Çfarë u lëshua nga Kosova – Kosova pranoi t’i japë të drejta të posaçme katër komunave serbe, të cilat do të mblidhen në një entitet të vetëm të quajtur Asosacioni. Asosacioni do të ketë të drejta mbi arsimin, shëndetësinë dhe drejtësinë deri te gjykatat e apelit, por do të ruajë autoritetin final gjyqësor. Komunat serbe do t’u binden ligjeve të Kosovës. Beogradi do të vijojë të mos e njohë Kosovën si shtet i pavarur dhe vështirësitë për anëtarësim në OKB mbeten.


Çfarë përfitoi Kosova – Serbia pranoi të njohë autoritetin e kuadrit ligjor të Kosovës mbi të gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe zonat e banuara nga serbët. Kosovës iu premtua hapja e bisedimeve për Marrëveshje për Stabilizim dhe Anëtarësim, hapi i parë drejt BE-së. Shqipëria e mori këtë hap në vitin 2003. Bisedimet vijuan deri në vitin 2007. Serbia premtoi se nuk do të bllokojë apo nuk do të nxisë shtete të tjera të bllokojnë integrimin e Kosovës në Serbi.


Çfarë përfitoi Serbia – Brukseli premtoi hapjen e bisedimeve për anëtarësim në BE, hapi i fundit para anëtarësimit faktik. Shqipëria. Bosnja dhe Kosova nuk e kanë ende këtë status. Kosova mbetet zyrtarisht e panjohur nga Serbia. Katër komuna serbe do të kenë territor të zgjeruar në Kosovë në përputhje me paktin “Ahtisaari”, i cili u pranua dhe u zbatua nga Kosova, por nuk u pranua nga Serbia. Kosova mbetet ende pa viza dhe me bllokazh në BE nga 5 anëtarë që nuk e njohin si shtet.


Beogradi “njeh” autoritetin e Prishtinës në Mitrovicë, merr policinë dhe drejtësinë e komunave


thaci dacic ashtonBeogradi dhe Prishtina kanë rënë dakord më në fund për të ardhmen e veriut të Kosovës, të premten në Bruksel.


Pas gati katër orë bisedimesh të ndërmjetësuara nga BE-ja, midis Beogradit dhe Prishtinës, të dy delegacionet nënshkruan një marrëveshje të shumëpritur, tha përfaqësuesja e politikës së jashtme të BE-së, Catherine Ashton.


Të dy ekipet miratuan një marrëveshje 15-pikëshe, që ishte paraqitur nga Ashton në raundin e nëntë të bisedimeve, më 17 prill.


Draftmarrëveshja parashikon që komuniteti lokal serb do të zgjedhë shefat e policisë lokale, ndërsa përbërja e policisë do të reflektojë strukturën etnike në terren. Drafti propozon gjithashtu më shumë gjyqtarë që vijnë nga minoriteti serb.


Asociacioni i Komunave serbe me kompetenca të gjera do të përfshijë katër komuna të udhëhequra nga serbët: Mitrovica Veriore, Leposaviqi, Zveçani dhe Zubin Potoku.


Që nga përfundimi i konfliktit të Kosovës në fund të viteve 1990, Kosova Veriore ka qenë jashtë kontrollit të Prishtinës, ndërsa Serbia ka vazhduar të financojë sigurimin lokal, institucionet gjyqësore, shëndetësore dhe arsimore.


Në mëngjesin e së premtes, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Anders Fogh Rasmusen tha se NATO-ja do të bëjë gjithçka për të zbatuar një marrëveshje të arritur mes Beogradit dhe Prishtinës.


Ai takoi Zëvendëskryeministrin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të diskutuar rolin e NATO-s në garantimin e sigurisë për serbët në Kosovë.


Rezultatet e bisedimeve të fundit shihen si vendimtare për raportin e BE-së për progresin e Serbisë, prezantimi i të cilit është shtyrë.


Dorëzimi i raportit, të planifikuar për të martën, është shtyrë për “disa ditë” në mënyrë që të përfshihen zhvillimet më të reja.


Ashton pritet të informojë Këshillin Europian për çdo progres të bërë në bisedimet Beograd-Prishtinë më 22 prill.


Pas kësaj Këshilli mund t’i japë Serbisë datën e bisedimeve të pranimit në qershor.


Reagimi në Tiranë


Lajmi i nënshkrimit të marrëveshjes u përshëndet dje nga edhe nga politika shqiptare. I pari qe ish-presidenti Bamir Topi, i cili tha se marrëveshja i hap rrugë integrimit të Kosovës dhe Serbisë në Bashkimin Europian.


