Mes 24  të arrestuarve gjatë operacionit të kryer me ndikim ndërkombëtar të Ambasadës Amerikane janë edhe dy policë, që kanë shërbyer si sekserë të grupit kriminal dhe që kanë mbajtur nën siguri të plotë kryerjen e veprimtarisë kriminale.


Edhe nëse ka pasur informacione në rrugë operative për një grup të tillë ishin vetë policët, që në fakt kanë pasur detyra të rëndësishmë në radhët e Policisë së Shtetit që kanë “shuar” të gjitha faktet dhe asnjëherë nuk është ndërmarrë ndonjë aksion zbulimi.


Eshtë dashur vetëm ndërhyrja e Ambasadës Amerikane dhe mbërritja e agjentëve të DEA për të bërë të mundur ekzekutimin dhe zbardhjen e rrjetit me plot 24 persona të implikuar në grupin e strukturuar kriminal që dërgonte qytetarë me viza false në SHBA, Kanada dhe Mbretërinë e Bashkuar. Si rezultat i këtij operacioni që ka zgjatur për 2 vite, janë arrestuar 15 persona, 7 në arrest shtëpie dhe dy në detyrim paraqitje.


Këta persona kanë funksionuar si një grup i strukturuar me detyra të përcaktuara qartë, ku merreshin me falsifikimin e letërnjofimeve, pasaportave dhe vizave më shumë se një herë dhe kanë ndihmuar më shumë se një herë qytetarë që të hyjnë ilegalisht në SHBA, nëpërmjet tre korridoreve, (Shqipëri-Gjermani-R.Domenikane në Meksikë- SHBA; Shqipëri-Bullgari-Francë-Republika Domenikane- SHBA; Shqipëri-Francë-Londër-R.Domenikane-SHBA), por gjithashtu edhe në Kanada dhe në Mbretërinë e Bashkuar.


Arrestimi i këtyre personave erdhi pas një hetimi të nisur që prej vitit 2019 në bashkëpunim me zyrën e hetimit në ambasadën e SHBA duke u finalizuar ditën e hënë dhe është shtrirë edhe në disa rrethe. Ndaj tyre rëndojnë akuzat pë veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja  e veprave penale nga organizata kriminale dhe grup i strukturuar kriminal”.


Personat e proceduar kryenin transportin e qytetarëve drejt SHBA-së, Kanadasë dhe Anglisë kundrejt një shume prej 5000-10.000 euro. Po si funksiononte ky grup? Përdorej identiteti i personave amerikanë, të cilët në kartën e identitetit, vizën, apo pasaportën e falsifikuar modifikohej duke vendosur foton e qytetarëve shqiptarë.


Për gjetjen e identiteteve përshtatej mosha, ngjashmëria dhe pa dyshim edhe gjinia. Pagesa kryehej fillimisht me paradhënie, dhe më pas pjesa e mbetur jepej pasi personat arrinin në destinacionin final për ku ishin nisur.


Mësohet se pjesë e kësaj skeme ishin të përfshirë edhe dy policë, Besjan Mustafa dhe Behar Ismailaj që kishin për detyrë që të kontrollonin në kufi qytetarët, por pas informacioneve të marra, dy policët nuk i kontrollonin shtetasit shqiptar.