Bujar NishaniPresidenti Bujar Nishani, njëkohësisht kreu i forcave të armatosura të vendit, ka kërkuar bashkëpunimin e të gjitha vendeve të Ballkanit në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Duke folur në konferencën e 7-të të shefave të mbrojtjes së Ballkanit, Nishani u shpreh se siguria dhe mirëqenia e vendeve tona paqësore mbetet e ende e kërcënuar dhe rritet nevoja e bashkëpunimit, koordinimit të vazhdueshëm, si dhe forcimit të mekanizmave mbrojtës.


“Sot vërejmë me krenari që rezultatet janë mbresëlënëse. Disa vende të rajonit janë anëtarë të denjë të NATO-s. Proceset integruese janë shtysa kryesore për ecjen përpara të të gjithë vendeve tona. Po të hedhësh një vështrim për sigurinë ndërkombëtare vihet re se kjo çështje ka marrë një dimension tjetër. Siguria e vendeve tona mbetet e kërcënuar dhe si rrjedhojë rritet nevoja e bashkëpunimit sidomos mes organizmave mbrojtës”,- tha Nishani.


Në konferencën e 7-të të Iniciativës së shefave të Shtabit të Përgjithshme të vendeve të Ballkanit, marrin pjesë shefat e ushtrive të Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Bullgarisë, Greqisë, Maqedonisë, Malit të Zi, Serbisë, Turqisë dhe Rumanisë. Në këtë konferencë, me statusin e të ftuarit marrin pjesë dhe shefat e Shtabit të Përgjithshëm të Kroacisë dhe Sllovenisë, si dhe përfaqësues të lartë të NATO-s dhe Bashkimit Evropian.


22 maj 2013 (gazeta-Shqip.com)