Për Kryeministrin Berisha, marrëveshja qe “një arritje madhore”.


“Në Bruksel, pas negociatash serioze u arrit marrëveshja midis Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Baroneshës Ashton dhe mbështetjen direkte të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për procesin”, njoftoi zyra e Kryeministrit. “Kjo marrëveshje historike përbën një arritje madhore, tejet të rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë, normalizimin e marrëdhënieve midis tyre”, vijon më tej deklarata.


 


 


Komentet e medias ndërkombëtare


BBC komentoi lajmin mbi arritjen e marrëveshjes si një pikë vendimtare në normalizimin e marrëdhënieve, si dhe një mjet që “pritet t’i hapë rrugë bisedimeve për anëtarësim në BE të të dyja palëve”.


Por korrespondenti i BBC në Beograd, Guy Delaunay, thotë se marrëveshja, e cila u jep serbëve të Kosovës polici dhe gjykata fakti e apeli, ndonëse nuk jep autonominë e gjerë që qe kërkuar fillimisht, nuk jep as njohje reale të pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë.


Falë marrëveshjes, Serbia do të marrë një datë për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit në Bashkimin Europian. Nga ana e Bashkimit Europian, nuk pati ndonjë deklaratë konkrete se çfarë përfiton Kosova nga marrëveshja në termat e integrimit.


Por në termat e stabilitetit, Serbia ka premtuar se nuk do të mbajë më struktura paralele në komunat e banuara nga serbët.


“Reuters” e konsideroi marrëveshjen ‘historike’, por nënvijëzoi se bisedimet për anëtarësim do të nisin vetëm për Beogradin. “Reuters” raporton gjithashtu se Serbia e ka shpallur marrëveshjen jopërfundimtare dhe “subjekt” i miratimit nga organet shtetërore në Beograd. Kryeministri Ivica Daçiç tha se do të njoftojë BE-në të hënën për faktin nëse e pranon apo e refuzon, por diplomatët thanë se ka shumë pak gjasa që Serbia të refuzojë.


Një burim nga Komisioni Europian tha për “Reuters” se komisioni ka gjasa do të rekomandojë fillimin e bisedimeve të anëtarësimit për Serbinë dhe do ta vendosë Kosovën në rrugën për marrëveshjen e Stabilizimit dhe Anëtarësimit, instrumenti i përdorur si fazë e ndërmjetme deri në anëtarësim. Kjo është edhe marrëveshja që sot ka Shqipëria me BE-në.


Pjesë të marrëveshjes të para nga “Reuters” thonë se Serbia dhe Kosova kanë rënë dakord të mos bllokojnë anëtarësimin e njëra-tjetrës në BE. Pika 14 thotë se palët bien dakord “të mos bllokojnë palën tjetër ose të mos nxisin të tjerë të bllokojnë palën tjetër”, në procesin e anëtarësimit në BE.


“Reuters” vëren gjithashtu se pavarësisht entuziazmit, marrëveshja mund të jetë shumë e vështirë për t’u zbatuar në praktikë. Sipas marrëveshjes, veriu i Kosovës do të integrohet në kuadrin ligjor të Kosovës, por do të ruajë autonomi të kufizuar në arsim, shëndetësi, polici dhe gjykata.


Si pjesë e vijimit të lojës, këshilltarët komunarë serbë në Kosovën e veriut kërkuan zhvillimin e një referendumi në Serbi me pyetjen nëse Kosova duhet të jetë apo jo pjesë e Serbisë dhe nëse Beogradi duhet ta pranojë apo refuzojë marrëveshjen.


Për “Reuters”, marrëveshja shënon ndoshta hapin e fundit të luftërave që u kryen në procesin e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. Edhe disa analistë investimesh thonë se marrëveshja do të ketë efekte pozitive në kuptimin që Serbia do të jetë një vend më i sigurt për investime.


Gazetari i “New York Times”, DAN BILEFSKY tha se marrëveshja “u jep serbëve të Kosovës më shumë autonomi në gjithçka – nga kujdesi shëndetësor tek arsimi – në këmbim të njohjes nga ana e Beogradit të autoritetit të Prishtinës mbi këto territore. Marrëveshja është shumë larg njohjes së Kosovës nga Serbia, sipas Bilefskyt, por gjithsesi, analistët, sipas tij, mendojnë se një fazë e re pajtimi mes Serbisë dhe Kosovës ka nisur.


Sipas NYT, marrëveshja shënon edhe një vendikim të fuqive të buta të Bashkimit Europian dhe aftësisë së saj për të kushtëzuar anëtarësimin në bllokun tregtar më të madh të botës me detyrimin e vendeve aspirante që të pranojnë kompromise të vështira.