SHTETËSIA 


Në gjendjen civile të vitit 2008, emri i Visho Likës nuk figuron


Drejtori i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika, nuk figuron në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Sipas një hulumtimi të kryer nga gazeta “Shqip”, në Regjistrin Kombëtar Civil të vitit 2008, Lika nuk figuron në listë. Madje ka emra të tjerë të familjes së tij, porse vetë njeriu që është në krye të shërbimit sekret shqiptar nuk figuron. Duke kërkuar emrin e shefit të shërbimeve sekrete, rezultati nuk nxjerr asnjë të dhënë. Ndërsa kërkimet nxjerrin dhe të afërmit e tij që ekzistojnë në gjendjen civile, si p.sh i vëllai. Është pak i çuditshëm fakti se Lika nuk figuron si shtetas shqiptar në regjistrin civil. Kjo mund të ketë të bëjë me faktin se për 12 vite me radhë, i sapoemëruari në krye të SHISH-it ka jetuar si emigrant në Kanada. Qenia si emigrant mund të ketë ndikuar dhe heqjen dorë apo në mospërfshirjen nga regjistrimi në Regjistrin Themeltar të Shtetit Shqiptar. Ende nuk konfirmohet nëse mosprezenca e Likës në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile ka të bëjë me faktin se mbase ai nuk ka qenë as në listat e zgjedhësve.


Shtetësia


Dy ditë më parë, gazeta “Shqip” publikoi lajmin se shefi i shërbimeve sekrete mban dy shtetësi, shqiptare dhe kanadeze. Lika me mosfigurimin e tij në regjistrin civil të 2008-s mund të lidhet dhe me faktin se ai mund të ketë hequr dorë nga shtetësia shqiptare, por kjo për momentin është ende e paverifikueshme. Marrja e nënshtetësisë kanadeze i jep atij detyrimin që të jetë besnik i ligjeve të Kanadasë. Në formulën e betimit të çdo shtetasi kanadez përcaktohet se do t’i shërbejë me besnikëri Mbretëreshës Elizabet II. “Betohem (ose pohoj) se unë do të jem përkrahës dhe do t’i tregoj besnikërinë e vërtetë Madhërisë së saj Mbretëreshës Elizabet II, Mbretëresha e Kanadasë, trashëgimtarëve dhe pasardhësve të saj, dhe se unë me besnikëri do të respektoj ligjet e Kanadasë dhe do të përmbush detyrat e mia si qytetar kanadez”, thuhet në formulën e betimit të shtetit kanadez. Për të marrë nënshtetësinë kanadeze, sipas ligjeve atje duhet të kesh qenë paraprakisht për tri vjet në statusin e banorit të përhershëm (permanent resident). Pasi të provosh se ke ndenjur 3 X 365 ditë brenda një periudhë katërvjeçare në Kanada, mund të fillosh aplikimin për shtetësinë. Procesi zgjat edhe një vit tjetër. Vetë Visha ka qëndruar në Kanada për një periudhë kohore 12-vjeçare, çka e bën të pranueshëm faktin se i është nënshtruar një procedure të tillë. Emërimi i tij në krye të shërbimit sekret, të një personi që mund të ketë nënshtetësi tjetër, veç asaj shqiptare, solli reagimet e para nga ana e ish-drejtuesve të SHISH. Për ish-drejtorin e SHISH, Fatos Klosi, ligji e përcakton qartë se “qoftë edhe për një nënoficer të SHISH, nëse ka qëndruar jashtë Shqipërisë me ditë, praktika parashikon që të kërkohet informacion nga Interpoli”. Sipas tij, nuk mundet që një drejtor i SHISH-it të ketë detyrime ndaj një shteti tjetër, përpos atij shqiptar. Visho Ajazi Lika u emërua në krye të SHISH-it, duke zëvendësuar në këtë post Bahri Shaqirin. Largimi i Shaqirit dhe caktimi i Likës solli reagime nga opozita, por edhe nga dy ish-presidentët Alfred Moisiu dhe Bamir Topi. Këto ndryshime të propozuara nga Kryeministri Berisha dhe të miratuara nga Presidenti i sapozgjedhur Nishani shihen si një kthim prapa dhe që vendosin në pikëpyetje funksionimin në mënyrë të pavarur të këtij institucioni.


