Antimafia. Trualli 11 mijë metra katrorë, ku janë ndërtuar supermarkete, kalçeto, pishinë apo bare e restorante, do të bllokohet deri në një vendim konfiskimi. Më parë, Gjykata e Durrësit rrëzoi sekuestrimin e pasurive 


Dosja italiane për Dashamir Gjokën, i dënuar me 7 vjet e 6 muaj burg. U arrestua në 2013, por tre shkallët e gjyqësorit e liruan 


Sokol Çobo


Kompleksi i Dashamir GjokesNjë qendër tregtare në qytetin e Shijakut është sekuestruar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, në bazë të ligjit antimafie, pasi pronari është i dënuar në Itali për shfrytëzim prostitucioni. Trualli me 11 mijë metra katrorë, ku janë ndërtuar supermarkete, kalçeto, pishina, bare e restorante, do të bllokohet deri në përfundim të procesit gjyqësor, që do të vendosë nëse do të konfiskohen e t’i kalojnë shtetit. Akuza qendrore ka publikuar dosjen e pronarit të këtij kompleksi, Dashamir Gjoka, i cili është dënuar në vitin 2009 me 7 vjet e 6 muaj burg, me vendim të formës së prerë. Episodet për të cilat është deklaruar fajtor Gjoka kanë ndodhur në periudhën 1999-2003, kur banda e drejtuar prej tij ka detyruar dhjetëra vajza me origjinë nga Europa Lindore të prostituonin në Itali, kryesisht në Milano dhe rajonin e Pulias. Akuza qendrore ka dyshime se të ardhurat nga aktiviteti kriminal i ka investuar për ndërtimin e kësaj qendre tregtare, që prej vitit 2002.


 


Dosja italiane


Prokuroria e Krimeve të Rënda ka filluar hetimin pasuror ndaj Dashamir Gjokës në bazë të ligjit antimafie, ku në fund ka vendosur sekuestro për mbi 11 mijë metra katrorë truall dhe ndërtime, përfshirë biznese, si edhe për rreth 15.300 metra katrorë tokë bujqësore. Gjoka hetohet edhe për “pastrim të produkteve të veprës penale”. “Fillimisht, Prokuroria ka marrë miratimin e Gjykatës për Krime të Rënda për vendosjen e sekuestros preventive ndaj këtyre pasurive” thotë akuza qendrore, ndërsa pretendon se në zyrën e saj kanë mbërritur disa akte nga autoritetet italiane.


“Në aktet e administruara rezulton se Dashamir Gjoka është dënuar nga Gjykata e Apelit të Milanos më datë 29 nëntor 2007 që është bërë përfundimtar më datë 7 tetor 2009, me 7 vjet e 6 muaj burgim për veprat penale të organizatës kriminale që synon shfrytëzimin e prostitucionit dhe të tjerë. Episodet për të cilat është deklaruar fajtor dhe dënuar Gjoka, kanë ndodhur në periudhën 1999 deri në vitin 2003. Në këto episode, Dashamir Gjoka del si drejtues i organizatës që vepronte në Milano e Pulia, dhe që merrej që me futjen në mënyrë klandestine në territorin e shtetit italian të grave me origjinë nga Europa Lindore, me qëllim prostituimi në formën e detyrimit, favorizimin dhe shfrytëzimit të prostitucionit”, – thotë akuza qendrore.


 


Paratë dhe ekstradimi


Sipas autoriteteve italiane, banda të gjitha fitimet i transferonte në Shqipëri, kryesisht në emër të Dashamir Gjokës. Ky i fundit, sipas provave në gjykim, me të ardhurat e marra kishte blerë disa prona në Shqipëri. Në vitin 2013, ndaj këtij personi kishte edhe një urdhër arresti nga Gjykata e Monzës në Itali për kryerje të veprave penale “Dhunë seksuale”, “Akte të turpshme”, “Grabitje në rrethana rënduese”, “Mbajtje armësh zjarri”. Mbi bazën e këtyre vendimeve të gjykatës, Dashamir Gjoka është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma në Itali dhe më datë 7 qershor 2013 është arrestuar për efekt ekstradimi. Procesi për lejimin e ekstradimit është zhvilluar në tre shkallët e gjyqësorit në Shqipëri, të cilat kanë refuzuar kërkesën për ekstradim të Prokurorisë së Durrësit. Paralelisht me shqyrtimin gjyqësor për ekstradimin e tij në Itali, Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimin për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, për të verifikuar burimin e pasurive të tij, për të cilat kishte dyshime se ishin krijuar nga aktiviteti i paligjshëm në Itali. Fillimisht, me kërkesë të Prokurorisë, më datë 17 mars 2015, Gjykata e Durrësit ka vendosur sekuestro preventive ndaj pasurive të tij. Por më pas, po kjo gjykatë, më datë 30 qershor 2015, ka urdhëruar heqjen e sekuestros preventive për pasuritë e Gjokës. Në vijim, Prokuroria e Durrësit ka deleguar aktet e procedimit për hetimin pasuror pranë Prokurorisë për Krime të Rënda, e cila është kompetente për zbatimin e ligjit antimafie. Në bazë të këtij ligji, personi nën hetim duhet të justifikojë ligjshmërinë e burimit të pasurive të tij.


