Kabllogrami – Më 14 dhjetor të vitit 2009, ambasadori i SHBA-së në Jemen informon Departamentin e Shtetit për një kontratë të firmosur nga “Moon Storm Enterprises” me Ministrinë e Mbrojtjes së Jemenit
Ngarkesa – Sipas kontratës, kompania e drejtuar nga serbi Slobodan Tesiç duhet të furnizonte ushtrinë e Jemenit me armë të lehta, municione, armë kundërajrore dhe topa obuz të kalibrit të rëndë
Bullgarët – Ambasada bullgare shfaqte shqetësimin e shitjes të jashtëligjshme të armëve të prodhimit bullgar nga kanale jozyrtare. Në vitin 2005, Slobodan Tesiç ishte ndaluar që të vizitonte Bullgarinë
“Wikileaks”/Kabllogrami i dhjetorit 2009 nga ambasada amerikane në Jemen
Ambasadori Stephen A. Seche, në një kabllogram drejtuar Departamentit Amerikan të Shtetit, informon mbi aktivitetin e kompanisë që zotëron Slobodan Tesiç, “Moon Storm Enterprises” e përmendur dje nga nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe, si partner i Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë. Slobodan Tesiç, përveç se një trafikant armësh, është një qytetar serb i vendosur në listën e zezë së Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Tesiç, ka bashkëpunuar me regjime diktatoriale në Jemen, Liberi, Irak etj. Kabllogrami i publikuar nga Wikileaks, mban datën 14 dhjetor 2009. Po në vitin 2009, pikërisht më 6 dhjetor, rezulton se është firmosur kontrata ndërmjet MEICO)kompanisë së Ministrisë së Mbrojtjes) dhe “Moon Storm Enterprises” me destinacion Gjeorgjinë. Në këtë dokument theksohet se Tesiç ka shitur armë për ushtrinë e Jemenit, kryesisht armë për të përballuar forcat kundërshtare, kryesisht armë të lehta dhe artileri kundërajrore. Këto armë ishin të prodhimit bullgar dhe ka qenë shërbimi sekret i këtij vendi, i cili është alarmuar për këto ngarkesa, duke vënë në dijeni aleatët amerikanë. Por në rastin tonë, a ka një alarm të ngjashëm?
Kabllogrami
Siç thekson ambasada bullgare në Sana’a,(kryeqytet i Jemenit) një kompani e lidhur me trafikantin e paligjshëm të armëve, Sllobodan Tesiç, “Moon Storm Enterprises Ltd” firmosi një marrëveshje prej 78 milionë dollarësh me Ministrinë e Mbrojtjes së Jemenit në janar të vitit 2010. Kontrata prej 34 faqesh, një kopje e të cilës u sigurua nga oficeri ekonomik më 7 dhjetor dhe që më pas u dërgua në zyrën përkatëse në Uashington, flet për shpërndarje armësh të lehta, municione, municione artilerish, pushkë snajper, pajisje shkatërruese, pushkë antiajrore dhe topa obuz. Ambasada bullgare bën të ditur se personi i kontaktit dhe emri i shënuar në kontratë janë të lidhur me Slobodan Tesiç, një qytetar serb i listuar në aneksin e të ndaluarve nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së, përkatësisht rezoluta 1521. Tesiç ka udhëtuar shpesh në Jemen në vitet e kaluara për kontratat e tij, siç theksohet nga personi i kontaktit i cili është në kompaninë partnere të Tesiç. Personi i kontaktit i tha oficerit ekonomik tonë se ai i dha një informacion për transferimin e armëve, të siguruara nëpërmjet burimeve të Ministrisë së Mbrojtjes së Jemenit, i cili shpreson se qeveria e SHBA do të ndalë shitjen e këtyre furnizimeve nga Bullgaria për repartet ushtarake jemenite ROYG. Adresat e furnizuara nga informatori përkojnë në Qipro. Poshtë tekstit prej një faqeje të Slobodan Tesiç dhe informatorit tonë theksohet se ambasada bullgare i ka siguruar nga shërbimi sekret i Bullgarisë. Në fakt, nuk ka informacion në shkresën e dhënë nga agjenti lokal. Bëhet fjalë për një kompani serbe off shore( e regjistruar jashtë juridiksionit të operatorit rregullues pra në “parajsa fiskale”) në Qipro dhe e zotëruar nga Slobodan Tesiç. Ka disa krime që lidhen me këtë person, që përfshijnë furnizim armësh në vendet e konfliktit si Irak, Liberi etj., për regjimet terroriste. Personi i regjistruar si partner i tij ka fuqi për kompaninë A/M. Ai ka firmosur kontratën. Gjithashtu, ai zotëron edhe një pasaportë britanike, por nuk ka asnjë autorizim zyrtar apo licencë të lëshuar nga Mbretëria e Bashkuar për tregtinë e materialeve luftarake. Zoti Slobodan Tesiç u përpoq të hyjë në Bullgari gjatë vitit 2005, por u kthye sërish në Serbi, pasi ai figuronte në listën e zezë të OKB-së. Sipas agjentit tonë në Jemen XXXXXX.
