Në një konference për shtyp mbrëmjen e sotme, ambasadori i BE në vendin tonë, Ettore Sequi, ka theksuar edhe një herë se përmbushja e reformave të mbetura do bëjë të mundur marrjen e plotë të statusit nga ana e vendit tonë në dhjetor. Pasi u dorëzoi progres-raportin e KE krerëve më të lartë të shtetit, kryeministrit Berisha dhe presidentit Nishani, Sequi ka bërë një prezantim të progres-raportit për Shqipërinë, që u kurorëzuar me një rekomandim për marrjen e statusit kandidat.


Sequi vlerësoi se ky progres-raport shënon një moment shumë të rëndësishëm për vendin tonë, si bilanci i zhvillimeve pozitive në 12 muajt e fundit në kuadër të përmbushjes së 12 prioriteteve të lëna nga BE, por njëkohësisht bëri thirrje për angazhim të mëtejshëm të klasës politike për të përmbyllur me sukses reformën në gjyqësor, reformën parlamentare dhe ligjin për shërbimin civil.


“Në përgjithësi Shqipëria pati progres të mirë për sa i përket përmbushjes së 12 prioriteteve. Gjatë kësaj kohe janë përmbushur disa kritere kyçe, që kanë të bëjnë me funksionimin e parlamentit, zgjedhjen e Avokatit të Popullit dhe reformën zgjedhore. Shqipëria po ecën në rrugën e duhur për sa i përket reformës për administratën publike”, – tha Sequi.


Ambasadori i BE në vendin tonë deklaroi se një nga parakushtet shumë të rëndësishme për hapjen e negociatave për integrimin e vendit tonë në BE është mbajtja e zgjedhjeve 2013 brenda standardeve europiane si dhe forcimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por edhe fuqizimi i pavarësisë së institucioneve gjyqësore.

Më tej Sequi nënvizoi se procesi i integrimit është një meritë e të gjithë faktorëve në vend, duke përfshirë qeverinë, opozitën dhe shoqërinë civile dhe njëkohësisht u përket të gjithëve.

10 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)