Ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi, ka apeluar sërish për gjetjen e dialogut mes forcave politike në Shqipëri për përfundimin e reformave. Ndërsa i ka dorëzuar sot progres- raportin e KE-së, kreut të LSI-së Ilir Meta, ambasadori Sequi u shpreh optimist për realizimin e 3 kritereve të kërkuara nga Bashkimi Europian.
“Përmbushja e reformave që janë të nevojshme në mënyrë që Këshilli të pranojë rekomandimin e Komisionit Europian janë të mundshme. Realizimi i refomave është e nevojshme të bazohet tek arritjet që janë bërë të njohura në progres raport. Këto arritje kanë qenë të mundura të realizohen përmes dialogut dhe konsensusit politik dhe kjo është interesi më i mirë për integrimin e Shqipërisë”, u shpreh ambasadori Sequi. Ai ka theksuar se me rëndësi është edhe zbatimi i reformave të arritura deri më tani, në mënyrë që në muajin dhjetor të merret një vendim pozitiv për Shqipërinë. “Në muajin dhjetor të keni mundësi që ti japni shteteve anëtare argumente bindëse. Kjo është e mundur, është diçka e cila bëhet, arrihet por që dhe njëherë për këtë kërkohet vullneti, angazhimi, fryma e kompromisit, dialogu”, tha Sequi.
Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe kreu i LSI-së Ilir Meta i cili theksoi se vetëm bashkëpunimi do të bëjë të mundur përmbushjen e reformave të kërkuara.
“Është një proces që do të vazhdojë dhe pavarësisht nga arritjet pozitive lidhur me zhvillimet e fundit, progresi i realizuar në bazat e një bashkëpunimi dhe konsensusi duhet të vazhdojë. Kemi edhe disa çështje ku përmbushja e të cilave do të çojë më tej projektin e përbashkët të integrimit, për hapjen e negociatave dhe më pas për anëtarësimin e Shqipërisë”, u shpreh Meta.
12 tetor 2012 (gazeta-Shqip.com)