28-vjeçari shqiptar akuzohet për vrasje dhe ka përfituar ulje të dënimit për shkak të bashkëpunimit me drejtësinë amerikane


Almir Rrapo, ish-zyrtar i Ministrisë së Jashtme shqiptare, është dënuar me 6 vjet burg në Shtetet e Bashkuara të Amerikës me akuzën e vrasjes. Rrapo u ekstradua nga Shqipëria për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku rezultonte i kërkuar për një vrasje të kryer në vitin 2005, në Nju Jorku, për t’u përballur me akuzat e ngritura ndaj tij nga drejtësia amerikane. 28-vjeçari shqiptar rezultonte i përfshirë në një bandë kriminale ku kishte ushtruar veprimtari kriminale, përfshi shpërndarje droge dhe rrëmbim personi.


Ndërkohë, dy anëtarë të ish-bandës së tij, vëllezërit Bruno dhe Saimir Krasniqi u dënuan një vit më parë me burgim të përjetshëm pas dëshmisë së Rrapos, i cili kishte bashkëpunuar me drejtësinë amerikane dhe e kishte ndihmuar në zbardhjen e shumë veprave kriminale të kryera nga personat e mësipërm. Pikërisht për shkak të bashkëpunimit me drejtësinë, Rrapo përfitoi edhe ulje të dënimit duke marrë 6 vjet burg.


Mësohet se Rrapo ka pranuar shumë nga veprat kriminalë të kryera prej tij nga vitet 2002 deri më 2010, kohë kur ka qenë pjesëtar i një rrjeti të trafikut të drogës, ka grabitur një shpërndarës marijuane, ka rrëmbyer dhe ka planifikuar vrasjen e një shpërndarësi droge, si dhe ka shitur armë.

27 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)