Ambasadori, takim me kreun e shtetit për 12 rekomandimet
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, priti dje kreun e Delegacionit të Bashkimit Europian në vendin tonë, ambasadorin Ettore Sequi. Sipas njoftimit zyrtar bëhet e ditur se gjatë takimit u bisedua për vizitën e pritshme që Presidenti Nishani do të zhvillojë në Bruksel, nga data 17-19 shtator 2012, ku do të takohet me autoritetet më të larta të BE-së. Ambasadori Sequi inkurajoi Presidentin Nishani dhe nëpërmjet tij, institucionet shqiptare, të përmbushin kërkesat e paraqitura nga Bashkimi Europian në lidhje me reformimin e sistemit gjyqësor, luftën kundër korrupsionit, ligjin për kufizimin e imunitetit dhe reformën parlamentare. Presidenti i Republikës, nga ana e tij, e garantoi kreun e Delegacionit të BE-së në Tiranë se Institucioni i Presidentit dhe të gjitha institucionet shqiptare do të bëjnë më të mirën e mundshme për të shfrytëzuar në mënyrë efektive kohën e mbetur, për të plotësuar kriteret që garantojnë marrjen e statusit të vendit kandidat në BE dhe se do të vazhdojnë përpjekjet për rritjen e standardeve edhe pas këtij momenti.