Zjarret
Situata alarmante e zjarreve në malin e Dajtit ka bërë që një grup deputetësh socialistë të shkojnë në terren për të parë nga afër se çfarë po ndodh. Deputetët Eduard Shalsi, Besnik Baraj dhe Xhemal Qefalia i kanë rënë sërish kambanave për situatën e jashtëzakonshme në të cilën është Shqipëria nga zjarret. Për deputetin Shalsi, kjo qeveri ka kapitulluar në menaxhimin e emergjencës së zjarreve dhe i ka lënë pasuritë e shqiptarëve në mëshirë të fatit. Deputeti socialist ka theksuar se as kryeministri e asnjë prej ministrave nuk është bërë i gjallë të thonë qoftë edhe një fjalë e jo më të vizitojë zonat e djegura.
“Disa ditë me parë i ramë kambanave të alarmit të shqetësuar thellësisht, nga njëra anë për zjarret masive dhe situatën e jashtëzakonshme në të cilën gjendet Shqipëria dhe nga ana tjetër, indiferenca e qeverisë. I kërkuam madje Sali Berishës që të mos merrej me opozitën por të kthente sytë nga zjarret.
Po çfarë po ndodh? Ku janë ministrat përgjegjës që janë zhdukur pa nam e nishan? Përse nuk vijnë e të shohin në terren se çfarë ndodh? Përveçse daljeve publike të një aparatçiku të mekur, asnjë prej ministrave nuk është bërë i gjallë të thonë qoftë edhe një fjalë e jo më të vizitojnë ndonjë zonë të djegur. Po Sali Berisha ç’bën? Në daljet e përditshme të bezdisshme të Sali Berishës në TV, deri më sot ai ka folur për gjithçka, por asnjë fjalë të vetme për zjarret”, tha Shalsi.