 


 


Ditëlindja e Vishës, dy data të ndryshme


Në sitin e SHISH-it shkruhet se ka lindur më 12 mars 1956, ndërsa në faqen sociale, më 12 shkurt 1960



Kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika, ka dy data të ndryshme ditëlindjeje. Në sitin zyrtar të SHISH, te biografia e Vishës, bëhet e ditur se ai ka lindur më 12 mars 1956, në Shkodër. Ndërsa në faqen e tij sociale “Facebook”, Visho Lika shkruan se ai ka lindur më 12 shkurt 1960. Pikërisht në këtë datë, Visho Lika ka marrë edhe urimet për ditëlindjen nga miqtë e tij në “Facebook”, ku shumë prej tyre duket se janë edhe njerëz të farefisit. Nuk dihen arsyet se pse e ka ulur moshën me 4 vite, mbase për t’u dukur më i ri. Sipas CV-së së tij, në faqen zyrtare të SHISH-it, ai ka mbaruar Universitetin e Tiranës, Fakulteti i Shkencave të Natyrës 1976-1981. Sipas ditëlindjes së uebit zyrtar, Lika ka nisur shkollën e lartë në moshën 20-vjeçare. Por nëse llogaritet mosha e vendosur në “Facebook”, atëherë i bie që ai ka hyrë në moshën 16-vjeçare. Në CV-në e tij përshkruhet dhe puna e kryer jashtë Shqipërisë, nga 1998-2007, por pa përmendur shtetin e Kanadasë. Pjesa më e madhe e kompanive private ku ka punuar u përket fushës së teknologjisë kompjuterike. Nga shtatori 1994 deri në prill 1998, ai ka qenë në Shërbimin Informativ Kombëtar, si drejtor i Shërbimit të Jashtëm në Ministrinë e Jashtme. Ndërsa në maj 1993 deri më gusht 1994, sipas deklarimit zyrtar të jetëshkrimit, Lika ka qenë diplomat dhe sekretar i parë në ambasadën shqiptare në Riad, Arabi. Ndërsa nuk mungojnë arritjet e tij në biografinë e paraqitur në faqen zyrtare të SHISH-it. “Z. Visho Ajazi Lika u lind më 12 mars 1956, në Shkodër. Përvoja e tij e gjatë si punonjës publik, administrator publik, akademik, software inxhinier dhe menaxher IT, diplomaci dhe inteligjencë, kombinuar me karakterin entuziast, motivim të lartë, ambicie e dinamizëm, background të fortë matematik dhe përvojë të gjerë në programim është një pasuri e krijuar nga vite të gjata pune intensive. Shtuar dhe rreth tre vitet e fundit në politikëbërje në fushën e shoqërisë së informacionit si dhe në qeverisje, i ka mundësuar z. Visho Ajazi Lika të ndërmarrë një hap të rëndësisë së veçantë, atë të pranimit të marrjes së drejtimit të një institucioni të rëndësisë së veçantë kombëtare, me besimin se kontributi i tij do të jetë në forcimin e kapaciteteve profesionale dhe menaxheriale të SHISH”, thuhet në jetëshkrimin e Likës. Më tej theksohet se “përvoja e gjatë e punës në ekip dhe aftësitë drejtuese të tij janë një garanci se drejtimi i ardhshëm i këtij institucioni do të jetë një vlerë e shtuar në detyrat e tij veçanërisht të rëndësishme në funksion të sigurisë kombëtare dhe detyrave të tjera kushtetuese dhe ligjore. Z. Visho Ajazi Lika është drejtues i fokusuar në përmirësimin e vazhdueshëm të sistemit, në përmirësimin e punës në grup, promovimin e karrierës në institucion dhe në pengimin e çdo tentative për të dalë jashtë kuadrit ligjor, të cilit SHISH duhet t’i përmbahet me fanatizëm”.


 


Foto



  1. Faqja zyrtare e SHISH, ku tregohet se Lika ka lindur më 12 mars 1956, në Shkodër

  2. Faqja personale e “Facebook”, ku shefi i SHISH shkruan se ka lindur më 12 shkurt të vitit 1960


 


Fanatizmi


Në CV-në e tij, Lika shkruan se “është drejtues i fokusuar në përmirësimin e vazhdueshëm të sistemit, në përmirësimin e punës në grup, promovimin e karrierës në institucion dhe në pengimin e çdo tentative për të dalë jashtë kuadrit ligjor, të cilit SHISH duhet t’i përmbahet me fanatizëm”.