 


Sekuestrimet



  1. Kompleksi


I shërbimeve “Gjoka”, me sipërfaqe ndërtimore 6949 m²



  • Objekt i ndarë në 3 kate me emërtim “Supermarket, bar-restorant, motel”

  • Objekt dy kate me emërtim “Disko bar, palestër, sallë lojërash”

  • Objekt një kat me emërtim “Bar Kafe Pishinë”

  • Objekt, motel me dy dhoma

  • Objekt qendra sportive “Kalçeto”

  • Objekt magazinë një kat


 


2. Pemishte – Truall plus ndërtesë me sipërfaqe 1800 m² në Sallmone, Xhafzotaj


3. Tokë arë – Tokë arë me sipërfaqe rreth 18 mijë m², në Sallmone, Shijak, si dhe tokë e ndodhur në Qerret Katund i Ri me sipërfaqe 1546 m²


4. Truall – Ndërtesë, plus truall, me sipërfaqe 1247 m²; truall e ndërtesë 230 m², në Sallmone, Shijak, në të cilën është ngritur një godinë shërbimi dy kate plus bodrum. Gjithashtu iu sekuestrua pasuria me sipërfaqe 928 m² brenda së cilës ndodhet një ndërtim 160 metër dhe truall 400 m².


 


Dokumenti i QKR


Prokuroria: U sekuestrua shoqëria “Gjoka” sh.p.k me të gjithë asetet


Prokuroria e Përgjithshme ka sekuestruar shoqërinë “Gjoka” sh.p.k, me pronar Dashamir Gjokën. Sipas dokumentit të Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR), ajo është regjistruar më datën 10 janar 2003, ndërsa si themelim ka dhjetorin e vitit 2012. Vendi ku ushtron aktivitetin kjo shoqëri është në Sallmone, Shijak. Objekti i firmës është “tregtim me shumicë dhe pakicë, import-eksport të artikujve të ndryshëm të të gjitha llojeve. Hoteleri-turizëm. Transport mallrash, pikë servisi, etj. Tregti e karburanteve me pakicë, vajra lubrifikantë dhe të gjitha nënproduktet e tyre. Tregtim dhe shpërndarje të gazit të lëngët dhe të nënprodukteve të tjera. Pastrimin, mbledhjen dhe transportimin e mbetjeve urbane, plehrave dhe mbeturinave në territore ku ushtron aktivitet shoqëria jonë”. Kapitali është rreth 17 milionë lekë të reja, ndërsa mësohet se, në kohën kur Dashamir Gjoka qëndronte në Itali, kompania kishte filluar të zgjeronte aktivitetin në Shqipëri. Sipas dokumenteve që disponon ‘Shqip’, Dashamir Gjoka është emëruar administrator në vitin 2006, ndërsa në vitin 2009, kompania u mor edhe me hoteleri-turizëm, apo në fushën e karburanteve. Në vitin 2015, shoqëria zgjeroi aktivitetin dhe në pastrimin, mbledhjen dhe transportimin e mbetjeve urbane. Shoqëria ka bërë ndryshimet e fundit një muaj më parë, kur ka dorëzuar në QKR pasqyrat e rrjedhjes së parasë, ndryshimet e kapitaleve të veta, të ardhurat e shpenzimet apo bilancin kontabël.


 


Historia


Dashamir Gjoka nga Shijaku u përmend edhe në raportin “Olldashi”


Pronari i kompleksit Gjoka në fshatin Sallmone të Shijakut është përmendur edhe në vitin 2007 në një raport të quajtur “Olldashi”, i cili u publikua në disa media. Në ato dokumente, që pretendoheshin se ishin në duart e autoriteteve në SHBA, theksohej se ish-deputeti i ndjerë, ndër të tjerë, kishte lidhje edhe me Dashamir Gjokën apo edhe klanin e tij. Në materialet e publikuara në atë kohë pasqyroheshin të gjitha krimet e Gjokës, duke filluar nga viti 1996. “Në vitin 1996, Gjoka ka vrarë një qytetar nga Shkodra në Itali, duke i prerë kokën për shkak trafikimi femrash. Ai është larguar menjëherë nga Italia dhe është kthyer në Shqipëri. Është marrë me ndërtimin e supermarketit në Sallmone” ishte një episod, duke vijuar se në vitin 1998, në bashkëpunim me Arben Tollinë, i dënuar për përdhunim dhe i vrarë pak kohë më parë, kishin vrarë një vajzë. Në materialet e publikuara thuhet se Dashamir Gjoka ishte arrestuar në vitin 1998, por është liruar pas 11 muajsh për mungesë të provave.


Në vitin 1999, klani Gjoka, thuhej në raport, ka qëlluar një mjet të Ilir Xhakajt në Sallmone, ku është vrarë një person dhe është plagosur një tjetër. Ngjarja është ende e pazbardhur. Raporti që pretendohet se ka burim Departamentin e Dhtetit Amerikan vazhdonte se nipërit e Gjokës janë shpërndarës të drogës në zonat e Shijakut, Durrësit dhe Tiranës, ndërsa detyrojnë vajzat të prostituonin në Itali.


Paratë e marra nga aktiviteti shërbyen për ndërtimin e disa bizneseve dhe vilave. Raporti vazhdonte se Dashamir Gjoka ka qenë anëtar i komisionit në Sallmone në vitin 2005. “Klani Gjoka janë vënë në dukje nga Policia e Shtetit, si kontingjent i rrezikshëm kriminal me tendenca të theksuara kriminale si vrasje, drogë dhe trafikim prostitucioni”, – thuhej në raport, i cili vijonte se supermarketi “Gjoka” ishte qendra kryesore e trafikimit të drogës që vjen nga Turqia dhe Maqedonia, ndërsa theksohej se Gjoka kishte lidhje të ngushta me deputetë të PD-së.