Ambasadori i Bashkimit Europian në Shqipëri, Ettore Sequi ka takuar sot kryesocialistin Edi Rama, i kthyer pak ditë më parë nga Brukseli. Diplomati i huaj, në një prononcim për mediat, pas daljes nga selia rozë, e ka cilësuar si konstruktiv takimin me kreun e PS-së dhe ka garantuar se opozita do të luajë një rol konstruktiv në rrugën drejt integrimit për në BE.


“Ne diskutuam për situatën aktuale në vend duke marrë parasysh që Komisioni Europian do të nxjerr raportin e progresit për Shqipërinë. Takimi ishte konstruktiv. Vura re vullnetin e opozitës për të ecur përpara në rrugën drejt Bashkimit Europian dhe jam i sigurt që në të ardhmen do të luajë një rol progresiv dhe kontruktiv për të ecur përpara drejt integrimit” shtoi Sequi.


I pyetur për qëndrimin e tij për debatet e fundit për ligjin e Gjykatës së Lartë, ambasadori Sequi është shprehur optimist se palët politike në vend do të gjejnë zgjidhje.


“Unë dua të përsëris atë që sapo thashë që opozita edhe në të kaluarën ka luajtur një rol konstruktiv për rrugën drejt BE-së. Unë e kam them që integrimi në Bashkimin Europian është një objektiv kombëtar, është një objektiv i të gjithëve. Edhe unë e kam ndjekur debatin që është bërë në Shqipëri gjatë gjithë këtij viti. Reformat e rëndësishme si ajo zgjedhore dhe Avokati i Popullit ishin në fund të suksesshme. Unë jam një njeri që kam besim në ndërgjegjësimin e politikës që integrimi është një prioritet për Shqipërinë dhe kjo do të mbetet në qendër” shtoi Sequi.


Në 10 tetor Komisioni Europian do të publikojë progres raportin për Shqipërinë ku pritet të jepet një përgjigje për marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian.


24 shtator 2012 (gazeta-Shqip.com)