Qipro – Kompania e drejtuar nga Slobodan Tesiç e cilësuar Off Shore ishte e regjistruar në Qipro
Terrorizmi – Sipas OKB-së, kreu i kompanisë “Moon Storm Enterprises” ka bashkëpunuar me regjime terroriste
2009 – Data e kabllogramit të ambasadës së SHBA në Sana’a rastis me kohën e kontratës së MEICO me Tesiç
Jemeni – Është një shtet arab që u përfshi nga revoltat popullore që kërkonin rrëzimin e regjimit në pushtet
Raporti i OSBE-së
“Sa i përket çmilitarizimit, qeveria nisi një plan veprimi, në 2008-n, për të përfunduar procesin për të gjitha municionet konvencionale të tepërta deri më 2013. Një sasi shtesë prej 26.000 tonësh u shkatërrua në 2012-n. Pajisjet dhe skrapi të dala nga ky proces janë shitur dhe një sasi municionesh konvencionale të tepërta është eksportuar, megjithëse nuk duket se të gjitha të ardhurat e përfituara janë futur prapë në sistem për të financuar vazhdimin e procesit të çmilitarizimit. Asgjësimi i lëndëve kimike dhe shkatërrimi i armëve të vogla dhe të lehta (AVL) mbetet një shqetësim. Një numër shumë i konsiderueshëm, por deri më tani ende i panjohur AVL-sh, duhet çmilitarizuar, me rrezikun që këto armë mund të keqpërdoren apo të trafikohen”,
Ministri i Mbrojtjes: Më sulmuan, pasi isha një kandidat për president
Imami: Dokumentet e opozitës nuk janë sekrete
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, deklaroi dje se akuzat që opozita kishte nisur që prej muajit qershor ndaj tij, ishin fillimisht personale ndaj dhe më pas profesionale për punën e bërë në ministri. Në emisionin “Prizëm” në televizion “AS”, Imami i lidhi akuzat fillimisht me zërat se ai do të kandidohej për President i Republikës dhe nga fakti që ndaj tij nuk ishin hedhur më parë akuza për korrupsion. “Kur u përmend emri im për një post të lartë shtetëror filloi edhe sulmi i opozitës. Por sulmet besoj se filluan dhe nga fakti se emri im kishte qenë larg akuzave dhe opozita duket se nuk mund të lejë dikë pa e përbaltur”, theksoi Imami. Nga ana tjetër, ai theksoi se sulmi është dhe personal për shkak të punës së madhe që është bërë në këtë ministri, gjatë kohës që ai ka marrë drejtimin e saj. “Puna ime në ministri ka qenë jashtë të zakonshmes, do të doja pak mirënjohje”, deklaroi dje Imami, i cili shtoi gjithashtu se ai ishte i qetë, sepse nuk kishte shkelur ligjin. Kështu, në lidhje me akuzat e opozitës për trafik armësh, Imami theksoi se ato ishin shpifje dhe se dokumentet që paraqiteshin si zbulime ishin shkresa të thjeshta të punës së përditshme të ministrisë. “Shkresat që ju shikoni, janë puna jonë e përditshme. Shkresat janë të vërteta dhe të mbështetura në ligje. Nuk ka trafik, tregtia e armëve është një tregti e ligjshme dhe tashmë është bërë e domosdoshme, sepse përmes kësaj mbështesim procesin e demontimit, i cili po shkon shkëlqyeshëm”, deklaroi Imami, duke pasur një kontradiktë me akuzat, sipas të cilave opozita ka publikuar dokumente konfidenciale. Po kështu, ai deklaroi se një pjesë e materialeve të opozitës janë marrë dhe nga raporti që Shqipëria ka dorëzuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. Imami theksoi gjithashtu se opozita po dëmtonte tregtinë e armëve me akuzat e pabaza që po bënte dhe zuri si shembull akuzat e bëra për blerjen e snajperëve. “Nuk i kam blerë snajperët, por do t’i blej ato po të kem mundësitë. Por duke vjedhur dokumente brenda ministrisë ti ke cenuar interesat e sigurisë”, deklaroi Imami. Ai po ashtu pohoi se më 21 janar të 2011-s, katër protestuesit përpara Kryeministrisë janë vrarë nga forcat e ruajtjes së rendit.
F.Mejdini
Furnitorët
Imami deklaroi dje se shtete si Mali i Zi dhe Serbia përfitonin pjesën më të madhe të armëve shqiptare për shkak të faktit se këto ishin vende të afërta me Shqipërinë dhe në fqinjësi të mirë me vendin tonë.
“Nuk i kam blerë snajperët, por do t’i blej ato po të kem mundësitë. Por duke vjedhur dokumente brenda ministrisë ti ke cenuar interesat e sigurisë”