“Me këtë nuk dua të them se të gjithë kryeministrat duhet të jenë artistë, përkundrazi, është mirë që politika të mbledhë njerëz me background-e të ndryshme. Besoj se aftësitë që kemi në një fushë mund të na ndihmojnë ose të na pengojnë në një tjetër, edhe pse pavarësisht gjithçkaje, artisti brenda meje nuk rri asnjëherë i qetë”
Kryeministri e nis vizitën tetëditore duke folur te forumi i liderëve botërorë
Kryeministri Edi Rama e nisi vizitën në Nju Jork, duke u adresuar me një fjalim në “World Leadership Forum”, me temë “Arti dhe politika”. Forumi është iniciativë e Organizatës për Politikë të Jashtme, një organizatë me një historik 97-vjeçar, dedikuar zhvillimit të mendimit, kuptimit, informimit dhe pjesëmarrjes së publikut në politikën e jashtme dhe çështjet globale. Duke treguar përvojën e tij si artist dhe politikan, Kryeministri shpjegoi se çdo të thotë për të, të qenët artist dhe politikan njëherësh. Një rrugëtim që i përvijoi bindjen se politika, ashtu si arti, ndonëse në mënyra të ndryshme, është një aktivitet i denjë e kuptimplotë që e bën botën një vend më të mirë. “Unë kam qenë artist, akoma më pëlqen të pikturoj dhe të vizatoj, vetëm se kam më pak kohë. Por edhe në politikë përpiqem gjithnjë të pikturoj me ngjyra, të vizualizoj si e duam vendin që të bëhet, të ndiej si e duam që të ndryshojë në një hap me botën rreth nesh. Me këtë nuk dua të them se të gjithë kryeministrat duhet të jenë artistë, përkundrazi, është mirë që politika të mbledhë njerëz me background-e të ndryshme. Besoj se aftësitë që kemi në një fushë mund të na ndihmojnë ose të na pengojnë në një tjetër, edhe pse pavarësisht gjithçkaje, artisti brenda meje nuk rri asnjëherë i qetë”, u shpreh Kryeministri. Rama, duke hequr gjithnjë një paralele me artin, shpjegoi edhe vizionin e tij për Ballkanin e sotëm dhe të nesërm. “Tabloja që unë kam të një Ballkani të ri, një Ballkan në paqe dhe i begatë, i cili të jetë me siguri një hapësirë që s’ka ekzistuar kurrë më parë, nënkupton dialog të madh që përfshin partnerë origjinalë ose kundërpalë siç është arti dhe zgjedhjet shumëfishohen, vizioni zgjerohet dhe hapja në korridoret e politikës bëhet më e thellë se kurrë”, theksoi kreu i ekzekutivit. Duke ndjekur deri në fund shtjellimin krahasues mes politikanit dhe artistit, për Kryeministrin, në politikë tabloja nuk përfundon kurrë. “Kur bëj një pikturë, a vizatoj diçka në axhendën time, vjen një pikë kur përfundon. Puna ka mbaruar. Ndërkohë, në politikë, tabloja nuk përfundon kurrë tërësisht. Në çdo hap përballemi me zgjedhje që duhet të bëjmë, ashtu sikurse artisti. Kjo apo ajo ngjyrë, ky apo ai penel”, theksoi Rama. Kryesocialisti në këtë forum ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama. Ndërsa nuk ka ngurruar të postojë foto dhe nga pjesëmarrja në Asamblenë e OKB-së, ku me rastin e 70-vjetorit ka folur Ati i Shenjtë, Papa Françesku. “Nis sesioni historik i 70-vjetorit të OKB-së me ovacione për të ftuarin e nderit, Papa Françeskun”, shkruan Rama në “Facebook”. Presidenti Barack Obama ka iniciuar mbajtjen e një samiti me vendet e koalicionit anti-ISIS më 26 shtator në Nju Jork, nga ku do t’u bëhet një bilanc arritjeve të deritanishme dhe sfidave përballë Shtetit Islamik dhe ekstremizmit të dhunshëm. Kryeministri Edi Rama është një prej 12 liderëve politikë botërorë dhe i vetmi nga vendet e rajonit që do të mbajë një fjalë për të ndarë me pjesëmarrësit, atë që amerikanët e kanë vlerësuar si një sukses të Shqipërisë në përballjen me ekstremizmin. Kjo ftesë vjen edhe si një vlerësim nga Shtëpia e Bardhë pas iniciativës së Ramës për ngritjen në Shqipëri të një qendre rajonale të promovimit të vlerave që luftojnë ekstremizmin dhe dhunën. Disa ditë më parë, një grup pune nga Uashingtoni që po merret me organizimin e samitit ka qëndruar në Tiranë, duke u takuar me Ramën për të koordinuar axhendën e samitit.