Ambasadori i BE-së, në vendin tonë, Etore Sequi ka apeluar sërish sot për domosdoshmërinë e vijimit të reformës në drejtësi, duke theksuar se Shqipëria ka nevojë për një gjyqësor të pavarur si parim i padiskutueshëm për një vend që aspiron të bëhet anëtare e BE.
Deklaratat e Sequit u bënë gjatë takimit të pestë të Komitetit Drejtues të Palëve të Interesit, të projekti të financuar nga Bashkimi Europian në ndihmë të sistemit shqiptar të drejtësisë EURALIUS, ku ishin të pranishëm edhe ministri i drejtësisë, Eduard Halimi dhe prokurori i ri i përgjithshëm, Adriatik Llalla.
“Duhet reformë në gjyqësor për eficencën, pavarësinë, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kapacitetet njerëzore janë të rëndësishme për përgjegjshmërinë e institucioneve dhe veçanërisht të gjyqësorit. Të drejtat që kushtetuta u jep qytetarëve nuk janë asgjë nëse nuk garantohen nga një gjyqësor i pavarur dhe i përgjegjshëm. Në çdo shtet europian, ku Shqipëria do të jetë anëtare e BE, këto janë parime të padiskutueshme”, – tha Sequi.
Ambasadori i BE-së shtoi ndër të tjera se reforma në drejtësi duhet të vazhdojë pavarësisht, fushatës elektorale dhe se për këtë duhet bashkëpunim konstruktiv mes forcave politike.
Nga ana e tij, ministri i Drejtësisë Eduard Halimi nënvizoi faktin se reformat në sistemin e drejtësisë vijon të jetë prioritet i rëndësishëm i qeverisë dhe akuzoi opozitën se po mban të bllokuar tre ligjet kërkuara nga BE-ja, ndër të cilët edhe ai për Gjykatën e Lartë, i cili i shërben vendit dhe qytetarëve.
Në fjalën e tij, kryeprokurori Adriatik Llalla, pasi ka falënderuar BE për mbështetjen ndaj gjyqësorit në vendin tonë, deklaroi se askush nuk do të dalë mbi ligjin dhe asnjë prokuror nuk do lejohet të abuzojë.
17 dhjetor 2012 (gazeta-Shqip.com)