“Do të vijojë të kontribuojë për integrimin e Shqipërisë”
Ambasadori i Bashkimit Europian, Etore Sekui, ka nisur takimet e tij të ndarjes me drejtuesit e lartë të politikës shqiptare, por ka theksuar se në pozicionin e ri do të vijojë të kontribuojë për Shqipërinë. Në mbrëmje, Sekui ka zhvilluar një darkë përshëndetëse ku morën pjesë drejtuesit më të lartë të politikës shqiptare, Kryeministri Edi Rama, ministrat dhe pjesa më e madhe e deputetëve të Parlamentit shqiptar. Në këtë darkë, ai theksoi se ndihej keq që po ndahej pas tetë vitesh nga një vend si Shqipëria, i cili kishte ngrohtësi njerëzore dhe bukuri natyrore. “Ndiej dhimbje që po largohem nga Shqipëria. Do të vijoj të punoj që Shqipëria të jetë shumë shpejt vendi i Bashkimit Europian”, theksoi Sekui në ceremoninë e titulluar ‘Arrivederci’. Paradite ai e nisi ditën me një takim me ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati, ku ka theksuar se pozicioni i ri, si drejtor kabineti i Ministrisë së Jashtme italiane do ta ndihmoj të japë kontribut për Shqipërinë. Një takim ai zhvilloi dhe me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Për këtë takim, zyra e shtypit të PD-së theksoi se: “Basha vlerësoi rolin që ambasadori Sekui ka luajtur këto vite në Shqipëri duke kontribuar në procesin e integrimit europian të vendit dhe e siguroi diplomatin europian se Partia Demokratike mbetet një mbështetëse e palodhur dhe pa kushte e integrimit europian të Shqipërisë. Sekui shprehu vlerësimet e tij për qëndrimet e PD-së në qeveri dhe në opozitë në mbështetje të integrimit europian të Shqipërisë”.