Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë sot në inaugurimin e një spitali privat. Gjatë fjalës së tij, shefi i qeverisë foli për reformën në sistemin shëndetësor, duke thënë që tashmë ky shërbim ka marrë një kthesë të rëndësishme, por që është ende e paplotë.


“Shërbimi shëndetësor në Shqipëri ka marrë një kthesë të rëndësishme, një kthesë që ende është e paplotë. Patjetër që do të kemi një rrugë të gjatë, të vështirë, por të drejtë që të bëjmë të mundur që në Shqipërinë që duam, shërbimi shëndetësor të jetë pasqyrë e respektit që çdo qytetar kërkon, – tha kryeministri. -Tanimë, ne kemi çelur një epokë të re ndërveprimi mes shërbimit publik dhe atij privat në disa sektorë. Kjo përkthehet në hapjen e një rruge që do të shkojë duke u zgjeruar për të gjithë ata që nuk i kanë mundësitë që të marrin shërbim shëndetësor tek privati, por që kanë nevojë për këtë shërbim në fusha të caktuara, do të paguhet 100% nga shteti. Deri më sot janë 10 paketa të shërbimit shëndetësor, të financuara 100% nga shteti, që zbatohen jo vetëm në spitalet publike por edhe në ato private”, tha Rama.


19 prill 2017 (gazeta-Shqip.com)