeve të tjera prodhuese dhe “konsumatorëve”. Gjatë vitit 2009, pati vetëm gjashtë praktika, ndërsa në vitin 2010 e 2011, lista e klientëve zgjatet.
Shqipëria rezulton se ka eksportuar në shumë vende europiane si dhe në Republikën Demokratike të Kongos, Burundi, Jemen e Burkina Faso.
Në një rast, dallohet një përpjekje për të kryer rolin e ndërmjetësit mes Malit të Zi dhe Gjeorgjisë, për shitjen e 10 mijë raketave të krahut. Mësohet se tregtarët i patën mbyllur praktikat për importim dhe eksportim njëherësh, por duket se “për fatin e tyre të keq”, lufta mes Gjeorgjisë dhe Rusisë u mbyll shpejt dhe kjo tregti dështoi.
Mali i Zi rezulton një partner i rëndësishëm tregtar dhe në mënyrë të çuditshme, një vend konsumator i armatimeve të rënda. Vendi ynë fqinj rezulton se ka importuar për përdorim personal dhjetëra mijëra predha mortaje, mitraloza të rëndë dhe predha thërrmuese, por fakti është që Mali i Zi nuk ka ushtri dhe nuk ka se si t’i përdorë këto armatime.
Shqipëria ka të drejtë t’u shesë tregtarëve të ndryshëm armatime të çfarëdolloj, me kushtin që këta të fundit të kenë një dokument që quhet certifikata e përdoruesit personal. Është një dokument i thjeshtë, që tregon se një shtet i caktuar deklaron se do t’i përdorë këto armatime për ushtrinë e vet.
Por shumë vende nëpër botë, kanë nivelin e Shqipërisë. Certifikata të tilla blihen me para nga tregtarët e armëve, të cilët më pas i dërgojnë armatimet te zonat e luftës, ku fishekët paguhen si të ishin flori.
Tregtia me Malin e Zi, një vend me ushtri prej vetëm 3 mijë vetash, ka marrë vrull që nga viti 2009. Predhat e mortajave duket se janë më të parapëlqyerat nga “ushtria malazeze”, pasi herë pas here kanë kryer porosi prej 10 mijë, 24 mijë, 50 mijë apo 100 mijë copë njëherësh.
Mali i Zi, i cili dukshëm nuk është konsumatori real i këtyre armatimeve, rezulton çuditërisht vend transit edhe për eksporte drejt vendeve të tjera.
Për shembull, Republika Demokratike e Kongos, një vend që konsiderohet si ferri mbi tokë, ka blerë në Shqipëri 10 mijë predha mortaje 120 milimetra, si dhe 1 mijë granatahedhës, por edhe në këtë rast, vendi transit është Mali i Zi.
Çekët janë një “konsumator” tjetër i rëndësishëm i armatimeve shqiptare, por ata parapëlqejnë fishekët 7.62 milimetra.
Kongo, luftë 60-vjeçare
Vendi me rebelë blen municione dhe predha
- 200 copë mortaja 82 mm
- 60 copë mortaja 120 mm
- 10000 copë predha 120 mm
Ishte gati të blinte granatahedhës të montuar në tytë, 1000 copë, por nuk u realizua
Një nga vendet më të varfra në planet, nuk ka parë kurrë qetësi gjatë gjashtëdhjetë viteve të fundit. Grupime rebele të pafundme masakrojnë popullatën vendëse vazhdimisht.
Burkina Faso, diktaturë 30-vjeçare
Blen armatime për të luftuar fqinjët e vet
- 24 copë mortaja 60 mm
- 15 copë mortaja 82 mm
- 12 copë mortaja 120 mm
- 456 copë predha mortaja
- 1.309.120 copë municion 7.62×39, 7.62×54, 12.7×108
Një vend në Afrikë me diktaturë 30-vjeçare, importon mortaja për të luftuar me fqinjët e vet dhe për të mposhtur rebelët ndaj regjimit. Tregtinë me këtë vend, Shqipëria a ka kryer transit përmes Malit të Zi.
Jemeni i “Pranverës arabe”
Prag lufte civile, desh bleu 4 milionë fishekë
- 20000 copë predha mortaje 120 mm
- 4000000 fishekë, kalibri 12.7×108, por nuk u realizua si proces
Vend arab, i përfshirë nga protestat demokratike të “Pranverës arabe”, i cili për pak sa nuk përfundoi në luftë civile. Diktatori vendas, Saleh, duket se po përgatitej për luftë civile kur importoi municione nga Shqipëria
Burundi, miliona të vdekur
Vendi i konflikteve blen fishekë blindshpues
- 57800 copë fishekë 12.7×108 mm blind djegës
- 57710 copë fishekë 12.7×108 mm blind shpues
Vend afrikan, në zonën e gjenocideve të tmerrshme etnike gjatë viteve ‘90. Miliona njerëz kanë vdekur nga konfliktet Hutu-Tutsi. Shqipëria ka eksportuar shumë herë municione në këtë pjesë të botës, veçanërisht më 1994 dhe 2002