Ministrja i ngatërron emrin, Halimi: Mos fol si e ëma Zeqos në majë të thanës


Ministrja e Inovacionit, Milena Harito, gjate nje seance parlamentare, ku eshte diskutuar projektligji Diskutimi i projektligjit për Qendrën e Ofrimit të Shërbimeve Publike, i cili parashikon një model të ri të shërbimit ndaj qytetarëve në sportelet e shtetit shqiptar, ADISA, do të shkaktonte debate të forta deri në fyerje personale mes deputetit demokrat Eduard Halimi dhe ministres për Inovacionin, Milena Hariton, në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Ligjeve. Deklaratat e ministres Harito se modeli i ri i shërbimit ndaj qytetarëve në sportelet e shtetit, do të shmangë korrupsionin, nuk i bindën demokratët. Për ish-ministrin e Drejtësisë, Eduard Halimi, dixhitalizimi dhe jo shtimi i sporteleve është zgjidhja që qeveria duhet të jepte. Kaq ka mjaftuar që debati të merrte një tjetër rrjedhë duke përfunduar në akuza dhe fyerje personale mes tij dhe ministres. “Është arrogante, do të thoja, të flasë për këtë një njeri që ka harxhuar 40 milionë euro për të dixhitalizuar ZRPP-në dhe sot nuk kemi regjistër të pronave kur ju, z. Bylykbashi (duke ngatërruar person), keni qenë ministër i Drejtësisë”- tha Harito. Pikërisht kjo ngatërresë do të shkaktonte një reagim të ashpër të ish-ministrit të Drejtësisë, Eduard Halimi. Duhet të ishe informuar këtu ti, zonjë, kur vjen e flet, të mos flasësh si…si e ëma e Zeqos në majë të Thanës. Mirë? 40 milionë euro e Hipotekës kanë qenë të Bankës Botërore që kanë filluar nga viti 2000 dhe kanë vazhduar deri në vitin 2012. Ato para janë menaxhuar nga Banka Botërore. Dhe të bësh herezi tani e të thuash, shiko, nuk është bërë asnjë gjë, thjesht tregon injorancë të plotë të procesit”- tha Halimi. Por pavarësisht këtij debati, demokratët abstenuan ligjin në parim, ndërkohë që shqyrtimi nen për nen u shty për një seancë të dytë, pasi kreu i Komisionit Fatmir Xhafaj, vendosi që të presë dhe vërejtjet teknike të komisioneve të tjera parlamentare dhe më pas të kalohet në miratimin nen për nen të draftit.