Blushi: Referendumi e bën qesharak Ramën
Kundërshtari i vendimit të Kongresit, Ben Blushi deklaron se referendumi i 9 prillit e bën qesharak Kryeministrin Edi Rama. “Sigurisht që jo, kam pasur rastin të shpreh për gati dy muajt e fundit, që PS duhet të mbante zgjedhjet për kreun e PS. Çka i jep arsyen që është i trukuar, që ky mandat është i grabitur. Shqipëria është unike, sepse nuk ka asnjë parti që kryetari të ketë një mandat 7-vjeçar. Ai thotë tani nuk do bëj zgjedhje, por do bëj referendum. Referendumi dhe zgjedhjet janë të ndryshme, në referendum votohet për çështje, kurse zgjedhjet bëhen për njeri. Është një rast unik që e bën Ramën qesharak”, tha Blushi gjatë një interviste në Ora News. Sipas tij, pavarësisht vendimit të Kongresit, statuti i PS-së është shkelur, pasi ai është votuar vetëm në parim dhe jo nen për nen. Ai gjithashtu shtoi se nuk u bë një votim i fshehtë për statutin e PS-së. “Sipas statutit të PS thuhet 2 muaj para kongresit dhe dy muaj pas nuk ka referendum. Kjo nuk po ndodh, sepse ne kemi referendum 3 javë pas kongresit. E gjitha është një truk dhe manipulim i pastër. Qëllimi është që Rama të marrë mandatin pa zgjedhje. Keni parë njeri të marrë mandat pa zgjedhje? Unë kam kërkuar, që për shkak se u vendos një referendum jo statuor, i parregullt këta që e trukuan kongresin pa votim le të thonë sa veta marrin pjesë në një referendum. Më në fund, sot një zëdhënëse e rilindjes tha se marrin pjesë 81 mijë. Kjo e rrëzon kongresin. Pardje isha në Berat dhe më thanë që ne nuk jemi në listë. Nuk ka listë të afishuar. Klikoni në faqen e PS dhe nuk ka listë zgjedhësish. Pra kam kërkuar që lista të jetë online, më në fund sot tha që janë 81 mijë, kjo shifër rrëzon kongresin. Kongresi është ndërtuar mbi bazën e një parim çdo 100 anëtarë ka një delegat. Në kongres u zgjodhën 940 delegatë, që do të thotë për 1 listë 94 mijë vetë. Sot u tha që lista është 81 mijë, kjo e rrëzon kongresin”, theksoi Blushi.