Çështja u verifikua nga grupi hetimor i CEZ-DIA: Informacionet e kreut të Komisionit të Sigurisë nuk janë të besueshme
Letra – “Paralajmërimi për këtë skenar që është duke u zhvilluar nuk duhet neglizhuar, pasi Tom Doshi dhe Dritan Prifti janë edhe protagonistët kryesorë të vetëdeklaruar si të tillë të ngjarjeve që prodhuan dhunën e 21 janarit 2011”
Prokuroria – Pas hetimeve trejavore, prokuroria vendosi të mos regjistrojë procedimin penal, me arsyetimin se nuk ka vepër penale. Asnjë nga dëshmitarët dhe provat nuk faktoi se po hartohej një skenar nga Doshi e Prifti
Dëshmitë
Ismailaj – Vojsava Ismailaj dëshmoi e para për letrën. Tha se kishte pirë kafe shoqërisht me Doshin. Nuk e njihte Priftin
Doshi e Prifti – Në prokurori u paraqitën dy destabilizuesit. Edhe ata konfirmuan se nuk kishin asnjë plan për të “fundosur” Metën
Braho – Në prokurori dëshmoi edhe Spartak Braho. Ai i qëndroi përmbajtjes së letrës, ndërsa nuk pranoi të tregonte burimet
Sokol Çobo
Skenari për destabilizimin e vendit, duke goditur kreun e Kuvendit, Ilir Meta, nuk është i besueshëm. Prokuroria ka shfryrë letrën “bombë” të kreut të Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, i cili më 27 shtator informonte krerët e shtetit, nga Nishani, Rama, Ajazi apo ministrat Tahiri e Naço, mbi një plan të deputetit Tom Doshi dhe ish-deputetit Spartak Braho, që sipas tij, po tentonin të komprometonin Metën në çështjen CEZ-DIA. Prokuroria u investua për tri javë në këtë çështje, ndërsa në fund u vendos që “nuk ka vepër penale”. Një ndër arsyet e mbylljes së hetimeve ka qenë se informacionet e Brahos nuk kanë qenë të besueshme, madje deputeti i LSI-së nuk tregoi as në prokurori se nga i kishte ardhur ky informacion.
Hetimet trejavore
Prokurorja Antoneta Sevdari, e cila po heton prej më shumë se një viti çështjen CEZ-DIA, mori tri javë më parë një informacion zyrtar nga Prokuroria e Përgjithshme. Gjatë kësaj kohe, me urdhër të saj, oficerët e policisë gjyqësore thirrën për dëshmi destabilizuesit, Vojsava Ismailaj, Tom Doshi dhe dy herë Dritan Prifti. Madje, ky i fundit, i mësuar pak kohë më parë me të tilla dëshmi, tha se është i gatshëm të paraqitet sa herë që do ia kërkojë akuza, ku mund të jepte detaje edhe për çështjen CEZ-DIA. Megjithatë, për skenarin e Brahos, asnjë nga dëshmitarët apo provat e mbledhura, nuk faktoi se mund të kishte të tilla prova për të “fundosur” kryeparlamentarin Ilir Meta. Në prokurori u paraqit edhe vetë denoncuesi, Spartak Braho, teksa mësohet se deputeti i është përmbajtur letrës së dërguar ndaj krerëve të shtetit, por nuk ka pranuar të tregojë burimin e informacionit. Madje, Braho i kërkoi edhe prokurorisë që të mos lejojë që i dyshuari Kastriot Ismailaj të manipulohet për të akuzuar Kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta, si të përfshirë në aferën e CEZ Shpërndarjes dhe kompanisë DIA. Pas 27 shtatorit, ditë kur dhe mori letrën, kryeprokurori Adriatik Llalla urdhëroi nisjen e hetimeve, pasi mori të ashtuquajturën letrën “bombë” nga Spartak Braho. Prokuroria mori dëshminë e Tom Doshit, Vojsava Ismailajt e Dritan Priftit. Ata kanë rrëzuar idenë e komplotit, ndërsa kanë deklaruar se kafeja e konsumuar mes Tomës dhe Vojsavës ka qenë shoqërore, pasi të dy njihen prej shumë vitesh. Nga ana tjetër, Prifti ka mohuar të jetë pjesë e këtij skenari, ndërsa ka pohuar se zonjën Ismailaj nuk e njeh.
Letra e Brahos
Në fund të muajit shtator, Spartak Braho u shkruante krerëve të shtetit. “Nga burime të sigurta më konfirmohet se ekzistojnë dhe janë duke u ndërmarrë përpjekje serioze për realizimin e një skenari ogurzi që synon shkaktimin e kaosit dhe destabilitetit politik në vend dhe që ka për autorë kryesorë deputetin në gjykim Tom Doshi dhe ish-deputetin Dritan Prifti. Tom Doshi dhe Dritan Prifti janë dy të njohur të vjetër të Kastriot Ismailajt, i cili është i arrestuar nën akuzën e pastrimit të parave, por njëkohësisht edhe personazhi kryesor në çështjen CEZDIA. Ata kanë kontaktuar dhe vazhdojnë të jenë në komunikim të vazhdueshëm me familjarë të të sipërpërmendurit dhe në veçanti me bashkëshorten e tij, Vojsava Ismailaj, për të përfshirë këtë të fundit përmes një skeme mashtrimi, shantazhi dhe me premtimin për të liruar nga akuza Kastriot Ismailajn, në këmbim të deklaratave ose intervistave që synojnë implikimin e Kryetarit të Kuvendit në skandalin CEZDIA dhe vazhdimin e skenarit të mëparshëm destabilizues”, shkruante Braho. Më tej, deputeti vijonte se burimet i konfirmonin se takimi më i fundit mes Tom Doshit, Dritan Priftit dhe Vojsava Ismailajt u zhvillua në hotel “Sheraton”, ditën e mërkurë, datë 23 shtator 2015, duke filluar nga ora 14:31. “Tom Doshi dhe Dritan Prifti i kanë thënë Vojsava Ismailajt se bashkëshorti i saj mbahet i arrestuar me porosi të Kryetarit të Kuvendit. Tom Doshi dhe Dritan Prifti i kanë dhënë garanci Vojsava Ismailajt në emër të Kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opozitës Lulzim Basha për lirimin e bashkëshortit, në këmbim të deklaratave apo intervistave të saj apo të bashkëshortit të saj që do të implikonin Kryetarin e Kuvendit, madje duke përmendur edhe Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si të interesuar në eliminimin politik të Ilir Metës. Tom Doshi i ka kërkuar Vojsava Ismailajt të takohen jashtë qytetit të Tiranës për të konkluduar marrëveshjen e tyre, duke i premtuar edhe largimin e saj dhe të familjes jashtë Shqipërisë”, vijonte letra “bombë”. Braho shkruante se, në cilësinë si kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare në Kuvend, kërkonte marrjen e masave për mbrojtjen fizike të Vojsava Ismailajt dhe familjes së saj, për të shmangur kërcënimet apo edhe më rëndë akoma, pengmarrjen e saj, për ta detyruar për të dhënë deklarata apo intervista që do të zhvendosnin vëmendjen apo devijonin qëllimin e hetimit të aferës CEZDIA.
